
Instituti Atlas: Të hiqet TVSH-ja në faturat e rrymës dhe të zbatohet opinioni i Avokatit të Popullit
Nga 1 prilli është paralajmëruar shtrenjtimi i energjisë elektrike për 15%.
Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ditë më parë kishte thënë se kërkesat e kompanive për furnizim me energji elektrike ishin që çmimi të rritej për 35%, por pas konsultimeve u propozua që çmimi të rritet për 15%.
E deri më 28 mars, qytetarët dhe palët e interesit mund të dërgojnë komente tek ZRRE sa i përket propozimit për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Ndërkaq, pas paralajmërimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka pasur reagime të shumta, duke kundërshtuar rritjen e çmimit.
Instituti Atlas ka dhënë një rekomandim për Qeverinë e Kosovës, se si do të mund të ulte çmimin e rrymës gjatë viteve 2025 dhe 2026.
“Nëse ZRRE vendos të rrisë të hyrat maksimale të lejuara me 15%, Instituti Atlas kërkon nga Qeveria e Kosovës të heqë TVSh-në prej 18 për qind në faturat e energjisë elektrike dhe të zbatojë opinionin e Avokatit të Popullit dhe gjykatave të Kosovës, duke i kthyer konsumatorëve 132.5 milionë euro të paguara padrejtësisht për konsumimin e energjisë në veri. Zbatimi i këtyre masave do të ulte çmimin e rrymës me 36% gjatë viteve 2025 dhe 2026”, thuhet në postimin e Institutit Atlas.