Interi e ka në duar kualifikimin
Skuadra e Interit sonte (e martë) e zhvillon ndeshjen më të vështirë deri tash, pasi i duhet fitorja ndaj Barcelonës për t’u kualifikuar në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.
Pozitive për klubin italian është fakti se Barcelona e ka siguruar vendin e parë në grup dhe nuk do të kërkojë me çdo kusht fitore, kurse plus tjetër për italianët është fakti se Leo Messi është lënë jashtë skuadrës për këtë përballje. Të dy skuadrat e Grupit F, Interi dhe Borussia Dortmund, kanë nga shtatë pikë, por skuadra e Antonio Contes është e para në saje të përballjeve të drejtpërdrejta.
Mungesa në skuadrën e Interit janë Sanchez, Sensi, Barella dhe Asamoaha. Ndërsa për Barcelonën, përveç Messit, mungojnë edhe Dembele, Alba dhe Semedo, kurse në dyshim janë Arthur dhe Fati. Në ndeshjen tjetër të grupit Borussia Dortmundi e pret në fushën e vet Slavia Praguen dhe pritet të marrë fitore në mënyrë që të presë gabimin e Interit dhe të kualifikohet në mesin e gjashtëmbëdhjetë skuadrave më të mira.
“Është ndeshje e rëndësishme, natyrisht. Ne luajmë për t’u kualifikuar në fazën e eliminimit direkt dhe ky është moment i rëndësishëm Ne duam të vazhdojmë të luajmë në këtë garë, me lojtarë të cilëve u duhet përvoja. Barcelona është shumë e fortë dhe e ka siguruar vendin e parë në grup. Kjo nënkupton se ata do të luajnë pa presion. Kjo nuk ndryshon asgjë, megjithatë. Ne duhet të luajmë mirë, të japim gjithçka nga vetja”, ka thënë trajneri i Interit, Antonio Conte.
Ndeshje interesante do të zhvillohen edhe në Grupin E, ku kampionia e Evropës, Liverpool, është e para me 10 pikë dhe i shkon Salzburgut me synim që të arrijë fitore dhe ta sigurojë pozitën e parë, por austriakët nuk do të heqin dorë lehtë nga kualifikimi për faktin se kanë shtatë pikë. Napoli ka nëntë pikë dhe është në pozitën e dytë dhe me fitore ndaj Genkut do ta kërkojë pozitën e parë. Ndeshje interesante do të zhvillohen edhe në dy grupet e tjera: G dhe H, ku nga tri skuadra janë në garë për kualifikim në fazën tjetër. Siç dihet, skuadrat që përfundojnë në pozitat e treta në grupet përkatëse garat i vazhdojnë në Ligën e Evropës.
/Epoka e re/