Instituti i Historisë “Ali Hadri” reagon lidhur me tekstet e historisë

09 tetor 2020 | 14:04

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me botimin e teksteve të përbashkëta alternative të historisë së popujve të Ballkanit, projekt në të cilin ishin të përfshirë edhe tre studiues nga Kosova.

Instituti i Historisë thekson se në debatet që të cilët po shoqërohen me akuza e kundërakuza, e shohin të arsyeshme të sqarojnë për opinionin e gjerë se asnjëri prej tre historianëve të apostrofuar (Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj) nuk është dërguar nga Instituti.

“Pjesëmarrja e tyre nuk është diskutuar asnjëherë në Këshillin Shkencor të Institutit, andaj edhe nuk kanë pasur ndonjë miratim apo pëlqim nga organet e institucionit edhe pse të apostrofuarit ishin pjesë udhëheqëse e institucionit (dy prej tyre, ish-drejtorë dhe tjetri, sekretar shkencor)”, theksohet në reagimin e këtij instituti.

Reagimi i plotë i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë:

DEKLARATË PËR MEDIA

Lidhur me projektin “Mësimdhënia e historisë bashkëkohore e Evropës Juglindore”, që është realizuar nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore (CDRSEE), me seli në Selanik.

Instituti i Historisë-Prishtinë, këto ditë po ndjekë me shqetësim debatin e fundit në mediume të ndryshme, lidhur me botimin e teksteve të përbashkëta alternative të historisë së popujve të Ballkanit, projekt në të cilin ishin të përfshirë edhe tre studiues nga Kosova. Në këtë debat, i cili po shoqërohet me akuza e kundërakuza, e shohim të arsyeshme të sqarojmë për opinionin e gjerë se asnjëri prej tre historianëve të apostrofuar (Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj) nuk është dërguar nga Instituti. Pjesëmarrja e tyre nuk është diskutuar asnjëherë në Këshillin Shkencor të Institutit, andaj edhe nuk kanë pasur ndonjë miratim apo pëlqim nga organet e institucionit edhe pse të apostrofuarit ishin pjesë udhëheqëse e institucionit (dy prej tyre, ish-drejtorë dhe tjetri, sekretar shkencor).
Pse dhe si janë përzgjedhur nga CDRSEE, pikërisht këta historianë, ne nuk kemi fare njohuri. Instituti i Historisë nuk ka të drejtë ligjore t’ua ndalojë asnjërit prej punonjësve të vet që të marrin pjesë në projekte të ndryshme në cilësinë e ekspertit të pavarur.
Sa i përket përmbajtjes së teksteve, Instituti i Historisë nuk pajtohet me përmbajtjen e tyre. Në këtë kontekst, kërkojmë nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, e në veçanti nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që të kemi një qëndrim të përbashkët.

D R E J T O R
Prof. asoc. dr. Sabit SYLA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Amadi Ikpeze është basketbollisti më i ri që është transferuar…