Instituti Epik: 1/3 e studentëve nga bursa YCS presin të punësohen në institucione të Kosovës
Instituti Epik ka shprehur shqetësimin se nga 50 bursistë(YCS) të cilët kanë përfunduar studimet e tyre master gjatë vitit 2019, 1/3 e tyre ende nuk janë punësuar brenda institucioneve të Kosovës.
Përmes një komunikate për medie, Epik ka bërë me dije se bursa e Bashkimit Evropian për studime të nivelit master në universitetet Evropiane, apo më e njohur si Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme – YCS) është ndër projekte më të suksesshme të BE-së në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. “Përderisa BE-ja mbulon të gjitha shpenzimet e bursistëve, është obligim i institucioneve të Kosovës të sigurojnë punësimin e tyre në administratën publike. Në këtë formë, bursa kontribuon në ndërtimin e një administrate të pavarur, me integritet dhe profesionale. Gjatë vitit 2019, shoqëria civile, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtar, ka monitoruar zbatimin e bursës YCS dhe njëkohësisht jemi zotuar se do të vazhdojmë të përcjellim zhvillimet sa i përket bursës YCS dhe punësimin e bursistëve në institucionet shtetërore me qëllim të krijimit të një administrate me integritet, të pavarur dhe profesionale dhe në shërbim të qytetarëve”, është thënë në komunikatën e institutit Epik.
Me tej, ky institut ka përmendur kualifikimet specifike të këtyre studenteve. “Kanë vijuar studimet në Holandë, Angli, Belgjikë, Francë, Austri, Gjermani dhe Irlandë; Kanë vijuar studime në universitetet prestigjioze, siç janë Universiteti i Amsterdamit, Université Paris II – Assas Sorbonne, Universiteti i Mastrihtit, Universiteti Vjenës, Universiteti i Qytetit të Londrës, Kolegji i Mbretit – Londër, Universiteti i Mançesterit, etj; Kanë vijuar studime në fusha të veçanta dhe deficitarë, siç janë: ndërmarrësia sociale, menaxhimi mjedisor dhe energjetik, e drejta e punësimit, sistemet statistikore, qeverisja globale ekonomike dhe çështjet publike, tregtia ndërkombëtare dhe e drejta e investimeve, etj.
Në këtë drejtim, ftojmë të gjitha institucionet shtetërore për punësimin sa më të shpejtë të bursistëve nga bursa YCS me qëllim të evitimit të rrezikimit të bursës dhe mundësive për gjeneratat e ardhshme dhe avancimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar instituti Epik.