Integrimi në BE, rruga e vetme e Kosovës

09 maj 2018 | 15:41

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë të martën se Kosova ka qenë, është dhe mbetet pjesë e pandashme e vlerave evropiane.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, me rastin e Ditës së Evropës, ajo ka deklaruar se procesi integrues euroatlantik është prioritet kombëtar i shtetit tonë.

“Aktivitetet për Ditën e Evropës dërgojnë një mesazh te opinioni vendor e ndërkombëtar, se prioriteti ynë kombëtar është procesi integrues euroatlantik dhe se kjo është rruga jonë e vetme, dje, sot, nesër. Kështu, këto tri ditë e bëjmë të qartë se kemi qenë, jemi dhe mbesim pjesë e pandashme e vlerave evropiane”, është shprehur ajo, duke shtuar se institucionet janë duke punuar për ta ofruar Kosovën me Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Hoxha ka thënë se vendimi final varet nga vendet evropiane dhe vullneti i tyre. “Ne po punojmë maksimalisht që Kosova të jetë sa më afër familjes evropiane. Kemi rezultate, të arritura dhe suksese. Fillimisht synojmë ta arrijmë liberalizimin e vizave, ndërsa zbatimi i mëtejmë i rekomandimeve, si zbatimi i MSA-së, përmbyllja e Agjendës Evropiane të Reformave dhe reformat ekonomike, do të sjellin nivelin e ri të marrëdhënieve tona me BE-në, lehtësimin e proceseve që çon në integrimin e vendit tonë në BE”, ka theksuar ajo.

Ministrja Hoxha ka bërë me dije se pret vlerësim pozitiv nga Brukseli, duke shprehur optimizëm se brenda këtij viti qytetarët do të lëvizin pa viza në Evropë. “Ky komision faktmbledhës është i rëndësishëm për vlerësimin e të arriturave tona në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne sigurisht se kemi ndërmarrë të gjitha veprimet që të përmbushet kjo kërkesë, andaj presim nga Brukseli vlerësim pozitiv. Prandaj, presim që liberalizimi i vizave të bëhet këtë vit”, ka deklaruar ajo. Hoxha ka vlerësuar se çështjet që kanë të bëjnë me procesin integrues deri më tani kanë dëshmuar unitet të lartë në Qeveri, në Kuvend si dhe në nivelet e tjera të institucioneve qendrore e lokale.

“Epoka e re”: Znj. Hoxha, ministria që ju drejtoni, me rastin e Ditës së Evropës, për tri ditë rresht do të organizojë disa aktivitete. Çfarë aktivitetesh do të jenë këto dhe cili është qëllimi i tyre?
Hoxha: Aktivitetet për Ditën e Evropës dërgojnë një mesazh te opinioni vendor e ndërkombëtar, se prioriteti ynë kombëtar është procesi integrues euroatlantik dhe se kjo është rruga jonë e vetme dje, sot dhe nesër. Aspektet simbolike e përcjellin këtë agjendë treditore. E kemi filluar nga Universiteti ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, ku kam bashkëbiseduar me studentët për programet e arsimimit superior, në veçanti për programin Erasmus +. Kemi vijuar me ekspozitën e grave ndërmarrëse, të cilat me duart e tyre të arta sjellin frymën jo vetëm të ndërmarrësisë së grave, por edhe të vlerave të punëdoreve të tyre. Këtu veçoj gratë e minatorëve dhe Qendrën për të Drejtat e Grave, si dy ilustrime të grave tona, të cilat sjellin edhe pasurinë tonë nga tradita. Dita e parë vijon me koncertin e shkollave të mesme të muzikës të vendit tonë ku në spikamë vihet talenti i këtyre të rinjve që në mënyrën më të mirë prezantojnë dijen, pasionin dhe vlerat bashkëkohore muzikore. Pastaj kemi zhvilluar bashkëbisedimin me studentë në Bibliotekën Kombëtare për të vijuar me shpërblimet për nxënësit dhe gazetarët me temën e procesit integrues. Kështu, këto tri ditë e bëjmë të qartë se kemi qenë, jemi dhe mbesim pjesë e pandashme e vlerave evropiane.

