Inteligjenca artificiale do të jetë në gjendje të identifikojë kancerin
Shkencëtarët kanë zhvilluar një model të ri të inteligjencës artificiale (AI) që mund të identifikojë me saktësi kancerin, i cili mund të përshpejtojë diagnostikimin e sëmundjes dhe trajtimin e pacientëve. Modeli, i zhvilluar nga ekspertët e Fondacionit Royal Marsden NHS Trust, Instituti i Kërkimit të Kancerit në Londër dhe Imperial College London, mund të identifikojë nëse rritjet anormale në një skanim CT janë kanceroze. Thuhet se algoritmi është më efikas se metodat aktuale.
“Në të ardhmen, ne shpresojmë se kjo do të çojë në zbulimin e hershëm dhe potencialisht do ta bëjë trajtimin e kancerit më të suksesshëm duke identifikuar pacientët me rrezik të lartë,”- tha Benjamin Hunter nga Fondacioni Royal Marsden.
Ai deklaroi se rezultatet fillestare tregojnë se modeli i ri i AI identifikon nyjet kanceroze të mushkërive, ndërsa ekipi hulumtues vuri në dukje se studimi është ende në fazat e tij të hershme dhe se do të nevojiten më shumë testime derisa modeli i ri i AI të të futet në sistemet e kujdesit shëndetësor. Megjithatë, ata thonë se përfitimet e mundshme të tij janë të qarta.
Kanceri është shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën dhe rreth 10 milionë njerëz vdesin nga kjo sëmundje çdo vit, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në shumë raste, megjithatë, sëmundja mund të shërohet nëse zbulohet herët dhe trajtohet shpejt.