Instituti GAP: Në vitin 2023 transparenca buxhetore e komunave pati rënie

11 nëntor 2024 | 14:57

Instituti GAP ka publikuar raportin e tetë të tij mbi transparencën buxhetore të komunave në Kosovë.

Sipas njoftimit të GAP-it, ky raport vlerëson transparencën buxhetore bazuar në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë, si dhe përgjigjeve të komunave në kërkesat e institutit GAP për qasje në dokumente publike.

Tutje thuhet se ndryshe nga trendi në tri vitet e fundit, në vitin 2023, transparenca buxhetore e komunave pati rënie, me një mesatare të pikëve prej 57.5.

“Kjo rënie në vitin 2023 është ndikuar në veçanti nga problemet teknike për qasje në ueb-faqet e pesë komunave, si: Skenderaj, Peja, Kamenica, Mitrovica e Jugut dhe Prizreni, për të cilat këtë vit nuk është bërë vlerësim. Kjo është bërë me qëllim që të mos penalizohen këto komuna për shkak të problemeve që nuk varen prej tyre, duke pasur parasysh se menaxhimi i ueb-faqeve të komunave është kompetencë e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI)”, thuhet në njoftimin e GAP-it.

Sipas këtij njoftimi, gjithsej 20 komuna kaluan mesataren e pikëve gjatë vitit 2023, dhe katër komuna arritën maksimumin prej 100 pikësh (Komuna e Drenasit, Vushtrrisë, Lipjanit dhe Hanit të Elezit).

“12 komuna kanë shënuar progres në vlerësimin me pikë krahasuar me vitin paraprak, 16 komuna kanë shënuar regres, ndërsa 5 komuna kanë pikë të njëjta sikur vitin e kaluar. Në total, nga 33 komunat e vlerësuara publikuan 207 dokumente buxhetore. Dokumentet më të publikuara për 2023 ishin raporti vjetor financiar dhe rregullorja për ndarjen e subvencioneve”, ka njoftuar GAP.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim një delegacion të…