Të premten, më 6 janar, Cikotiq i dërgoi një letër komandantit të EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë, Anton Wessely, në të cilën ai paralajmëron kërcënimet e sigurisë në lidhje me përkujtimin e 9 janarit në zonën e Sarajevës.
Në letër, ai deklaroi se informacioni i disponueshëm nga strukturat e inteligjencës dhe sigurisë tregonte “prani të mundshme të disa grupeve radikale dhe ekstremiste nga entiteti i Republikës Serbe, Serbisë dhe Rusisë”.
Ai ka kujtuar edhe reagimet e shoqatave të veteranëve në kantonin e Sarajevës, të cilët e konsiderojnë këtë ngjarje të papranueshme, duke qenë se festimi i kësaj date është shpallur jokushtetues.
Cikotiç tha se ai pret që “EUFOR të marrë masa për të siguruar funksionimin ligjor dhe kushtetues të të gjitha institucioneve, si dhe paqen dhe sigurinë në Bosnje Hercegovinë”, thuhet në deklaratë.
“Kam paralajmëruar për praninë e tyre sepse besoj se është më mirë të parandalohet, e ndoshta të mos u lëmë disa organizatave qytetare që të vendosin rendin. EUFOR-i ka rritur monitorimin e situatës në atë zonë”, theksoi ai.
Autoritetet e Republikës Serbe festojnë 9 janarin, datën kur në Sarajevë në vitin 1992 Kuvendi i atëhershëm i Popullit Serb, miratoi Deklaratën për Shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnje e Hercegovinës si entitet i pavarur brenda Bosnjë-Hercegovinës.
Qëllimi ishte që ajo pjesë e Bosnjë-Hercegovinës t’i aneksohej Jugosllavisë, e cila në atë kohë po shpërbëhej.