Instituti i Shëndetësisë diskuton për ndryshimin e ligjit për sëmundjet ngjitëse
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës të martën është mbajtur një takim për të diskutuar për nevojën e ndryshimit të Ligjit për sëmundje ngjitëse në Kosovë.
Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve shëndetësore, Odave të Profesionistëve Shëndetësor, Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, etj., është bërë prezantimi i aspekteve kryesore që e arsyetojnë nevojën për ndryshimin e këtij ligji, zbrazëtirat dhe vështirësitë që i ka pasur në zbatim ligji aktual, si dhe efektet e drejtpërdrejta.
Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Sekretariatit Koordinues të Qeverisë së Kosovës, të cilët janë duke i dhënë asistencë profesionale Grupit punues për hartimin e këtij koncepti dokumenti.
Në proces të hartimit të këtij koncept dokumenti, Grupi punues do ta zhvillojë edhe më tej dokumentin, duke mbajtur në vijim edhe konsultime publike me palët e interesuara dhe palët të cilat ndikohen nga një dokument i tillë.
/Epoka e re/