Intelektualët shqiptarë në Australi kërkojnë kthimin e Hajdin Abazit si ambasador

25 qershor 2021 | 12:10

Intelektualët shqiptarë në Australi përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë kërkuar kthimin e Hajdin Abazit ambasador në Australi.

“Akti i shkarkimit të menjëhershëm të një numri të madh të ambasadorëve është shqetësues dhe disi po i zbeh shpresat se vërtetë po shkohet drejt ndryshimeve të pritura. Veçanërisht, ndërprerja përgjysmë e mandatit të ambasadorit të Kosovës në Australi z. dr. Hajdin Abazi, na bënë të ndërgjegjshëm që t’i drejtohemi me këtë letër lidershipit të Kosovës me shpresën se shqetësimi ynë do të kuptohet drejtë. Ne nuk kemi për qëllim të flasim për kontributin e dr. Abazit i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Por duam të potencojmë se binomi Richard Holbrook-Lum Haxhiu, është ikona më e çmueshme e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Kjo ikonë, simbol i miqësisë dhe unitetit “ShBA-Kosovë”, duhet të skalitet në një nga ballinat kryesore në objektin e Qeverisë së Kosovës dhe do shërbejë si një udhërrëfyes për gjeneratat e reja”, thuhet në këtë letër.

“Një përkushtim dhe aktivitet i palodhshëm i dr. Abazit për shfrytëzimin e potencialit ekonomik dhe intelektual në shërbim të atdheut, na obligon moralisht dhe kombëtarisht ta shprehim përkrahjen tonë ndaj tij. Mbesim me shpresë se kërkesa jonë do të merret parasysh, ashtu që Dekreti i Presidentes të rishqyrtohet dhe dr. Hajdin Abazit të mos i ndërpritet mandati përgjysmë. Një vendim i tillë do të ishte një zgjidhje racionale në të mirën e diplomacisë kosovare dhe kombit shqiptar në përgjithësi”, thuhet në letrën e intelektualëve shqiptarë në Australi.

Letra e plotë:

“Një qeveri që të hapë udhë e të vështron mirë,…!”

(Letër e hapur e disa intelektualëve shqiptarë me banim në Australi…)

Të nderuar presidentja e Republikës së Kosovës (zonja Vjosa Osmani), kryeministër (zoti Albin Kurti) dhe ministrja e Punëve të Jashtme (zonja Donika Gërvalla).

