Interesi nacional është mbi çdo interes tjetër

24 dhjetor 2018 | 11:54

Fehmi Ajvazi, politolog

Historia, ka qenë më shumë se një njerkë për shqiptarët. Shpesh, duke mos treguar vëmendje historike, “njerkës” ia kemi zgjatur jetën. Qysh? Duke i rënë: njëri hunit, e tjetri patkoit!

Ka kohë që vendi ynë, Kosova, ndryshe nga hapësirat e tjera etnike përballet me proceset e zhvillimit si shoqëri post luftë, por edhe si shoqëri në konsolidim institucional dhe shtetërorë. Natyrshëm, “konsolidimi” lidhet me shumë procese, disa prej të cilave edhe janë kaluar me mjaft sukses: si për shembull shpallja e pavarësisë, njohja e Kosovës nga më shumë se 115 shtete, anëtarësimi në disa mekanizma vital ndërkombëtar, themelimi de jure i forcave të armatosura etj. Tani, s’kemi pse të humbim kohë lidhur me disa procese të kaluara, meqë ato janë në evoluim e sipër: forcimi i demokracisë, forcimi i shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik etj. Mirëpo, ende kemi përpara procese të rëndësishme, siç është anëtarësimi i Kosovës në disa mekanizma vital ndërkombëtar (OKB, NATO), dhe padyshim, zgjidhja e problemeve të ndryshme me fqinjin tonë verior: Serbinë.

Zgjidhja e problemeve politike dhe historike me Serbinë, tani është aktuale. Në kontekst, beteja është duke u zhvilluar mbi rivalitete të ashpra brenda të cilave rivalitete, ne kemi përballë një Serbi që jo vetëm nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj nesh, por vazhdon me të gjitha forcat ta pengoj dhe ta denigroj Kosovën në çdo aspekt. Pra ky “horizont” armiqësorë në veri, na obligon dhe na detyron të jemi të mobilizuar kundrejt qëllimeve dhe objektivave tona. Me këtë rast, nuk ka shumë paqartësi, filozofime, teorizime etj. Megjithatë, disa “izma” nxjerrin krye goxha shumë dhe shndërrohen hap mbas hapi në një lloj orteku të frikshëm. Fijet e ortekut, të vjetra e të reja, një pjesë e të cilave janë të tjerra nga dora e njerkave të ndryshme, na shqiten nëpër këmbët tona. Kuptimi dhe ngjyra e “fijeve”, vjen nga kthinat e errëta të historisë.

Pra, historikisht, ka një lloj përsëritjeje të pengesave, të keqkuptimeve dhe të sfidave të cilat, pikërisht në kohën kur dalin në pah për tu zgjidhur çështje me karakter nacional, në të njëjtën kohë “izmat” shpërthejnë si divergjenca, si mos pajtime, si konflikte etj. E kundërta e tyre, pra e kundërta e “izmave” (pa shkuar larg në histori), duam të marrim si shembuj të kontekstit pozitiv dy veprime të fuqishme me karakter të interesit nacional: Konferencën e Rambujesë (1999), dhe Shpalljen e Pavarësisë (2008). Të dy këto ngjarje, janë shpërfaqur si dy ngjarje të interesit nacional,duke dalë mbi çdo interes tjetër! Në të dy këto raste, skena politike dhe partiake, shoqëria, me një fjalë populli, ka treguar unitet të fuqishëm dhe ka lënë prapa krahëve çdo gjë tjetër.

Megjithatë, edhe njëherë tjetër, Kosova gjendet në një pozicion të atillë ku ka përpara një çështje të hapur: marrëdhëniet me Serbinë. Ekuivalent me  problemet e tjera, të brendshme dhe të jashtme, kjo çështje nuk është që mund të injorohet në pakufi, dhe nuk mund të shmanget! Në kontekst, duke qenë si “një çështje reale”, përgjatë vitit 2018 (brenda vendit dhe rreth tij), janë shfaqur shumë debate publike, fërkime të brendshme politike dhe partiake, fërkime institucionale, incidente me Serbinë, fërkime dhe ngecje në planin ndërkombëtar etj. Kështu ka pasur humbje kohe, ngecje, prolongime të proceseve, migracion etj.

Natyrisht, kanë ndodhur edhe ngjarje që s’harrohen, si për shembull formalizmi edhe de jure i ushtrisë së Kosovës, mirëpo çështja e zgjidhjes së problemeve me fqinjin verior, Serbinë, ka shkaktuar dhe po shkakton probleme të theksuara. Nuk them se Prishtina është fajtore, as se dialogu mes dy vendeve nuk ka përfunduar me fajin e Prishtinës! Përkundrazi. S’ka dyshim që Serbia e ka përdorur dhe po e përdor “dialogun” si konopin: tërhiqe, dhe mos e këput! Dhe në këtë mënyrë, Serbia jo vetëm që ka arritur ta mbajë si një lloj pengu Kosovën, por edhe ka përfituar shumë në këtë drejtim, sidomos ekonomikisht.

