Instituti Hidrometeorologjik thotë se Kosova nuk do të preket nga vërshimet

08 tetor 2021 | 16:44

Sipas llogaritjeve të Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), sektori për hidrologji dhe prognoza hidrologjike, nga data 7 – 12 tetor 2021, në tërë territorin e vendit pritet të ketë reshje të shiut me intervale të ndryshuara, të cilat do të jenë të intensitetit të ulët deri mesatarisht të lartë por kryesisht të karakterit lokal, të cilat mund të paraqesin probleme dhe vështirësi lokale, por nuk pritet që të shkaktojnë vërshime sidomos përmbytje lumore.

“Sasia më e lartë e reshjeve gjatë kësaj periudhe pritet të jetë në pjesën P dhe VP (Pejë, Istog, Junik, Deçan, Gjakovë), pastaj V dhe VL (mesatarisht 50 – 150 mm), ndërsa në pjesën L – J 30 – 75 mm, dhe në pjesën qendrore 20 – 50 mm. Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrmetrike në Kosovë, nuk parashihet që të ketë ngritje të theksuara të niveleve dhe prurjeve të ujit, sidomos kur e kemi parasysh situatën e deritanishme e cila ishte përcjell me verën shumë të thatë dhe deficit të lagështisë në tokë, prandaj edhe nuk parashikohet që do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore”, është thënë në njoftimin e IHMK-së.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës moti për këto dy ditë, 9 dhe 10 tetor, do të jetë me shi. “Vranësirat do të vazhdojnë të mbesin kështu të dendura, duke mundësuar të kemi reshje shiu edhe për ditët vijuese. Të martën do të ketë ndërprerje të reshjeve dhe parashihen edhe intervale të shkurta me diell, por sërish nga dita e enjte parashihen reshje, por jo të këtij intensiteti. Në vise malore me lartësi mbi 850 m mbi nivel të detit, temperaturat janë më të ulëta dhe ekzistojnë kushtet që pos shiut të bien edhe fjolla të lehta bore. Për shkak të prezencës së masave ajrore nga drejtimi i veriut dhe verilindjes temperaturat mbeten të ulëta, nën vlerat e mesatareve për muajin që jemi”, ka njoftuar ky institut.

IHMK-ja ka njoftuar se gjatë dy ditëve të ardhshme temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-7 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-13 gradë celsius

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vit pas largimit nga Barcelona, Luis Suarez vijon ta…