Interesat e ngushta të LV-së dhe të LDK-së mund ta çojnë vendin në zgjedhje
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), aktualisht ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka thënë se pazaret personale të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë duke e penguar arritjen e marrëveshjes për krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se këto interesa të këtyre dy subjekteve politike mund ta çojnë vendin në zgjedhje të reja.
“Është e pakuptimtë që dy subjektet politike që kanë fituar zgjedhjet, pra subjekti i parë dhe i dytë, të mos kenë marrëveshje ende për t’i krijuar institucionet. Ne po presim që në ditët e ardhshme ata të pajtohen dhe t’i krijojnë institucionet, mirëpo po e shoh se midis dy subjekteve politike po dominon pazari i individëve të caktuar se si mund të rreshtohen në pozita të larta shtetërore dhe jo që të angazhohen për të punuar në të mirën e qytetarëve të vendit”, ka thënë Lekaj.
Sipas Lekajt, një gjë e tillë do të ishte dëshpëruese për qytetarët.
Ai ka ftuar LV-në dhe LDK-në ta shikojnë interesin kombëtar dhe të heqin dorë nga interesat e ngushta partiake dhe t’i formojnë institucionet e reja.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)