Interi sfidon gjashtë herë kampionët e Evropës

16 shkurt 2022 | 11:30

Interi sonte (e mërkurë) e pret skuadrën e Liverpoolit me synim që të mposhtë dhe të bëjë hapin e parë drejt kalimit në çerekfinale. “Reds” në anën tjetër do të mundohen të marrin rezultat pozitiv para ndeshjes kthyese në Angli. Nga ora 21:00 zhvillohet edhe ndeshja tjetër mes Salzburgut dhe Bayern Munchen.

Përballje e “zjarret” do të zhvillohet sonte (e mërkurë) në Ligën e Kampionëve mes kampiones se Italisë, Inter dhe Liverpoolit. Ndeshja që zhvillohet në “San Siro” është e para e 1/16 mes këtyre skuadrave. “Reds” ishin një nga tri skuadrat e këtij kompeticioni që përfunduan fazën e grupeve me një rekord të qind për qind, kurse “nerazzurri” përfunduan në vendin e dytë pas Real Madridit.

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi e ka pranuar se Liverpooli është favorit në letër, por beson se diferencën e bënë vendosmëria. Trajneri italian e ka lavdëruar skuadrën e drejtuar nga Jurgen Klopp, duke thënë se është ndër më të mirat në Evropë.

“Mendoj se klubet angleze janë shumë të forta, të gjitha kanë dalë të parat të grupe përveç Chelseat. Liverpooli është një nga skuadrat më të mira në Evropë, por djemtë tanë i meritojnë këto lloj ndeshjesh. Nuk kemi luajtur në raundin e 16 për shumë vite dhe megjithëse do të jetë e vështirë, do përpiqemi t’ia dalim. Në letër Liverpooli është favorit, por ndeshjet duhet të luhen. Unë do u kërkoj djemve të dalin në fushë dhe të luajnë lirshëm, për të treguar idetë tona. Vendosmëria do të bëjë diferencën”, ka thënë Inzaghi.

Interi në këtë ndeshje do jetë pa Joaquin Correan dhe Robin Gosens të lënduar, kurse Nicolo Barella është i pezulluar pas shkarkimit ndaj Real Madridit në ndeshjen e fundit të grupit. Në anën tjetër Liverpooli nuk ka telashe me mungesa. Trajneri i Liverpoolit, Juregn Klopp duke folur për ndeshjen ndaj kampionëve të Italisë, ka thënë se është një ndeshje shumë e vështirë.

“Nëse do të arrijmë të dominojmë, do të jetë mirë. Interi do të mbrohet në mënyrë kompakte, do të luajmë kundër një ekipi shumë të fortë, më i miri në Itali. ‘Zikaltrit’ janë ekip më i fortë se vjet, më të disiplinuar dhe të përgatitur mirë. Do të përballemi me një ekip të jashtëzakonshëm dhe do të duhet të luajmë një ndeshje të jashtëzakonshme. Liverpooli favorit ngaqë i fitoi të gjitha ndeshjet e fazës së grupit? Historikisht, rezultatet e grupit nuk vlejnë për asgjë… Kuptohet, ishte bukur t’i fitonim të gjitha, nuk e mendoja se ishte e mundur. Megjithatë, është e kaluara. Do të duhet të përdorim përvojën tonë, e dimë që jemi ekip i fortë, por vlerësojmë edhe Interin. Do të jetë një ndeshje e vështirë”, ka deklaruar Klopp. Sonte zhvillohet edhe ndeshja tjetër mes Salzburgut dhe Bayern Munchen, e cila për gjermanët duket e lehtë në letër. Të dyja këto ndeshje të Ligës së Kampionëve fillojnë nga ora 21:00.

Formacionet e mundshme:

Inter: Handanoviq; Skriniar, De Vrij, Bastoni; Dumfries, Vidal, Brozoviq, Calhanoglu, Perisiq; Martinez, Dzeko.

Liverpooli: Alisson; Alexander-Arnold, Matip, Van Dijk, Robertson; Henderson, Fabinho, Thiago; Salah, Jota, Mane.

Të mërkurën takohen:
21:00 Salzburg – Bayern Munchen
21:00 Inter – Liverpool

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE),…