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë në shkurt të këtij viti u pritën me entuziazëm nga populli, veçanërisht nga diaspora, me shpresën se do të ketë ndryshime progresive. Ne si intelektual (në Australi), prisnim se nga këto zgjedhje do të vinte një Qeveri e cila do “hapë rrugë për një epokë të re”.
Një rrugë e mbarë e qeveritarëve tanë, do t’i rikthejë dinjitetin rinisë sonë dhe do ta ndalë emigracionin i cili është shndërruar në “një mortajë” të cilës ende nuk po i shihen fundi.
Por akti i shkarkimit të menjëhershëm të një numri të madh të ambasadorëve është shqetësues dhe disi po i zbeh shpresat se vërtetë po shkohet drejt ndryshimeve të pritura. Veçanërisht, ndërprerja përgjysmë e mandatit të ambasadorit të Kosovës në Australi z. dr. Hajdin Abazi, na bënë të ndërgjegjshëm që t’i drejtohemi me këtë letër lidershipit të Kosovës me shpresën se shqetësimi ynë do të kuptohet drejtë.
Ne nuk kemi për qëllim të flasim për kontributin e dr. Abazit i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Por duam të potencojmë se binomi Richard Holbrook-Lum Haxhiu, është ikona më e çmueshme e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Kjo ikonë, simbol i miqësisë dhe unitetit “SHBA-Kosovë”, duhet të skalitet në një nga ballinat kryesore në objektin e Qeverisë së Kosovës dhe do shërbejë si një udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
Dr. Abazi është njeri i cili gjatë veprimtarisë së tij çdo herë e ka zgjedhur rrugën e duhur për të bërë ndryshime progresive në të mirë të atdheut. Ai është zyrtari parë i cili porsa erdhi në Australi, hapi një kapitull të ri duke krijuar kontakte të rregullta me të gjitha organizatat, shoqatat, dhe grupet e organizuara shqiptare. Respekt të veçantë tregoi ndaj shkollarëve dhe brezin e ri. Në takimet formale dhe joformale me bashkatdhetarët, sidomos me biznesmenët e suksesshëm dhe intelektualët shqiptarë, dr. Abazi shtroi idenë e krijimit të lidhjeve funksionale në mes të diasporës dhe vendlindjes. Temë e diskutimeve ishte zgjedhja e modeleve efektive për të përgatitur dhe implementuar projekte për të sjell kapitalin dhe përvojën profesionale të diasporës në vendin tonë.
Dihet mirëfilli se diaspora shqiptare në Australi e Zelandë të Re është e përkushtuar për ta ndihmuar atdheun, por fatkeqësisht iniciativa konkrete nuk ka pasur më parë. Shqiptarët këtu janë mjaftë të konsoliduar dhe e kanë vullnetin dhe mundësinë ta ndihmojnë vendin tonë në fusha të ndryshme si në shkencë, teknologji, arsim, shëndetësi, e sidomos në biznes. Pa dyshim, rolin kryesor në këtë aktivitet shumë disiplinor duhet ta luajnë intelektualët, për çka dr. Abazi është mjaftë i përkushtuar për ta realizuar në praktikë.
Një harmonizim racional i aktiviteteve ekonomike në mes të diasporës dhe institucioneve shtetërore do të bëjë të mundur krijimin e një ekonomie funksionale dhe efektive e cila do jetë në gjendje ta çojë përpara zhvillimin e përgjithshëm shoqëror të atdheut tonë.
Kjo është e mundur të arrihet, siç thoshte ideatori i krijimit të shtetit shqiptar, eruditi Sami Frashëri,vetëm nëse liderët tanë, ndërtojnë “NJË QEVERI.. që t’u hapte udhën e,… të vështrohet mirë,…, mund të vejë shumë mbarë e të ushqejë katër herë më tepër njerëz se sa ushqen sot”.
Ne jemi të bindur se një bashkëpunim efektivë në mes të diasporës dhe atdheut do të operacionalizonte resurset kombëtare në mënyrë racionale dhe do të ngriste mirëqenieje popullit. Për çdo intelektual është paradoksale që shqiptarët “të flejë mbi ari-dhe të jetojnë në mjerim; pa bukë e pa kulm mbi kokë”! Vendi ynë me begatitë shumta natyrore e njerëzore, sidomos me kapitalin intelektual, teknologjikë dhe financiar (me burim nga diaspora) jo vetëm se mund ta arrijë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik por mund të shndërrohet në një konkurrues të fortë në tregun rajonal e më gjerë.
Një vetëdije e lartë kombëtare shtetërore e lidershipit shqiptar do të ndërtojë një infrastrukturë efektive ligjore dhe administrative dhe do të çrrënjosë korrupsionin, këtë kancer të shoqërisë sonë. Një shtet ligjor e demokratik i ngritur mbi bazën e strategjisë kombëtare do ti hap rrugë kapitalit financiar, teknologjik dhe intelektual të diasporës dhe do të mundësoj implementimin e projekteve efektive për të krijuar një ekonomi stabile. Vetëm një ekonomi e udhëhequr nga dijetarët (profesionalistët) do të mund ta bartë barrën e zhvillimit të përgjithshëm kombëtar dhe ta realizoj pavarësinë e plotë të Kosovës dhe tërë popullit shqiptar.
Prandaj, një përkushtim dhe aktivitet i palodhshëm i dr. Abazit për shfrytëzimin e potencialit ekonomik dhe intelektual në shërbim të atdheut, na obligon moralisht dhe kombëtarisht ta shprehim përkrahjen tonë ndaj tij. Mbesim me shpresë se kërkesa jonë do të merret parasysh, ashtu që Dekreti i Presidentes të rishqyrtohet dhe dr. Hajdin Abazit të mos i ndërpritet mandati përgjysmë. Një vendim i tillë do të ishte një zgjidhje racionale në të mirën e diplomacisë kosovare dhe kombit shqiptar në përgjithësi!

Me respekt,
1. Dr Enver Halili
2. Dr Perparim Xhaferi
3. Dr Ali Thaqi
4. Dr Agron Mataj

Australi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Slloveninë…