Inteligjenca amerikane: Kremlini i paqëndrueshëm, Putini i poshtëruar
Inteligjenca amerikane e ka ditur se një rebelim në Moskë ishte i pashmangshëm që nga mesi i qershorit.
Ndërsa Wagner zbuti kontrollin e tij në qytetin e Rostovit me anëtarët e tij që u larguan dhe lideri i tyre Yevgeny Prigozhin udhëtoi për në Bjellorusi si pjesë e një marrëveshjeje për të shmangur gjakderdhjen, dita e sotme për Rusinë nuk do jetë aq e lehtë. Gjakderdhja mund të jetë shmangur, siç tha vetë Prigozhin, duke theksuar se forcave të tij iu deshën vetëm 24 orë për të arritur në Rostov dhe për të shkuar në Moskë, por presidenti rus Vladimir Putin duket më i dobët se kurrë.
Sipas një analize nga Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW ) të ngjarjeve të së shtunës, Moska e kishte shumë të vështirë të bënte një përgjigje të shpejtë efektive ndaj lëvizjes së befasishme të Wagner. Analistët e Institutit (kryesisht gjeneralë në pension amerikanë) raportojnë se marrëveshja e ndërmjetësuar nga Lukashenko “ndoshta do të eliminojë grupin Wagner si një organ i pavarur nën udhëheqjen e Prigozhin në formën e tij aktuale” . Por kjo nuk u bëhet pa kosto.
ISW raporton se fakti që presidenti i Bjellorusisë, Lukashenko, luajti një rol kaq të drejtpërdrejtë në pengimin e avancimit të Wagner-it në Moskë është “poshtërues për Putinin”, ndërsa “Kremlini është lënë në një gjendje thellësisht të paqëndrueshme”. Analistët theksojnë se marrëveshja e Prigozhin me Lukashenkon është një “zgjidhje afatshkurtër dhe jo afatgjatë, ndërsa rebelimi i Prigozhin ekspozoi dobësi serioze në Kremlin dhe Ministrinë e Mbrojtjes Ruse”.
Të njëjtin mendim shpreh edhe analisti ekspert për çështjet ruse dhe sigurie të kompanisë konsulente amerikane The Soufan Group, Colin Clark . Clarke beson se vorbulla e ngjarjeve të së shtunës ka minuar Putinin, i cili “kurrë nuk është dukur më i dobët”. Duke folur për Al Jazeera, analisti tha se presidenti rus “po kërkon kudo për sukses dhe ndoshta po bëhet gjithnjë e më paranojak për njerëzit në rrethin e tij të ngushtë”.
Analisti thekson se Moska gjithashtu përballet me pyetje të rëndësishme në lidhje me ekipin e Wagner: “Në fund të fundit, nuk është e mundur që Rusia të margjinalizojë Wagnerin. Rusia dhe Vladimir Putin varen nga grupi Wagner dhe në fakt kanë nevojë për të për të kryer politikën e jashtme ruse, jo vetëm në Ukrainë, por në mbarë botën – në Siri, Mali dhe gjetkë. Është një komponent kyç i mënyrës sesi Rusia operon në botë dhe kjo përçarje ka ekspozuar disa ndarje reale në komandën dhe kontrollin e Rusisë”.
Ndërkohë zbulohet se inteligjenca amerikane kishte ” shenja ” disa ditë më parë se Prigozhin po përgatiste trupat e tij për kryengritje, duke shkaktuar “alarm” në Uashington. Informacionet nga burimet e Washington Post dhe New York Times tregojnë se një seri informimesh midis zyrtarëve amerikanë u zhvilluan në Shtëpinë e Bardhë, Pentagon dhe Kapitol për mundësinë e trazirave në Rusi, 24 orë përpara se Prigozhin të lëvizte kundër udhëheqjes ushtarake ruse.
Inteligjenca amerikane kishte punuar mbi informacionin që nga mesi i qershorit dhe ai u përshkrua si “i sigurt dhe shqetësues” nga mesi i javës së kaluar, duke çuar në takime pasi zyrtarët amerikanë ishin të shqetësuar për kaosin me pasoja ndërkombëtare për shkak të arsenalit masiv bërthamor të Rusisë . Në fakt, shërbimet e inteligjencës amerikane besojnë se vetë Putini ishte i vetëdijshëm se aleati i tij dikur i ngushtë, Yevgeny Prigozhin, po planifikonte kryengritjen, të paktën një ditë para se të ndodhte. Pra, pse nuk mund ta ndalonte atë?
Përgjigjja u dha shpejt nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili në mesazhin e tij të natës tha – madje edhe në rusisht – se “burri nga Kremlini ishte padyshim shumë i frikësuar dhe, jam i sigurt, nuk është më në Moskë”. Me thashethemet se Vladimir Putin është larguar nga Moska të shtunën autoritetet ruse njoftuan se presidenti rus nuk do të mbante një fjalim televiziv pasi kishte arritur një marrëveshje me ndërhyrësin Lukashenko.
Mirëpo atmosfera nga pamjet që vijnë nga Rostovi duket mjaft… festive. Luftëtarët e Wagner-it largohen nga qyteti në një humor mjaft “festiv” pavarësisht rebelimit të dështuar, ndërsa turmat mblidhen në rrugë për të parë trupat që largohen nga qyteti. Disa nga banorët festojnë, të tjerë tentojnë të kapin duart e mercenarëve që po largohen. Në automjetet e tyre mercenarët kanë shkruar fjalë si “Rostov” dhe “vëllezër”, ndërsa Prigozhin tashmë është në rrugën e tij për në Bjellorusi.