Interesat e ngushta të LV-së dhe të LDK-së mund ta çojnë vendin në zgjedhje
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka deklaruar se zvarritja e negociatave për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është duke ndodhur për shkak të interesave të ngushta personale.
Ai i ka ftuar këto dy subjekte politike që sa më shpejt të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Lekaj ka thënë se krijimi i institucioneve nuk duhet të mbahet peng i interesave partiake.
“Është e pakuptimtë që dy subjektet politike që kanë fituar zgjedhjet, pra subjekti i parë dhe i dytë, të mos kenë marrëveshje ende për t’i krijuar institucionet. Ne po presim që në ditët e ardhshme ata të pajtohen dhe t’i krijojnë institucionet, mirëpo po e shoh se midis dy subjekteve politike po dominon pazari i individëve të caktuar se si mund të rreshtohen në pozita të larta shtetërore dhe jo që të angazhohen për të punuar në të mirën e qytetarëve të vendit”, ka thënë Lekaj.
Ai ka theksuar se qëndrimet e këtyre dy subjekteve po tregojnë se nuk janë të interesuar t’i krijojnë institucionet.
“Kjo po ndodh për shkak të interesave të ngushta personale dhe partiake. Po e shihni tani se premtimi i tyre, se do të ketë marrëveshje një ditë pas certifikimit të rezultateve, nuk po ndodh. Kjo i bie se të dy subjektet politike nuk janë fort të interesuara që t’i krijojnë institucionet”, është shprehur Lekaj.
Ai e ka bërë të qartë se AAK-ja në këtë mandat do të mbetet në opozitë. Sipas Lekajt, kjo parti nuk do të përfshihet në negociata për krijimin e koalicionit qeverisës.
“Qëndrimi ynë është i qartë për këtë çështje. Ne do të jemi në opozitë sepse kështu ka vendosur sovrani më 6 tetor. Mirëpo ne kemi treguar gatishmëri që kur është interesi i vendit për çështje madhore do të përkrahim çdo proces që shkon në favor të forcimit të shtetit. Pra, ne do të jemi opozitë. Tani është radha e tyre ta menaxhojnë më mirë situatën dhe mos ta dërgojnë vendin prapë në zgjedhje”, është shprehur Lekaj.
Megjithatë, ai ka treguar se LV-ja dhe LDK-ja mund ta çojnë vendin sërish në zgjedhje. Ai ka thënë se një gjë e tillë do të ishte dëshpëruese për qytetarët. “Besoni se, siç po shihen gjërat, nuk ka tjetër alternativë përveçse vendi të shkojë në zgjedhje të reja, ani pse një gjë e tillë do të ishte një dëshpërim i madh për qytetarët”, është shprehur Lekaj.
“Epoka e re”: Z. Lekaj, si po i shihni përpjekjet e LV-së dhe të LDK-së për formimin e qeverisë së re?
Lekaj: Kjo është sikur dikush që kërkon punë, ndërsa në anën tjetër e lut Zotin të mos gjejë punë. Është e pakuptimtë që të dyja subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet, pra subjekti i parë dhe i dytë, të mos kenë marrëveshje ende për t’i krijuar institucionet. Ne po presim që në ditët e ardhshme ata të pajtohen dhe t’i krijojnë institucionet. Mirëpo po e shoh se midis dy subjekteve politike po dominon pazari i individëve të caktuar se si mund të rreshtohen në pozita të larta shtetërore e jo të angazhohen që të punojnë për të mirën e qytetarëve të vendit.
“Epoka e re”: Pse po zvarritet kaq shumë marrëveshja mes tyre?
Lekaj: Për shkak të interesave të ngushta personale dhe partiake. Po e shihni tani se premtimi i tyre, se do të ketë marrëveshje një ditë pas certifikimit të rezultateve, nuk po ndodh. Kjo i bie se të dyja subjektet politike nuk janë fort të interesuara që t’i krijojnë institucionet.
