Instituti për Siguri dhe Reziliencë: Grupet etno-nacionaliste – burimet kryesore të terrorizmit në Kosovë
Instituti për Siguri dhe Qëndrueshmëri-PREVENT ka publikuar një raport hulumtues që nxjerr në pah kërcënimet në zhvillim të terrorizmit në Kosovë dhe në rajonn. Raporti, i titulluar “Rreziqe të padukshme: Transformimi i shkaktarëve të terrorizmit në Kosovë dhe rajon”, paraqet disa gjetje kritike që nënvizojnë dinamikën e ndryshimit të kërcënimeve terroriste në Kosovës si pasojë e pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit dhe mospajtimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Këta faktorë sipas gjetjeve në raport kanë ndryshuar peizazhin e kërcënimeve të sigurisë në mbarë botën, duke përfshirë Kosovën dhe Ballkanin.
“Si shkak i përhapjes së krizave dhe konflikteve të reja në botë, partnerët strategjikë dhe aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët për një kohë të gjatë kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e Kosovës dhe rajonit për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, tani fokusin e tyre politik, ushtarak dhe financiar gradualisht po e zhvendosin në rajone të ndryshme të krizave globale”, thuhet në gjetjet e raportit.
Sipa raportit, zhvendosja e fokusit të partnerëve strategjikë të Kosovës në kriza tjera globale ka lënë një vakum të shfrytëzuar nga Rusia, Serbia dhe Irani.
Këto vende po rrisin ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, duke hapur potencialisht rrugën për konflikte të reja që synojnë minimin e ndikimit perëndimor, theksohet në raport.
“Ky vakum i krijuar po shfrytëzohet nga vende si Rusia, Serbia dhe Irani, të cilët po forcojnë ndikimin e tyre në rajon, duke synuar të krijojnë një terren të përshtatshëm për përhapjen e një fronti të ri të konfliktit në Ballkanin Perëndimor, me qëllimin kryesor për të minuar rolin dhe ndikimin e Perëndimit në këtë pjesë të Evropës”, thuhet aty.
Raporti thekson se krahasuar me vitet e kaluara kur kërcënimet kryesore nga terrorizmi në Kosovë vinin kryesisht nga organizatat terroriste si ISIS, tani trendi ka ndryshuar ku grupet terroriste me motive etno-nacionaliste dhe të djathta ekstreme janë bërë burimi kryesor i terrorizmit.
Raporti vë në dukje mbështetjen e fortë financiare që këto grupe marrin nga krimi i organizuar dhe rrjetet e kontrabandës në veri të Kosovës dhe Serbisë, e përforcuar më tej nga mbështetja e drejtpërdrejtë nga strukturat e sigurisë shtetërore serbe.
“…në Kosovë ka një rritje të madhe të elementeve terroriste dhe ekstremiste të motivuara nga etno-nacionalistë dhe të ekstremit të djathtë, të mbështetur nga autoritete shtetërore dhe joshtetërore si Rusia dhe Serbia. Si Rusia ashtu edhe Serbia kanë mbështetur dhe financuar krijimin e organizatave terroriste si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat kanë kryer sulme të armatosura kundër popullsisë civile serbe dhe shqiptare dhe institucioneve të sigurisë vendore e ndërkombëtare, duke rezultuar në të vrarë dhe të plagosur në mesin e qytetarëve civilë dhe pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet më tej. /Nacionale