Interesimi i lexuesve për romanin “Paraardhësit” është shumë i madh
Këto ditë në Prishtinë, Istog dhe Pejë, është promovuar botimi i dytë i romanit “Paraardhësit” i autorit Muharrem Blakaj, po ashtu është shfaqur edhe premiera e filmit dokumentar “Nana Kadë” e po këtij autori.
Në këtë promovim u tha se romani “Paraardhësit” ka intrigë, shquhet për veprim dramaturgjik të përshpejtuar, të mban pezull e të lë pa frymë, saqë e ke vështirë ta lësh në gjysmë leximin.
Ndërkaq filmi dokumentar “Nana Kadë” kushtuar nënës dhe dëshmorit të kombit, Xhemail Blakaj, paraqet vuajtjet e saj pas arrestimit, torturimit dhe vrasjes së djalit të saj, Xhemailit, në burgun famëkeq të Pejës, në vitin 1986. Për promovimin e romanit “Paraardhësit” dhe dokumentarin “Nana Kadë” ka folur, në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, autori Muharrem Blakaj.
“Epoka e re”: Z. Blakaj, këto ditë keni promovuar romanin “Paraardhësit” si dhe keni shfaqur dokumentarin “Nana Kadë”. Na tregoni se çfarë tematike ka romani dhe kujt i kushtohet dokumentari
Blakaj: Tematika e romanit “Paraardhësit” tërheq paralele në mes të shërbimeve të huaja sekrete dhe radikalizmit islam që pas luftës mbiu jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare diku me ndikim më të gjerë e diku më të ulët, pasojat e të cilave rënduan dhe ende rëndojnë mbi shpatullat e popullit të drobitur nga përpjekjet dhe luftërat e përgjakshme qindravjeçare për liri e prosperitet. Të parët tanë, gjatë procesit të konvertimit nga besimi i krishterë në besimin mysliman, kishin pranuar një islam paqësor, prosperues e, mbi të gjitha, kishin pranuar një islam shpirtëror pa i konvertuar traditat, veshjen dhe kulturën e largët ilire e shqiptare. Pra, kishin pranuar vetëm ritet pa i përfillur ligjet islame. Kurse filmi dokumentar “Nana Kadë” i kushtohet nënës (apo të gjitha nënave) që përjetuan humbjen e bijve apo bijave të tyre për çlirimin e atdheut. Pra, edhe nëna Kadë jo vetëm se e humbi të birin, Xhemajlin, por brenda një kohe të shkurtër e humbi mbarë familjen, sepse nga presioni i papërballueshëm, edhe dy djemtë që i shpëtuan burgut, për të mbijetuar, u detyruan të largohen nga atdheu, kurse nëna Kadë ngeli e vetmuar në ditët më të vështira të jetës së saj, pra në ditët e pleqërisë.
“Epoka e re”: Promovimin e romanit e keni bërë në Prishtinë, në Istog dhe Pejë. Si janë romani dhe dokumentari?
Blakaj: Në fillim romani ishte lexuar nga një numër i kufizuar bashkëpunëtoresh, si kritikë letrarë, redaktorë, shtëpi botuese dhe miq. Vështrimet e tyre kritike ishin mbresëlënëse. Këtu vlen të përmendën shkrimtarët e mirënjohur Gani Mehmetaj, Maku Pone, Nazmi Rrahmani, Prend Buzhala, Rrustem Berisha, Sahudin Hysenaj, Bajram Kabashi, Ramadan Mehmeti dhe redaktori e lektori Bahir Avdiko. Në saje të kumtesave dhe vlerësimeve të tyre, z. Ramadan Mehmeti ka organizuar promovimin e romanit në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë. Pjesëmarrja e dashamirëve të librit ishte madhështore. Interesim i madh u tregua edhe në Istog. Promovimi ishte organizuar nën përkujdesjen e Kuvendit Komunal, ku morën pjesë nënkryetari Lulzim Blakaj dhe zyrtarë, si: Hazbi Bajra, Beqir Metaj, Sejdi Blakaj, Genc Ademaj, Jeta Balaj, Agim Haxhijaj, Hysni Maxharraj etj. Për vlerat e romanit folën profesori Rrustem Berisha dhe profesori i astronomisë, z. Sahudin Hysenaj. Pas shfaqjes së filmit dokumentar me titull “Nana Kadë” dha vlerësim edhe Maxhun Osmanaj. Po kështu, Komuna e Pejës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me bibliotekën rajonale “Azem Shkreli”, ka organizuar promovimin e romanit në qytetin e Pejës. Në promovim morën pjesë zyrtarë komunalë, si: Rrustem Selimaj, Shengyl Kelmendi-Gashi, Aver Husaj, poeti Agim Desku etj. Promovimin e përcollën mediat lokale, radio “Fontana”, nën përcjelljen e moderatorit dhe gazetarit të mirënjohur z. Zeqir Mehmetaj, “zarfi.info” nën asistimin e gazetarit Mangji Gashi dhe “Radio Peja” nën përcjelljen e gazetarit Dardan Kastrati. Prezantimin e romanit e bëri Prend Buzhala ku pati edhe një debat cilësor.
“Epoka e re”: Dokumentari paraqet vuajtjet e nënës Kadë pas arrestimit, torturimit dhe vrasjes së djalit të saj Xhemailit në burgun famëkeq të Pejës, në vitin 1986. Gjatë promovimit nga përfaqësuesit e Shoqatës “Çamëria” u tha se do të bëjnë të pamundurën që romani dhe dokumentari të përkthehen edhe në gjuhë të huaj. A keni menduar ju si autor ta përktheni në gjuhë të huaj romanin dhe dokumentarin?
Blakaj: Po, për romanin ka përpjekje të përkthehet, fillimisht në gjuhën bullgare, pastaj në atë gjermane. Kurse për filmin nuk kam menduar ndonjëherë që mund të përkthehet apo të shfaqet në ndonjë medium ndërkombëtar.
“Epoka e re”: Keni menduar që romanin dhe këtë dokumentar ta promovoni edhe në vendet jashtë Kosovës, aty ku ka bashkatdhetarë?
Blakaj: Pasi jetoj në Zvicër dhe jam anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër (ShKShZ) do të ketë organizim promovimi në Zvicër dhe Gjermani.
“Epoka e re”: Mund të na bëni një krahasim rreth lexueshmërisë në Zvicër dhe këtu?
Blakaj: Kisha krijuar bindjen se interesimi për librin sikur kishte rënë jo vetëm në diasporë, por edhe në atdhe, por kësaj radhe u binda për të kundërtën. Interesimi i lexuesve ishte shumë i madh, gjë që në të tre rastet e promovimeve sallat ishin të mbushura përplot dhe mbi 500 copë libra tani më gjendën në duart e lexuesve, pa i llogaritur ata libra që gjendën në disa librari.
“Epoka e re”: Deri tani keni shkruar edhe romanet “Misioni sekret”, “Thesaret e humbura”, “Atentat brenda germës L”. Pritet t’u silluni lexuesve edhe ndonjë roman të ri?
Blakaj: Së shpejti do ta botoj një përmbledhje tregimesh që i kam në dorëshkrim. Janë tregime që i kam shkruar që nga koha e djalërisë e deri më sot, disa prej të cilave janë botuar në revista dhe gazeta të ndryshme.
Arbisa SHEFKIU