Interi refuzon ofertën prej 35 milionë eurosh për Asllanin
Kristjan Asllani nuk është ende lojtar kryesor i Interit, por mosha e re e favorizon. Ai është ende në kohë për të shkruar një kapitull të bukur me fanellën zikaltër. Këtë ide kanë edhe drejtuesit e klubit italian, të cilët kanë refuzuar 35 milionë euro për shërbimet e mesfushorit shqiptar.
Fiorentina ka kërkuar të përfitojë nga situata e paqartë e legjionarit kuqezi, duke bërë një ofertë mjaftueshëm të lartë. Interi ka refuzuar dhe madje nuk ka pranuar të negociojë, të paktën deri verën e ardhshme. Shitja e Asllanit mund të ndodhë vetëm në rast të një oferte tepër të lartë. Me pak fjalë, vetëm ndonjë klub anglez mund ta përballojë shifrën që duan zikaltrit.
Trajneri Inzaghi vazhdon të besojë te mesfushori Hakan Çalhanoglu. Edhe pse 30-vjeçarit vazhdojnë t’i shtohen vitet mbi supe, klasi i tij nuk diskutohet. Asllani ka ende punë për të bërë.