Intensifikohen shkyçjet nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” për borxhlinjtë
Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina KRU “Prishtina” sh.a, ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, se nga muaji janar i këtij viti ka filluar me masa ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
“Si masë e parë ndëshkuese, është shkyçja nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, pasuar nga ndëshkime të tjera. Me shkyçje po përballet secili konsumatorë që ka, dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit. Për këtë aksion, KRU “Prishtina” sh.a, ka angazhuar rreth 50 ekipe të shkyçjes, përfshirë edhe inspektorë”, thuhet në komunikatën e KRU “Prishtina” sh.a.
Sipas këtij njoftimi, në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon KRU “Prishtina” sh.a. si: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth.
Sipas këtij njoftimi, furnizimi me ujë të pijshëm po qëndron stabil, derisa ndërprerje uji mund të ketë vetëm në raste të caktuara si, intervenimet në rrjetin primar dhe sekondar. KRU “Prishtina” sh.a. është duke i përmirësuar shërbimet për ujësjellës dhe kanalizim, andaj u bën thirrje të gjithë konsumatorëve, që: t’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, në mënyrë që të evitojnë shkyçjen nga shërbimet, sepse ato po bëhen më intensive çdo ditë e më shumë, të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike, u bëjmë thirrje që të respektojnë në përpikëri kontratat për riprogramimin e borxhit, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar nga të dyja palët”, është thënë në këtë njoftim të KRU “Prishtina” sh.a.
Më tej thuhet, se duke filluar nga data 1 shkurt 2018, të gjithë konsumatorët që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe nuk iu janë përmbajtur kontratës për pagesën me këste të borxhit të riprogramuar, do t’u rikthehet borxhi i falur, bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike. “KRU ‘Prishtina’ sh.a. do t’i intensifikon aktivitetet që borxhet e prapambetura të arkëtohen përmes Përmbaruesve Privat”, është thënë në njoftim e KRU “Prishtina” sh.a.