Instituti i Historisë shënon 55-vjetorin e themelimit
“Instituti i Historisë ka krijuar studiues e historianë të rinj, të cilët kanë arritur të ecin në një hap me kolegët e tyre bashkëkohorë dhe sot punojnë në tematika interesante e atraktive, duke e pozicionuar Institutin edhe në sferën ndërkombëtare të institucioneve shkencore”, kështu ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me rastin e 55-vjetorit të themelimit të Institutit të Historisë.
Ajo ka thënë se sot po shënojmë së bashku një periudhë të gjatë të punës kërkimore e shkencore të njërit prej institucioneve më të vjetra shkencore në Kosovë.
“Ndonëse sot ky Institut ka karakter të një institucioni të studimeve historike kombëtare, atë e shohim si pasuri e projekt kombëtar dhe në të ardhmen e afërt duhet të rritet numri i departamenteve të studimeve, si dhe numri i studiuesve. Sot kemi shumë studiues, historianë, me shkollim e përgatitje adekuate, të cilët do të ishin të aftë të kontribuonin në studimet historike sipas strategjisë së këtij Instituti”.
“Andaj, është koha të flasim edhe për themelimin e departamenteve që në fokus të studimit kanë tema specifike si çështja e luftës, shtetndërtimit e dhunës gjenocidale, pa pasur kufizime vetëm brenda kufijve periodik. Studiuesve të Institutit të Historisë u uroj këtë vit jubilar dhe u dëshiroj punë të mbarë!”, ka thënë ministrja Nagavci.