Instituti IDEA: Popullsia në Maqedoninë e Veriut po plaket dhe po tkurret
Instituti IDEA ka publikuar një raport të numrit të shfrytëzuesve të shtesave për fëmijën e tretë dhe të katërt gjatë periudhës 2013-2023, si dhe natalitetit në përgjithësi në Maqedoninë e Veriut.
Të dhënat tregojnë që popullsia e Maqedonisë së Veriut ka pësuar ndryshime të konsiderueshme në dekadën e fundit, si nga struktura e moshës ashtu edhe për nga përbërja etnike. Si pasojë e natalitetit të ulët dhe migrimti të lartë, popullsia në Maqedoninë e Veriut po plaket dhe po tkurret, ndërsa proporcioni i etnive gradualisht po ndryshon si pasojë e shkallëve të ndryshme të natalitetit tek etnitë përkatëse.
Analiza e të dhënave tregon që një vit pas ndërprerjes së modelit univerzal të shtesave për fëmijën e tretë, pra në vitin 2020, ka rënien më të madhe të fëmijëve të tretë të lindur në Maqedoninë e Veriut edhe atë prej 591 fëmijë apo 22.83% më pak krahasuar me vitin 2019. Prandaj, IDEA kosideron që argumenti që shtesat për fëmijën e tretë nuk kishin ndikim në stimulimin e natalitetit ishte sipërfaqësor meqë nuk merr parasysh efektin potencial që kjo politikë mund të ketë pasur në ngadalësimin e rënies së numrit të lindjeve të fëmijëve të tretë dhe të katërt.