Integriteti i procesit të prokurimit publik në komuna vazhdon të jetë i cenueshëm

17 mars 2021 | 16:35

Iniciativa për Progres (INPO) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) të mërkurën përmes një konference për medie kanë publikuar dy raporte të monitorimit të Prokurimit Publik në komuna.

Raporti “Planifikimi i Prokurimit në Komuna”, përmban gjetjet dhe rekomandimet rreth planifikimit të prokurimit publik në 20 komuna të Republikës së Kosovës.

Monitorimi i planifikimit të prokurimit publik në komuna, ka përfshirë analizimin e planeve të prokurimit për vitin fiskal 2020, të komunave të fokusit, duke analizuar nëse të njëjtat plotësojnë kërkesat ligjore për hartimin e tyre.

Analiza ka përfshirë mesatarisht pesë aktivitete të prokurimit të kategorisë punë dhe pesë aktivitete për furnizime.

Hulumtuesja e INPO-s, Samire Sahiti, gjatë prezantimit të raportit ka thënë se në kuadër të hulumtimit, fillimisht është analizuar planifikimi sa i përket aktiviteteve për punë, përkatësisht është analizuar nëse vlera e aktiviteteve të planifikuara për punë a përputhet me kapacitetin buxhetor që komunat kanë në dispozicion. Gjetjet tregojnë se sa i përket aktiviteteve për punë, përveç Komunës së Kamenicës, Mitrovicës së Veriut, Vitisë dhe Gllogocit, komunat tjera kanë planifikuar të shpenzojnë shumë më shumë sesa që kanë buxhet në dispozicion. Kryesisht këto dallime të mëdha janë pasojë e asaj se komunat dështojnë që në plane të prokurimit të saktësojnë që projekti është me kohëzgjatje një, dy apo më shumë vjeçar.

Ajo ka thënë se komunat kanë inicuar aktivitete për punë në vlerë më të madhe se sa ajo që është planifikuar për aktivitete. Kjo dukuri e mosrespektimit të planit të prokurimit vërehet tek të gjitha komunat e monitoruar, përjashtuar Komunën e Mitrovicë së Jugut, Deçanit, Gjakovës, Mitrovicë e Veriut,Vushtrrisë dhe Leposaviqit.

Ndërkaq sa i përket planifikimit të aktiviteteve të prokurimit për kategorinë furnizim, gjetjet e raportit tregojnë se asnjë nga komunat e monitoruara nuk kanë përmbushur kërkesat dhe standardet ligjore për planifikim.

Ndërkaq, Qëndrim Arifi, gjatë prezantimit të raportit “Raporti i monitorimit të aktiviteteve të prokurimit publik në komuna” ka pohuar se raporti përmban një mori gjetjesh të cilat i karakterizojnë shumicën e komunave të monitoruara dhe gjetje të tjera të veçanta që janë karakteristikë e vetëm një komune.

Gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e këtij raporti janë bërë nga monitorimi i 81 aktiviteteve të prokurimit, respektivisht 41 aktivitete të prokurimit janë monitoruar nga faza e inicimit e deri te nënshkrimi i kontratës dhe 40 aktivitete të menaxhimit. Monitorimi përfshinë 20 komuna të Republikës së Kosovës. Secilës komunës mesatarisht i janë monitoruar dy aktivitete të prokurimit nga faza e inicimit deri të nënshkrimi i kontratës dhe dy aktivitete të menaxhimit të kontratave, përkatësisht nga faza e nënshkrimit deri në përfundim të implementimit të kontratës. “Në përgjithësi gjetjet tregojnë se integriteti i procesit të prokurimit publik në komunat e Kosovës vazhdon të jetë i cenueshëm. Diskriminimi apo trajtimi jo i barabartë i OE-ve si rezultat vendosjes së kritereve diskriminuese në dokumentet e tenderit, të cilat krijojnë pabarazi dhe kufizim të konkurrencës vazhdon të jetë problem kryesor në komuna”, ka thënë Arifi.

Në këtë konferencë u rekomandua që komunat të punojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe proaktive në ngritjen e transparencës, mbi mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e të gjithë zyrtarëve të përfshirë në procedura të prokurimit publik, të cilët haptas veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik sa i përket, planifikimit të prokurimit, afateve për tenderim, aplikimin e kritereve kufizuese/diskriminuese dhe të tjera veprime që e cenojnë në çfarëdo forme integritetin e proceseve të prokurimit publik.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i zgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti,…