Ditëve të fundit, sidomos pas formimit të ushtrisë, janë shfaqur shenja që sinjalizojnë veprime të fundme të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e të cilat veprime, duhet të mbyllen me njohjen reciproke të dy vendeve si shtete të barabarta. Pra, dialogu jo vetëm që duhet të vazhdojë, por duhet të finalizohet përfundimisht. Në kontekst, Prishtina nuk ka pse të frikësohet nga dialogu. Ndërsa fundi i tij, duhet të mbyllet me marrëveshje reale. Në anën tjetër, kundrejt “çështjes”, partnerit të deridjeshëm në involvim, Bashkimit Evropian, sipas të gjitha gjasave mund t’i bashkohet edhe partneri ynë politiko-strategjik, Amerika. Letra, tashmë e njohur e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, jep sinjale në këtë drejtim.

Siç mund të kuptojmë, viti i ardhshëm 2019, do të jetë vit historikë për Kosovën. Mirëpo, pajtohem me faktin se historia, jo njëherë, ka qenë më shumë se një njerkë për ne! Veçse, disa herë, duke mos treguar vëmendje historike, bashkëveprim, unitet, njerkës ia kemi zgjatur jetën me duart tona. Qysh? Duke i rënë: njëri hunit, e tjetri patkoit! Pra, besoj thellë se qarqet e brendshme politiko-partiake dhe institucionale, e kanë mjaft të kuptueshme “fazën e re” të detyrave dhe të përgjegjësive me karakter nacional përgjatë vitit 2019.

Kështu, individët me përgjegjësi, partitë, institucionet, grupet relevante, mediat etj., pavarësisht nga pozitat e tyre dhe nga rolet që kanë, duhet të çlirohen urgjentisht prej  çdo lloj dileme, prej çdo lloj marrëveshjeje, dhe prej çdo lloj irritimi, inati dhe veprimi intrigues në mënyrë që, të gjithë (pa dallim), t’i përgjigjen momentit dhe çështjes që lidhet me arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme me Beogradin. Është logjike që, secili duhet të japë kontributin e tij.

Edhe ashtu, Beogradi do të bëjë çdo gjë që ta fajësoj Prishtinën. Sigurisht, edhe atëherë kur 100% nuk do të ketë të drejtë! Në kontekst, të qëndruarit më anash e gjithë atyre që nuk duhet, kritizimi vend e pavend, pasiviteti dhe manarët e tjera, për mendimin tim nuk mund të justifikohen me asgjë. Pra, duhet klasifikuar qëndrimet, duhet studiuar veprimet, dhe mbi të gjitha duhet sistemuar interesat sepse, nuk ka një interes tjetër, e që mund të rangohet mbi interesin nacional.

Shtendosja dhe përfundimi i armiqësisë (de jure) me Beogradin, nuk ka dyshim që është interes nacional yni. Jam koshient të konstatoj qysh këtu se, as pas çdo marrëveshjeje “de facto dhe de jure”, armiqësia e Beogradit nuk do të përfundoj, mirëpo, ne duhet të bëjmë detyrën tonë dhe nuk duhet të lejojmë që  të mbesim peng, dhe as të mbesim fajtorë ndërkombëtar! Prandaj, si edhe në të kaluarën (ky nuk është shkrimi im i parë i kësaj natyre), unë i mbështes veprimet e bashkuara-unike të cilat, favorizojnë dhe forcojnë interesin nacional.

Kësaj radhe, edhe më shumë! Pse? Në këtë rast, kemi përballë një Serbi që jo vetëm nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj nesh, por vazhdon me të gjitha forcat ta pengoj dhe ta denigroj Kosovën në çdo aspekt. E ne, nuk mundemi dhe as nuk guxojmë të matufosemi pas interesave individuale dhe grupore, pas interesave politike dhe partiake, pas deklaratave dhe debateve pa fund e krejt pa shije, sa për t’ua zgjatur jetën  njerkave të historisë, e po ashtu, edhe për tu fundosur në pellgun e mos zhvillimit dhe armiqësive të brendshme e të jashtme.

Suma – sumarum, vetëm të bashkuar, ne mund t’i heqim nga këmbët tona fijet e ortekut: të vjetra e të reja…

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Delegacioni shtetëror për bisedime me Serbinë do të mbajë sot…