Intelektualë të Diasporës Shqiptare: Në Beograd i gjeni kriminelët, jo në Prishtinë
Nëpërmjet një deklarate, disa intelektualë shqiptarë nga diaspora, kanë shprehur shqetësimet me zhvillimet e fundit në Kosovë, për pretendimet për aktakuzë, ndaj dy prej personaliteteve kryesore të luftës e të paqes, në Ballkan, nga një Prokurori Speciale ndërkombëtare.
Në Deklaratë ceket se e vërteta për historinë e popullit shqiptar, nuk mund të deformohet dhe as të tjetërsohet nga ata që pretendojnë për t’i barazuar viktimat me kryesit e krimeve serbe! Kosovën, nuk mund ta dobësojë askush dhe të ardhmen e saj euroatlantike, nuk mund ta devijojë dhe as ta ndalë asnjë përpjekje.
Intelektualët, autorë të kësaj deklarate, bëjnë thirrje për unitet në mes të njerëzve dhe bashkërendim të angazhimeve, ndërmjet partive politike për ta ruajtur shtetin e Kosovës, vlerat e luftës dhe pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata kanë kërkuar nga qytetarët të mos solidarizohen individë apo grupe politike, me vullnetin e përpjekjet e regjimit racist serbo-rus.
Ja deklarata:
- Ne, shqiptarët e Diasporës, nisur nga kontributi i jashtëzakonshëm, që kanë dhënë shumë patriotë shqiptarë e shoqata për shumë dekada në Evropë, Amerikë, Kanada e Australi, për lëvizjet kombëtare e luftën për liri të Kosovës, jemi thellësisht të shqetësuar me zhvillimet e fundit në Kosovë! Pretendimet për aktakuzë, ndaj dy prej personaliteteve kryesore të luftës e të paqes, në Ballkan, nga një Prokurori Speciale ndërkombëtare, 8 vite pas themelimit të saj, jo vetëm që janë politike, por kanë një qëllim edhe më të rëndë – njollosjen e luftës së drejtë për liri dhe shtetin e pavarur të Kosovës, që u pranuan dhe u përkrahën nga vendet më të zhvilluara të botës demokratike, SHBA-së e BE-së.
- Nisur nga nevoja kombëtare dhe në mbështetje të shtetit të Kosovës, e konsideron të papranueshme çfarëdo përpjekje për ta dënuar luftën mbrojtëse dhe të drejtë të UÇK-së. Rezistenca e armatosur me në krye UÇK-në, dhe kontributi i jashtëzakonshëm i shqiptarëve të diasporës në mbështetje të kësaj lufte, janë e arritura më e madhe e kombit shqiptar në shekullin e kaluar! Si të tillë, ne zotohemi e angazhohemi se nuk do ta lejojmë të nëpërkëmbet asnjë vlerë kombëtare, sikurse që është tani, UÇK-ja.
- Konfirmojmë qëndrimin tonë dhe bindjen e paluhatshme, se lufta mbrojtëse e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-s, ishte luftë e drejtë dhe e pastër, për çlirimin e Kosovës, kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit, forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë.
- Vlerësojmë të paprecedent veprimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për të publikuar njoftimin për një aktakuzë të pakonfirmuar nga Gjyqtari i procedurës paraprake ndaj dy prej liderëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe kryetarit të z. Kadri Veseli.
- Shprehim shqetësimin se ky veprim i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përbën edhe shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe është në kundërshtim të plotë me parimin themelor të drejtësisë, atë të prezumimit të pafajësisë, i cili është një vlerë fundamentale në shoqëritë evropiane, ku ne jetojmë.
- Ritheksojmë, se lufta mbrojtëse e UÇK-së, ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përherë e tillë! Ajo, nuk mund të njolloset, asnjëherë. Bashkësia ndërkombëtare, duhet ta çmojë lart bashkëpunimin e institucioneve kosovare dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së, me institucionet dhe drejtësisë ndërkombëtare, përgjatë këtyre njëzet vjetëve, përfshirë Dhomat e Specializuara. Në gjithë këto procese është dëshmuar pastërtia e luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi.
- Njohim dhe vlerësojmë lart sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga NATO, e të udhëhequr nga SHBA-të dhe aleatët e saj kryesorë miqtë evropianë si; Gjermania, Anglia, Franca, Italia dhe të tjera, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Solidarizohemi dhe shprehim njëzëri mbështetjen e plotë për presidentin e shtetit z. Hashim Thaçi dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës z. Kadri Veseli, të cilët janë ndër themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shprehim besimin e palëkundur për pafajësinë e tyre.
- I konsiderojmë përpjekje të padrejta dhe të rrezikshme, por të parealizueshme, tendencat për ta kriminalizuar luftën e drejtë dhe të lavdishme të popullit shqiptar të Kosovës, për liri dhe pavarësi. Kundërshtojmë çfarëdo përpjekje për ta etiketuar UÇK-në si agresore dhe, anashkalimin e krimeve dhe gjenocidit të shtetit, ushtrisë e policisë raciste serbe, nga Gjykata Speciale.
- E vërteta për historinë e popullit shqiptar, nuk mund të deformohet dhe as të tjetërsohet nga ata që pretendojnë për t’i barazuar viktimat me kryesit e krimeve serbe! Kosovën, nuk mund ta dobësojë askush dhe të ardhmen e saj euroatlantike, nuk mund ta devijojë dhe as ta ndalë asnjë përpjekje.
- Në emër të disa intelektualëve të Diasporës, bëjmë thirrje për unitet në mes të njerëzve dhe bashkërendim të angazhimeve, ndërmjet partive politike për ta ruajtur shtetin e Kosovës, vlerat e luftës dhe pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të mos solidarizohen individë apo grupe politike, me vullnetin e përpjekjet e regjimit racist serbo-rus, sepse arrestimi i dy liderëve politikë të Kosovës, e konteston luftën e drejtë të UÇK-së dhe shtetin e Kosovës!
Jo në Prishtinë, por në Beograd i gjeni kriminelët, të cilët kanë bëre: dhunime, plaçkitje, vrasje, terror dhe gjenocid në Kosovën martire.
14.07.2020 – Gjermani Në emër të disa intelektualeve të Diasporës Shqiptare