“Epoka e re”: Këto dy subjekte politike sa kanë qenë në opozitë e kanë kritikuar qeverinë në detyrë dhe vazhdimisht kanë kërkuar zgjedhje të reja. Cili është qëndrimi juaj tash kur këto nuk po mund të merren vesh për poste të caktuara?
Lekaj: Kjo tregon se kritikat e tyre atëherë kanë qenë mungesë e alternativave. Tani kur i kanë numrat për ta bërë qeverinë këta po ngecin. Në këtë mënyrë prej ditëve të para po krijojnë mosseriozitet dhe mosgatishmëri që të bëjnë kompromise. Kompromiset çdoherë janë të mirëseardhura në tavolinë, sidomos kur dominon interesi i qytetarëve të vendit.
“Epoka e re”: Nga këto që keni parë deri më tani, sa besoni se LV-ja dhe LDK-ja do të mund të arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje?
Lekaj: Nuk dua të ndërhyj në punët e atyre dy subjekteve politike por, siç po shihet, janë larg arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje. Mirëpo ne si opozitë e ardhshme i ftojmë që sa më parë t’i krijojnë institucionet e reja dhe t’i lënë anash interesat individuale dhe klanore.
“Epoka e re”: Pengesa kryesore për marrëveshjen në mes të këtyre dy subjekteve politike po shihet se është posti i presidentit. A do të duhej të përfshihej në marrëveshjen për formimin e institucioneve edhe posti i presidentit të ardhshëm?
Lekaj: Natyrisht se presidenti do të duhej të ishte një kandidat konsensual, sepse presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Mirëpo, siç po shihet, këta kanë interesa të caktuara politike dhe e kanë politizuar këtë çështje. Ajo që mund të them është se edhe po të arrijnë një marrëveshje për presidentin e ardhshëm, këto dy parti nuk i kanë dy të tretat e deputetëve në Kuvend dhe nuk e di pse e kanë shtruar tash këtë çështje. Siç dihet, për t’u zgjedhur presidenti i Kosovës në sallë duhet të jenë 80 deputetë, kurse këta nuk i kanë 80 deputetë.
“Epoka e re”: Sa besoni se do të funksiononte një koalicion në mes të këtyre dy pritave?
Lekaj: Në bazë të asaj që ne i njohim këto dy subjekte politike, mendoj se qeveria e tyre do të jetë shumë jetëshkurtër dhe nuk do të funksiononte. Këto dy subjekte politike nuk kanë pasur një bashkëpunim parimor në të kaluarën. Bashkëpunimi i tyre po ndodh vetëm për interesa të pushtetit dhe jo për gjëra të tjera. Të gjithë e dimë se cili ka qenë qëndrimi i LV-së ndaj LDK-së. Po ashtu, dihen qëndrimet e LDK-së ndaj LV-së. Pra, natyrisht se brenda natës nuk mund t’i kalojnë përplasjet dhe kundërshtimet që i kanë pasur këto parti mes vete në të kaluarën.
“Epoka e re”: Në rast se nuk do të kemi një marrëveshje mes tyre, AAK-ja është e gatshme të bëhet pjesë e qeverisë së re?
Lekaj: Qëndrimi ynë është i qartë për këtë çështje. Ne do të jemi në opozitë sepse kështu ka vendosur sovrani më 6 tetor. Mirëpo ne kemi treguar gatishmëri që kur është interesi i vendit për çështje madhore do të përkrahim çdo proces që shkon në favor të forcimit të shtetit. Pra, ne do të jemi opozitë. Tani është radha e tyre që ta menaxhojnë më mirë situatën dhe mos ta dërgojnë vendin prapë në zgjedhje.
“Epoka e re”: Çka nëse nuk pajtohen LV-ja dhe LDK-ja për bashkëqeverisje. Cila duhet të jetë alternativa?
Lekaj: Besoni se, siç po shihen gjërat, nuk ka tjetër alternativë përveç se vendi të shkojë në zgjedhje të reja, ani pse një gjë e tillë do të ishte një dëshpërim i madh për qytetarët.
Muahmet KOCI