Inteligjenca belge po heton qendrën logjistike të Alibaba-s në aeroportin e Liège-s
Zyrtarët belgë po shqyrtojnë rreziqet rreth pranisë së Alibaba Group Holding të Kinës në një aeroport mallrash në qytetin e Liège.
Kështu bëhet me dije në një deklaratë të lëshuar nga shërbimi shtetëror i sigurisë së vendit (VSSE).
Duke iu referuar qendrës kryesore evropiane të logjistikës së kompanisë në aeroportin e Lièges, shërbimi i sigurisë ka thënë se po punonte për të “zbuluar dhe luftuar kundër aktiviteteve të mundshme të spiunazhit dhe/ose ndërhyrjes të kryera nga entitetet kineze, përfshirë Alibaba-n”.
Deklarata vijon duke sqaruar se autoritetet belge po shqyrtojnë operacionet e kompanisë në aeroport bazuar në një analizë të kuadrit ligjor të Kinës.
Prania e Alibaba-s “përbën ende një pikë vëmendjeje” për VSSE-në, për shkak të legjislacionit që detyron kompanitë kineze të ndajnë të dhënat me autoritetet kineze dhe shërbimet e inteligjencës.
Profesor Jonathan Holslag ka thënë se burimi kryesor i shqetësimit ishte se Alibaba, “krahas disa platformave të tjera logjistike që kinezët u kanë propozuar vendeve evropiane, po u jep atyre shumë njohuri në zinxhirët e furnizimit dhe në dobësitë eventuale”.
Sipas Holslag, ekziston gjithashtu një rrezik që Cainiao, krahu logjistik i Alibaba-s, të mund të aksesonte informacionin për konsumatorët përfundimtarë.
“Njohuritë rreth ndryshimeve të rëndësishme në modelet e konsumit dhe njohuritë rreth zinxhirit logjistik janë të vlefshme për Kinën si një vend që përpiqet të dominojë zinxhirin e furnizimit”, ka vijuar ai.
Në një deklaratë, Cainiao ka thënë se “ne i mohojmë me forcë akuzat e bazuara në hamendje të mëparshme”.
“Cainiao është në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret ku operon”, ka vijuar deklarata.
Në vitin 2018, Alibaba ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e Belgjikës për të hapur një qendër tregtare të tregtisë elektronike, të drejtuar nga Cainiao, që do të përfshinte investime në infrastrukturën logjistike.
Muajin e kaluar, kompania kineze e tregtisë elektronike paraqiti regjistrimin e Cainiao në bursën e Hong Kongut, gjë që do ta bënte njësinë e parë që do të ndahej që kur Alibaba ka thënë në mars se do të ristrukturohej dhe do të ndante biznesin e saj në gjashtë njësi.
Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.