Instituti boton një libër të ri për shpërnguljen e shqiptarëve
Instituti i Historisë në Prishtinë këtyre ditëve botoi edhe një vepër tjetër me peshë historike për popullin shqiptar: “Shpërngulja e shqiptarëve në Republikën e Turqisë 1922-1941”, nën përzgjedhjen dhe redaktimin e historianit Qerim Lita. Kjo vepër voluminoze (490 faqe) përbën një përmbledhje dokumentesh me interes të veçantë për historiografinë shqiptare në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti.
Në të autori ka përfshi mbi 200 dokumente, të cilat i ka përzgjedhur nga koleksioni i materialeve arkivore, kryesisht të Arkivit të Jugosllavisë dhe pjesërisht të Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë dhe Arkivit të Qytetit të Shkupit. Shumica e dokumenteve janë të karakterit diplomatik, si: shkresa, telegrame, depesha, informata, analiza, korrespodenca midis përfaqësive diplomatike jugosllave në Stamboll e Ankara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd. Nuk mungojnë as dokumente të proveniencës policore e ushtarake jugosllave, të cilat ngjashëm sikurse të parët, trajtojnë problemin e shpërnguljes së popullsisë shqiptare për në Turqi.
Gjithashtu, në këtë përmbledhje jepen edhe një numër i konsiderueshëm i listave të personave të cilëve për shkak të shpërnguljes për në Turqi, u ishte marrë shtetësia jugosllave. Gjithsesi se ndër dokumentet më me rëndësi janë planet, programet dhe elaboratet e shumta, të hartuara gjatë viteve tridhjeta të shekullit të kaluar, përmes së cilave qarqet serbomëdha planifikonin spastrimin etnik të Kosovës e të tokave tjera shqiptare nën pushtimin e tyre. Në kuadër të kësaj, duhet veçuar procesverbalet nga seancat e Komisionit për shpërngulje, të zhvilluara në Stamboll në harkun kohor 9 qershor – 11 korrik 1938, si dhe Konventën e parafuar nga po i njëjti komision, me të cilën parashihej që brenda gjashtë viteve nga Jugosllavia për në Turqi të shpërnguleshin 40 000 familje shqiptare myslimane.
Duhet të vëmë në dukje faktin se, një numër i konsiderueshëm i dokumenteve ofrojnë të dhëna burimore për përpjekjen e autoriteteve politike e diplomatike shqiptare, qoftë për ta penguar procesin e shpërnguljes, e gjithashtu edhe për riatdhesimin e atyre të cilët tashmë ishin shpërngulur në Turqi. Për shkaqe praktike, autori e ka pa të arsyeshme që titujve të dokumenteve t’u shtojë edhe një përmbajtje të shkurtë, si dhe sqarime tjera plotësuese të cilat i ka vendosur në referencë.