Instituti Italian i Kulturës shtrihet edhe në Prishtinë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në një takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, me të cilin ka diskutuar për shtrirjen e Institutit Italian të Kulturës edhe në Kosovë dhe për organizimin e një koncerti që do të mbahet më 4 qershor për nder të kompozitorit Gioachino Rossini, në 150-vjetorin e vdekjes së tij.
Ministri fillimisht e ka njoftuar ambasadorin italian për paraqitjen e Kosovës në Bienalen e Venedikut, duke e informuar për numrin e madh të vizitorëve që kishte Pavijoni i Kosovës dhe me këtë rast e falënderoi ambasadorin Sardi edhe për ndihmën e ofruar nga ambasada e Italisë.
Ministri Gashi ka thënë se bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Ambasadës së Italisë është shumë i mirë dhe për t’u vlerësuar. “Të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet e përbashkëta që kemi realizuar kanë treguar për një vullnet dhe frymë bashkëpunimi dhe gjithmonë në interes të kulturës”, ka thënë ministri Gashi.
Ndërkaq, ambasadori Sardi i ka shprehur falënderime për mirënjohjen e treguar dhe tha se e mbështesim Kosovën për të qenë e pranishme në ngjarjet e rëndësishme ndërkombëtare dhe pjesëmarrja e Kosovës në Bienale tregon se bashkërisht jemi në rrugë të mbarë.
Sardi e ka njoftuar ministrin Gashi se pas takimit të mëhershëm kur është diskutuar për shtrirjen e Institutit të Kulturës Italiane edhe në Kosovë, si ambasadë e kanë parashtruar kërkesën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe ajo është miratuar. Ambasada e ka njoftuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Ambasadori ka kërkuar nga ministri që të formalizohet kjo nismë dhe shtrirja e Institutit të Kulturës Italiane që ndodhet në Tiranë të bëhet realitet edhe në Kosovë, gjë e cila do të mundësonte që ngjarjet kulturore që mbahen në Tiranë, të shtrihen edhe në Prishtinë.
Ministri Gashi ka thënë se plotësisht është i gatshëm për të filluar procedurat për zyrtarizimin e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor edhe në Kosovë. “Personalisht si ministër dhe stafi i MKRS-së do të angazhohemi maksimalisht për ta jetësuar sa më shpejtë idenë e shtrirjes së këtij institucioni edhe në Prishtinë dhe për këtë do të nënshkruajmë edhe një memorandum bashkëpunimi”, është shprehur Gashi.
Ministri e ambasadori diskutuan edhe për koncertin që do të organizohet për nder të kompozitorit Rossini, me ç’rast ministri Gashi me kënaqësi do të marrë pjesë në këtë ngjarje.
/Epoka e re/