Integriteti politik në Kosovë, lënë për të dëshiruar regjistri i zyrtarëve publikë dhe mënyrat e votimit të deputetëve

28 shtator 2023 | 11:50

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë një hulumtim rreth integritet politik në Kosovë.

Ky hulumtim që është realizuar duke përdorur metodologjinë e Transparency International, bazohet në tregues si regjistrat e zyrtarëve publikë, deklaratat e pasurisë së tyre, raportet financiare të partive politike, buxhetin dhe shpenzimet e qeverisë, prokurimin publik, transkriptet e votave të deputetëve të Kuvendit dhe regjistrat e bizneseve.

“Në vitin 2018, Ministria e Financave lansoi portalin e transparencës me fokus buxhetin dhe shpenzimet e qeverisë. Fatkeqësisht, kjo platformë ka mbetur në harresë që nga viti 2021, duke e bërë atë të papërdorshme si një burim aktual. Tutje, vlerësimi zbulon ekzistencën e burimeve të të dhënave të qasshme dhe pa kosto nga publiku në lidhje me buxhetin publik (në formën e dokumenteve ligjore duke përfshirë tabelat) dhe shpenzimet e qeverisë (raportet financiare). Megjithatë, këto burime të dhënash janë ekskluzivisht të disponueshme në formatin PDF”, ka njoftuar IKD-ja.

Më tutje, KDI-ja ka theksuar se së fundi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka iniciuar publikimin e raporteve financiare të partive politike në faqen e tyre zyrtare.

“Megjithatë, këto burime të dhënash paraqiten në formën e imazheve të skanuara, duke i bërë ato mjaft sfiduese për t’u ripërdorur ose analizuar në mënyrë efektive. Dy aktivitetet me performancë më pak të kënaqshme janë ato për regjistrin e zyrtarëve publikë dhe mënyrës së votimit të deputetëve. Sidoqoftë, dy aktivitetet publike që shfaqin performancën më pak të kënaqshme janë ato që lidhen me regjistrin e zyrtarëve publik dhe të dhënat për mënyrën si kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës. Publikimi më i fundit i regjistrit të zyrtarëve publik daton në vitin 2018. Gjithashtu, që nga viti 2019, pajisjet elektronike të votimit brenda institucionit të Kuvendit kanë qenë jofunksionale, duke pamundësuar kështu nxjerrjen e të dhënave për mënyrën e votimit individual të secilit deputet gjatë tre viteve të fundit”, ka njoftuar KDI-ja.

Sipas KDI-së, kjo analizë rendit prokurimin publik si aktivitetin publik me disponueshmërinë më të lartë e të dhënave në format të hapur me 10.5 pikë, deklarimi i pasurisë, regjistri i bizneseve dhe raportet e shpenzimeve të qeverisë me nga 8.5 pikë secila, pasuar nga raportet financiare të partive politike me 8 pikë, buxheti i Kosovës me 7.5 pikë, regjistrin e zyrtarëve publik me 1 pikë dhe 0 pikë për disponueshmërinë e transkriptit të votimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një minutë…