“Epoka e re”: Sa është afër Kosova në proceset integruese që të jetë pjesë e familjes evropiane?
Hoxha: Ne po punojmë maksimalisht që Kosova të jetë sa më afër familjes evropiane. Kemi rezultate, të arritura dhe suksese. Fillimisht synojmë ta arrijmë liberalizimin e vizave, ndërsa zbatimi i mëtejmë i rekomandimeve, si zbatimi i MSA-së, përmbyllja e Agjendës Evropiane të Reformave dhe reformat ekonomike, do të sjellin nivelin e ri të marrëdhënieve tona me BE-në, lehtësimin e proceseve që çon në integrimin e vendit tonë në BE. Ne sigurisht jemi përgjegjësit kryesorë në këto procese, por edhe një pjesë e përgjegjësisë varen nga faktorët e jashtëm, nga vendet anëtare të BE-së dhe vullneti i tyre.

“Epoka e re”: Këto ditë ka qëndruar në Kosovë një delegacion i Komisionit faktmbledhës të Bashkimit Evropian (BE) për vizat. Cili ishte mesazhi i tij për punën e institucioneve për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe kur pritet të jepet rekomandimi për vizat?
Hoxha: Ky komision faktmbledhës është i rëndësishëm për vlerësimin e të arriturave tona në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne sigurisht se kemi ndërmarrë të gjitha veprimet që të përmbushet kjo kërkesë, andaj presim nga Brukseli vlerësim pozitiv. Reforma e kërkuar dhe krijimi i kushteve për ngritjen e efikasitetit të gjyqësorit është pjesa jonë e punës si kabinet qeveritar, ndërsa puna e gjyqësorit është e pavarur dhe ne aty nuk mund të ndikojmë, sepse një nga vlerat e BE-së është pavarësia e gjyqësorit. Prandaj, presim vlerësim pozitiv si dhe presim që liberalizimi i vizave të bëhet këtë vit.

“Epoka e re”: Cili është koordinimi i pozitës me opozitën për zbatimin e reformave nga agjenda evropiane?
Hoxha: Komisionet parlamentare përbëhen nga pozita dhe opozita, që merret me vlerësimin e procesit dhe shtyrjen e këtij procesi brenda kompetencave të veta. Vlerësoj lart këtë bashkëpunim dhe evidentim të çështjes së reformave si prioritet nacional, procesin integrues dhe veprimeve që çojnë përpara këtë proces. Konsideroj se procesi integrues i bashkon të gjithë, pa dallim, pozitë dhe opozitë, parti parlamentare e joparlamentare. Konsideroj se çështjet që kanë të bëjnë me procesin integrues kanë dëshmuar unitetin më të lartë jo vetëm në Qeveri, por edhe në Kuvend si dhe në nivelet e tjera të institucioneve qendrore e lokale.

“Epoka e re”: Ministre, para kabinetit qeveritar keni prezantuar rekomandimet kryesore të Raportit për Kosovën të Komisionit Evropian, duke adresuar çështjet dhe nga duhet vepruar intensivisht për të arritur progres që të njëjtat mos të përsëriten në raportin e radhës. Dihet se një numër i madh i rekomandimeve do të adresohet përmes zbatimit të Programit për MSA dhe Agjendës Evropiane të Reformave. Sa do të mund të plotësohen këto rekomandime nga ministritë të cilat janë pjesë e këtyre rekomandimeve?
Hoxha: Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me baza të rregullta të raportimit, duke shtyrë përpara agjendën e rekomandimeve, duke e vënë si prioritet kombëtar këtë proces. Rekomandimet janë të përballueshme për t’u zbatuar, por gjithsesi dinamizimi duhet shtuar, duhet aftësuar një sërë mekanizmash që japin rezultate të dëshirueshme për MSA-në, por edhe reformat e tjera. Përkushtimi ynë është i fuqishëm dhe nuk kemi rast tjetër për ta dëshmuar vendosmërinë tonë për procesin integrues. Konsideroj se rekomandimet janë marrë shumë seriozisht nga të gjithë faktorët relevantë institucionalë, andaj besoj fort se do të kemi sukses, sepse duam të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane dhe vlerave të saj. Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbesim pjesë e vlerave euroatlantike. Këtë e di secili qytetar, këtë e do secili qytetar, gjithsesi edhe çdo nivel i institucionit, andaj nuk kemi çfarë presim, përpos t’i zbatojmë rekomandimet dhe t’i shtyjmë përpara proceset që na bëjnë pjesë të këtyre vlerave.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Jakup Krasniqi Nuk do të zgjatem në fenomenin e…