Inteligjenca ushtarake franceze: Raketa palestineze me gjasë shkaktoi masakrën në spitalin e Gazës
Vlerësimi i inteligjencës ushtarake franceze, tregon se me gjasë shpërthimin vdekjeprurës në spitalin “Al Ahli” në qytetin e Gazës, e ka shkaktuar një raketë palestineze e mbushur me rreth pesë kilogramë eksploziv e cila me gjasë ishte shkrepur gabimisht.
Siç raporton The Guardian, këtë e ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i paemëruar i ushtrisë franceze, transmeton Telegrafi.
AP raporton se ky zyrtar ka deklaruar se disa raketa nga arsenali i militantëve të Hamasit bartin raketa të mbushura me eksplozivë me një sasi të tillë, përfshirë edhe raketat e prodhimit iranian.
“Askush nga inteligjenca ushtarake franceze nuk e ka drejtuar gishtin kah Izraeli si kryes i këtij sulmi”, tha ky zyrtar nga Parisi.
Ky raport vjen pasi që ministria kanadeze e Mbrojtjes njoftoi se Izraeli nuk qëndron prapa shpërthimit, që shkaktoi vdekjen e qindra civilëve në spitalin e Gazës.