Inteligjenca amerikane: Aeroplani i Prigozhinit u rrëzua qëllimshëm
Zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Pat Ryder, ka bërë me dije se raportet e shtypit për një raketë tokë-ajër që ka rrëzuar aeroplanin, i cili supozohet të ketë vrarë udhëheqësin e “Wagner”-it, Yevgeny Prigozhin ishin të pasakta.
Mirëpo një vlerësim i inteligjencës amerikane, ka arritur në përfundimin se rrëzimi i avionit ishte i qëllimshëm.
Një zyrtar amerikan që ka përshkruar vlerësimin fillestar, ka thënë se Prigozhini ishte i shënjestruar dhe se shpërthimi bie në përputhje me “historinë e gjatë të Vladimir Putinit dhe përpjekjes për të heshtur kritikët e tij”, shkruan “Euronews”.
Edhe pse Putini e ka vlerësuar Prigozhinin si një “njeri të talentuar” dyshimet janë rritur se Putini ishte pas vdekjes së Prigozhin.
Zyrtarët, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të komentonin, nuk dhanë asnjë detaj se çfarë e shkaktoi shpërthimin, i cili cilësohej si hakmarrje për rebelimin e qershorit që përbënte sfidën më të madhe për liderin rus.
Nuk është e qartë pse disa anëtarë të “Wagner”-it, duke përfshirë liderë të lartë që janë jashtëzakonisht të kujdesshëm për sigurinë e tyre, ishin në të njëjtin fluturim.
Qëllimi i udhëtimit të tyre të përbashkët në Shën Petersburg mbetet ende i panjohur.