Instrumentalizimi i procesit gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së po dëmton rëndë Kosovën

19 nëntor 2020 | 14:24

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se instrumentalizimi politik i proceseve gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së është duke e dëmtuar rëndë Kosovën.

Ky reagim i Hoxhajt ka ardhur pas akuzave të fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ndaj Lulzim Bashës.

Sipas Hoxhajt, një veprim i tillë nuk iu ndihmon as Thaçit e të tjerëve që gjenden në Hagë.

“Akuzat që janë gatuar nga kundërshtarët e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe Rusia, nuk duhet të na gjej të përçarë e të papërgatitur. Prandaj instrumentalizimi politik i proceseve gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së, për politikë ditore partiake, pavarësisht në Kosovë, Shqipëri e diku tjetër, nuk i shërben aspak Kosovës, përkundrazi, e dëmton rëndë atë. Nuk i ndihmon as shokët tonë në Hagë!”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Hoxhajt:

Pas zhvillimeve të fundit me ngritjen e aktakuzës ndaj ish udhëheqësve të luftës çlirimtare, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, është momenti për reflektim dhe solidarizim me ta, familjet e tyre dhe popullin e Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë së dhimbshme të kombit tonë, që sot mbush me krenari çdo shqiptar dhe që bëri Ballkanin një rajon më të drejtë e më paqësor.

Kosova sot është në ditët e saj më të vështira duke u përballur me përpjekjet shumëvjeçare të Serbisë për të njollosur luftën tonë për liri e cila përbën themelin e shtetit tonë. Për më tepër, që Serbia jo vetëm që nuk është distancuar nga krimet e kryera por ende mban fshehur fatin e të zhdukurve të Kosovës, fakt i hidhur ky që u rikthye në vëmendje këto ditë prej gjetjes së mbetjeve mortore në Kizhevak, afër Rashkës.

Akuzat që janë gatuar nga kundërshtarët e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe Rusia, nuk duhet të na gjej të përçarë e të papërgatitur.

Prandaj instrumentalizimi politik i proceseve gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së, për politikë ditore partiake, pavarësisht në Kosovë, Shqipëri e diku tjetër, nuk i shërben aspak Kosovës, përkundrazi, e dëmton rëndë atë.

Nuk i ndihmon as shokët tonë në Hagë!

Të gjendur përballë kësaj situate kritike e të rëndë, unë bëj thirrje për vetëdije të lartë patriotike, solidaritet e unitet të mbarë faktorit politik shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në trojet e tjera shqiptare. Historia e ka dëshmuar që shqiptarët ia kanë dalë t’i tejkalojnë sfidat e sulmet vetëm kur kanë qenë të bashkuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka mohuar se është…