Interi fiton ndaj Salzburgut, Asllani aktivizohet në pjesën e dytë
Inter ka fituar me rezultat 2-1 ndaj Red Bull Salzburg, ndeshje kjo e vlefshme për grupin D në Ligën e Kampionëve.
Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 19-të të takimit përmes Alexis Sanchez, i cili pranoi një pasim të bukur nga Davide Frattesi dhe në një situatë një për një me portierin u tregua i pagabueshëm për rezultatin 1-0.
Pas këtij goli të Sanchez nuk pati më raste të mira shënimi në pjesën e parë dhe rezultati mbeti i pandryshuar.
Mysafirët ia dolën të barazojnë shifrat në 1-1, kur në minutën e 57-të talenti izraelit Oscar Gloukh shënon pas një asistimi të Maurits Kjaergaard për të rihapur edhe një herë tjetër sfidën.
Nuk vonoi shumë reagimi i Interit dhe ata morën përsëri avantazhin kur në minutën e 61-të Gourna-Douath bën një ndërhyrje të palejueshme brenda zonës dhe nga penalltia Calhanoglu çon topin në cepin e majtë të portës së Schlager për rezultatin 2-1.
Te Interi në pjesën e dytë u aktivizua edhe mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani, i cili tregoi paraqitje tejet pozitive.
Pas kësaj fitoreje Interi i afrohet edhe më shumë kualifikimit në fazën tjetër, teksa momentalisht është lider i grupit me shtatë pikë, tri më shumë se Sociedadi që luan ndeshjen e saj me fillim nga ora 21:00.