Interferimet politike në shërbimin civil në Kosovë
Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
Sektori publik është element thelbësor në mbajtjen e kohezionit shoqëror dhe prosperitetit të një vendi dhe mënyra se si i shërben shtetit dhe shoqërisë së gjerë mund të cilësohet si manifestim i ndërgjegjes shoqërore dhe politike. Administrata publike dhe shërbimi civil është qenësor në vazhdimësinë e kontratës shoqërore, si mekanizëm i cili siguron qëndrueshmërinë e rendit kushtetues të një vendi. Funksionimi i mirëfilltë i demokracisë si dhe zhvillimi i qeverisjes së mirë janë të varura në mënyrë të drejtpërdrejtë nga administrata publike etike dhe efektive.
Shërbimi civil definohet si institucion që mobilizon burimet njerëzore, në shërbim të shtetit nëpërmjet një kompleksi rregullash të shndërruar në manifest sipas një dizajni të posaçëm organizativ. Shërbimi civil, si një rregullim institucional që është, ngërthen në vete obligimin për të krijuar vlerat e parimit të shtetit të së drejtës (rechtsstaat), vlera dhe parime këto që manifestohen në formë të procedurave specifike të vendimmarrjes. Përpjekjet për krijimin e parimeve të shtetit të së drejtës në shumë vende kanë krijuar edhe ambient të ndryshëm institucional për shërbyesit civil duke pasuar me tipare të ndryshme të sistemit të shërbimit civil. Për më tepër, ky kompleksitet ambiental që ndikon në zhvillimin e sistemit të shërbimit civil është i ndikuar edhe nga kontekstet e veçanta politiko-administrative.
Pra, shërbimi civil është formuar si institucion që kërkon nga pjesëtarët e tij shkallë të lartë të profesionalizmit dhe integritetit duke përfshirë edhe njohuri të thella të së drejtës administrative. Për më tepër, nëpunësit civil duhet të jenë subjekt i një varg kushtesh ligjore për të qenë në gjendje t’i kryejnë funksionet dhe kompetencat e tyre në mënyrë të ligjshme, të përshtatshme, efikase dhe efektive në fushën e veprimtarisë administrative. Kushte këto që kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrimet, qëndrueshmërinë profesionale, mbrojtjen nga ndërhyrjet politike dhe të grupeve të interesit dhe përzgjedhjen sipas parimit të meritokracisë.
Të gjitha shtetet perëndimore gjatë shekullit XX filluan me programet e tyre të reformimit dhe modernizimit të administratës publike, programe këto që ndikuan drejtpërsëdrejti në sistemet e shërbimit civil. Shërbyesit civil ishin edhe zbatues, por edhe objekt i këtyre reformave. Si pasojë e modernizimit të shërbimit civil është kaluar nga sistemet tradicionale në sistemet e reja të menaxhimit publik.
Dihet mirëfilli se administrata është nënfunksion i politikës por megjithatë duhen evituar situata kur niveli politik e kontrollon dhe e instrumentalizon tërësisht administratën sepse krijohet gjendje kaotike brenda aparatit administrativ i cili faktikisht e mbanë vet shtetin. Pra, raportet politikë-administratë nuk duhet të jenë osmotike por më tepër të karakterit simbiotik (rati i Italisë, Belgjikës, Mbretërisë së Bashkuar, etj.).
Për kuadrot me përgatitje superiore në fushën e administratës publike apo fushave tjera të shkencave shoqërore është bërë pothuajse e pamundur të rekrutohen në kuadër të administratës publike mbi bazën e respektimit të parimit të meritokracisë. Janë regjistruar raste të shumta ku kandidatë të shkëlqyeshëm i janë nënshtruar procesit të rekrutimit brenda institucioneve administrative komunale, qendrore, agjencioneve ekzekutive dhe institucioneve të pavarura administrative dhe kanë rezultuar negativisht duke mos arritur qëllimin e pranimit në shërbimin civil. Për më tepër, në të njëjtat pozita janë punësuar kandidatë me përgatitje joadekuate dhe në kundërshtim me vet kriteret e konkursit. Një numër i të rinjve (kandidatëve të përgatitur) nuk u mbetet tjetër pos aderimi në partitë politike në pushtet me qëllim që pas një kohe të fitojnë përkrahjen e duhur politike për punësim.
E tërë kjo praktikë e krijuar është kritikuar dhe vazhdon të kritikohet nga Komisioni Evropian në raportetet e progresit për Kosovën, duke kërkuar depolitizimin dhe profesionalizimin e shërbimit civil. Në këtë vazhdë, është pritur që ligji i ri për zyrtarët publik t’i mënjanojë mangësitë e ligjit të vjetër dhe të shtrojë rrugë drejt izolimit strategjik ndërmjet nivelit administrativ dhe atij politik. Kjo nuk është arritur, për më tepër, ligji i ri i ka legjitimuar praktikat e interferimit në shërbimin civil duke i shndërruar ato në dukuri të pranueshme. Për më tepër, është fakt i mirënjohur se një numër i madh i institucioneve administrative është duke u udhëhequr me ushtrues detyre, në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe si përpjekje për të parandaluar kuadrot profesionale që mund të mos kenë “besimin politik” për të drejtuar departamente e divizione të ndryshme. Pikërisht, ky aspekt mjaftë praktik dhe shumë i rëndësishëm për stabilitetin e shërbimit civil është goditur nëpërmjet nenit 8 të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë. Një veprim i tillë normativ e thellon edhe më tej interfermin politik në shërbimin civil duke synuar që pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues të popullohen me ushtrues detyre në kohëzgjatje deri në dy vjet. Për ata që njohin aparatin administrativ në Kosovë, një numër jo i vogël i pozitave të tilla janë të shpërndara gjithandej shërbimit civil.
E tërë kjo ndikon që shërbimi civil në Kosovë të jetë jostabil dhe të perceptohet si i paqëndrueshëm, duke ndikuar fuqishëm në rënien e profesionalizmit brenda tij. Pra, duke marrë parasysh ndikimin politik në rekrutim, avancim, spastrim të radhëve dhe mobilitetin e shtuar në drejtim të sektorëve tjerë, shërbimi civil në Kosovë vuan nga mungesa e vazhdueshme e profesionistëve të cilët do të ishin bartës të denjë të proceseve tejet të rëndësishme nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë.