Instituti GAP: Gratë që kërkojnë punë në Kosovë kanë përgatitje më të lartë universitare sesa burrat

09 qershor 2020 | 12:06

Gjatë këtij viti në Kosovë në kërkim të punës janë regjistruar rreth 38 mijë qytetarë, ku 60 për qind e tyre janë të pashkolluar.

Instituti për Studime të Avancuara GAP, përmes raportit “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në tregun e punës“, ka bërë të ditur se vetëm 4 për qind e personave që kërkojnë punë janë me arsim të lartë.

Sipas GAP-it, shumica e punëkërkuesve të pashkolluar, me arsim fillor dhe të mesëm janë burra, ndërsa me pjesa tjetër me bachelor, master apo PhD janë gra.

“Sa i përket arsimit të punëkërkueseve, pjesa dërmuese apo 60 për qind e këtyre punëkërkuesve janë të pashkolluar, ndërsa 29 për qind kanë përfunduar shkollën fillore dhe të mesmen profesionale. Rreth 7 për qind janë me gjimnaz të përfunduar, ndërsa 4 për qind me arsim të lartë. Prej punëkërkuesve të pashkolluar, me arsim fillor dhe të mesëm shumica janë burra, përveç punëkërkuesve me Bachelor, Master apo PhD të cilat janë gra. Dallimet në mes të burrave dhe grave në nivel të arsimit lë të kuptohet që edhe te individët që kanë arsim të lartë do të ketë më shumë gra se sa burra të papunësuar. Kjo mund të vijë si pasojë e kritereve të larta që hasin gratë gjatë kërkimit të një pune qoftë të përshtatshme apo të papërshtatshme me fushën e saj të arsimit, gjë që mund të çojë në një mospërputhje mes atyre dhe një pjesëmarrje më të ultë të grave në treg të punës në përgjithësi”, thuhet në raportin e GAP-it.

Sipas këtij raporti, vetëm gjatë prillit të këtij viti në Kosovë, listës së punë kërkuesve të Agjencisë së Punësimit bashkë me 34 zyrat e saj lokale i janë shtuar 32,377 punëkërkues të rinj. “Të dhënat nga Administrata Tatimore e Kosovës tregojnë se industritë të cilat punësojnë më së shumti punëtorë në Kosovë – ajo e tregtisë me shumicë e pakicë, e ndërtimtarisë dhe industrisë përpunuese, shënuan rënie të madhe të punëtorëve gjatë periudhës janar-mars 2020. Përderisa në mars të vitit 2019 në industrinë e tregtisë me shumicë e pakicë punonin rreth 80 mijë persona, në mars 2020 ky numër ra në rreth 43 mijë. Edhe numri i kontributpaguesve në Fondin Pensional të Kosovës (Trust) ka shënuar ulje prej rreth 20 përqind në shumicën e komunave të Kosovës”, thuhet tutje në raport.

GAP tutje ka analizuar se me gjithë lehtësimin e masave kufizuese dhe hapjen graduale të veprimtarive biznesore, raporti vjen në përfundim se tregu i punës nuk mund të kthehet menjëherë në situatën e para-pandemisë. (A. M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik Faton Abdullahu ka komentuar zhvillimet e fundit në…