Instituti GAP: S’ka rritje ekonomike nga taksa 100% ndaj Serbisë

12 maj 2019 | 13:03

Instituti GAP ka organizuar të dielën konferencë për media ku publikoi raportin “Taksa 100 për qind: a po e ndihmon apo dëmton ekonominë e Kosovës?”.

Ky raport prezanton një vlerësim të efekteve të taksës në prodhimet vendore, çmimet e ushqimit dhe tregtinë me vendet tjera.

Të gjeturat e raportit tregojnë se brenda pesë muajve që nga vendosja e taksës 100 për qind, importet nga Serbia shënuan një rënie prej 88 për qind (160 milionë euro), kurse importet nga Bosnja dhe Hercegovina u zvogëluan për 83 për qind (24 milionë euro). Përfituesit më të mëdhenj gjatë kësaj periudhe ishin Sllovenia, Izraeli dhe Turqia të cilat patën ngritje të madhe të eksportit në Kosovë.

Përkundër rënies së importit nga Serbia dhe Bosnja, deficiti tregtar i Kosovës është rritur. Kjo nënkupton se prodhuesit vendorë nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë mundësitë e taksës siç është menduar.

Të dhënat nuk tregojnë për ndonjë rritje të përshpejtuar të industrisë përpunuese në Kosovë, qoftë sa i përket vëllimit të prodhimit apo gjenerimit të vendeve të reja të punës. “Në anën tjetër, taksa 100 për qind duket të ketë ndikuar në përshpejtimin e rritjes së çmimeve të konsumit në ushqim të cilat përbëjnë shpenzimin kryesor të shportës së konsumatorëve kosovarë.

Ndër arsyet që mund të kenë ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore janë: ulja e konkurrencës në produkte të caktuara, rritja e kostos së lëndës së parë për bizneset vendore dhe rritja e kostos së transportit dhe çmimeve të produkteve të importuara. Në mungesë të produkteve zëvendësuese, për disa prodhime kosovare janë rritur çmimet me hyrjen në fuqi të taksës 100 për qind. Duke marrë parasysh këtë, mbajtja e kësaj takse për një kohë më të gjatë mund të ketë efekte në rritjen e varfërisë”, është theksuar në raportin “Taksa 100 për qind: a po e ndihmon apo dëmton ekonominë e Kosovës?”.

Duke qenë se Kosova dhe Serbia janë nënshkruese të Marrëveshjes për tregti të lirë për Evropën Qendrore (CEFTA) dhe kanë detyrime që t’i anulojnë tarifat tregtare, dhe duke pasur parasysh se zotimi për zbatimin e CEFTA-s është futur edhe në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Instituti GAP rekomandon si mundësi më të mirë për Kosovën rinegocimin e CEFTA-s së bashku me vendet tjera anëtare.

 

Berat Thaqi nga instituti GAP, ka thënë se në dy muajt e fundit kanë analizuar efektet ekonomike nga taksa, ku nuk kanë vërejtur rritje të ekonomisë së vendit. “Kjo taksë e vendosur në nëntor nuk është hartuar mirë. Nuk kemi parë ndonjë përfitim të vendit. Ne e kemi shikuar edhe atë se a rrezikohet marrëveshja e CEFTA-s, dhe a ka mundësi Serbia ta padisë Kosovën.

Kosova nuk e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s, sepse Serbia me themelimin e ushtrisë e ka kërcënuar Kosovën me luftë. Taksa nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendor. Tek çmimet e prodhimeve e konsumit dhe pijeve kemi pasur rritje të shpejtuar. Me hyrjen në fuqi të taksës, shumë biznese i kanë rritur çmimet”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Blend Hyseni ka theksuar se shumica e kontrabandës me produktet nga vendet për të cilat është vendosur tarifa, po bëhet përmes vendeve të rajonit. “Importi i përgjithshëm ka vazhduar të rritet. Vazhdojnë dyshimet se prodhimet e Bosnjës dhe Serbisë po vazhdojnë të hyjnë në Kosovë përmes vendeve rajonale. Nuk ka pasur një efekt në eksporte”, ka thënë Hyseni.

Që nga viti 2008 kur Kosova ka shpallur pavarësinë, Kosova dhe Serbia kanë pasur marrëdhënie të tensionuar tregtare dhe politike. Me gjithë rregullimin e çështjeve të menaxhimit të kufirit dhe anulimin e tarifave tregtare, tregtia mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të pengohet nga barrierat jotarifore dhe tensionet politike.

Me nënshkrimin e CEFTA-s, Kosova ka hyrë në obligime për anulimin e tarifave tregtare, mirëpo për shkak të kërcënimit me luftë nga ana e Serbisë ndaj Kosovës, marrëveshja nuk e ndalon Kosovën që të marrë çfarëdo masa për mbrojtjen e interesit kombëtar, përfshirë edhe vendosjen e tarifave të reja. Që nga vendosja e masës mbrojtëse (nëntor 2018 – mars 2019), importet nga Serbia dhe BiH shënuan rënie drastike. Përkundër rënies së importit nga këto dy vende, deficiti tregtar i Kosovës është rritur.

Të dhënat e Doganës tregojnë se pothuajse vlera e njëjtë e produkteve të importuara nga Serbia dhe BiH vazhdojnë të importohen nga vende tjera, duke mos lënë shumë hapësirë për zëvendësimin e importit nga prodhuesit vendor.

Të dhënat nuk tregojnë për ndonjë rritje të përshpejtuar të industrisë përpunuese në Kosovë, qoftë sa i përket vëllimit të prodhimit apo gjenerimit të vendeve të reja të punës. Të gjitha këto lënë për të kuptuar se prodhuesit vendor nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë mundësitë e taksës siç është paramenduar. Ndërkaq përfituesit më të mëdhenj tregtar gjatë kësaj periudhe duket të jenë shtetet si Sllovenia, Izraeli dhe Turqia.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajredin Kuçi, ka…