“Instrumentalizimi i Policisë”, drejtori Hoxha flet për kritikat e SHBA-së
Institucionet paralele të mbetura i mbyllën pasi pranuan urdhërat, por për zbatimin e tyre, mund ta pësojë edhe Policia e Kosovës.
Për veprime të pakoordinuara, Qeveria amerikane deklaroi se për ekzekutivin kosovar e dikasteret, me theks tek ministria që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, do të ketë pasoja.
“Instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.”, thuhet ne reagimin e ShBA-së.
Gjatë ditës, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, që ka marrë pjesë në aktivitete sportive në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të themelimit të institucionit që udhëheq, pyetjet për këtë çështje i ka marrë me po aq sportivitet.
Zgjidhja, sipas Hoxhës, do të gjendet nga Ministria e ekzekutivi.
“Është çështje që ka për t’i zgjidhur Ministria dhe Qeveria e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Televizioni ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga zyrtarë të MPB-së e Qeverisë për këtë çështje, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur gjatë ditës.
Por ata që dikur uleshin në karriget e MPB-së, thonë se ky paralajmërim nënkupton ndërprerje të bashkëpunimeve.
Hoxha vlerëson se në mungesë serioziteti, Policia e Kosovës do të mbesë pa mbështetje nga ana e SHBA-së.
Aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndodhet kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj bashkë me ekipin e tij, ku kanë marrë pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Kombëtare të Hetimeve të Brendshme në Ëashington.
Zyrtarë të ICITAP, programi i Departamentit amerikan të Drejtësisë, i shoqërojën zyrtarët e IPK-së atje, ndërsa në vazhdimësi përveç këtij institucioni, i kanë ndihmuar në forma të ndryshme edhe Policinë e Kosovës.