INTERMECO MIDIS ILEGALIT DHE BURGUT
Disa pika kulmore në librin “Shenja e Përkatësisë” të Gani Sylajt
Libri “Shenja e përkatësisë” përmban 24 rrëfime. Këto rrëfime nuk janë imagjinatave as fantastike, por tregime jetësore në të cilat vlen për t’u theksuar pikë vështrimi origjinal i autorit, i bazuar në perceptimin individual të jetës. Ky perceptim nuk koklavitet me dije librash e teorish të autorëve tjerë, por për bazë ka vëzhgime, analiza, sinteza dhe vlerësime të arrira nga vetë autori, që kalon nëpër faza jetësore, prej ambientit të vendlindjes (rurale) në një ambient urban, në kryeqytet, në Prishtinë.
Natyra e robërisë
Ngjarjet që nguliten në mendjen e njeriut në fëmijëri jetojnë përjetë në kujtesë. Në tregimin që në titull përmban një emër dhe një mbiemër “Fazli Greiçevci”, autori nxjerr në pah figurën humane dhe pedagogjike të mësuesit të tij, që bëhet frymëzim jetësor, orientues i rrugës politike dhe qëndresës, mos përkuljes në burg. Në librin “Burg pas burgu” Ganiu shkruan me konsideratë të lartë për qëndresën e Fazli Greiçevcit, Rexhep Malës, Ilmi Ramadanit, Metush Krasniqit etj. Vrasjen nën tortura të mësuesit patriot autori e përkufizon më së miri me rritjen e fjalëve të ndaluara. Në këtë tregim ajo çka arrin vlerë të lartë estetike, përpos të kuptuarit të krimit shtetëror serb, dhembshurisë për mësuesin patriot, fillesën e pjekurisë së parakohshme, është paraqitja vizuale se si i shkruan autori emrat e ndaluar, emrin Shqipëri dhe Fazli:
“Të rriturit na porosisnin që të kishim kujdes e të mos i nxirrnim disa fjalë jashtë shtëpisë. Që nga ajo kohë, kur doja të thosha diçka heretike, nuk e pëshpëritja me gojë, por me gishtin tregues e shkruaja në ajër. E dija se vetëm në ajër dhe ujë nuk mund të mbeteshin gjurmët… Fjala e parë që pata shkruar ishte fjala Shqipëri.
Kur vranë mësuesin Fazli, u ndalua emri i tij! Kur bija për të fjetur e nuk më zinte gjumi, ngritja dorën lart dhe me gisht tregues në terrin e natës shkruaja në ajër: Shqipëri dhe Fazli. Sa më shumë që koha rridhte, aq më shumë shtohej numri i fjalëve të ndaluara.” (f.46)
Tregimi “Vrasja e Kadri Belit” shpalon peshën e krimit “post festum” të brigadave serbe që e dërmuan Drenicën në muajt e administrimit ushtarak, përmasat e krimeve të forcave mikste partizane çetnike, që vrisnin burrërinë dhe djalërinë shqiptare pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në mendjen dhe përfytyrimet e autorit, thadruar në kujtimet e fëmijërisë, vrasja dhe hedhja në bunar e trupit të Kadri Belit është vazhdim i hakmarrjes së UDB-së, ngase babai i tij ishte luftëtar i shquar i Brigadës së Shaban Polluzhës. Kjo vrasje tronditëse ndodhi në vitin 1962, në kulmin e fuqisë politike të antishqiptarit numër një pas Luftës së Dytë Botërore, serbit Aleksandër Rankoviq (f. 25).
Mulliri dhe fryma jugosllave e Prishtinës, kryeqytet
Dy tregimet më të mira të librit janë “Mulliri ynë” dhe “Prishtina kryeqytet me shenjat e pushtimit jugosllav”. Në fakt edhe njëri edhe tjetri më shumë se tregime – rrëfime janë ese. I pari shkrim eseistik etnografik, i dyti një ese e arrirë, thua se e ka shkruar një urbanist me dije dhe shije të hollë.
Përmes figurës së mullirit autori e shpjegon në mënyrë metaforike filozofinë jugosllave të bluarjes së popujve jo sllavë, konkretisht të shqiptarëve. Procesi i bluarjes atij i asocion edhe gjatë torturave, në librin “Burg pas burgu”, kur si kokrra e misrit që goditet nga guri për t’u thërrmuar, ashtu goditej edhe i burgosuri politik, i çarkuar nga një e më shumë inspektorë.
Leximi i shenjave jugosllave në planin urbanistik të Prishtinës ta kujton një fakt historik që lidhet me qytetin e Tiranës gjatë periudhës së pushtimit italian 1939 – 1942. Arkitektët italianë përmes organizimit urbanistik të ndërtesave, shesheve dhe rrugëve të Tiranës kishin krijuar figurën Sëpatës së Liktorit (Duçes). Po ashtu, Prishtina, që bëhet kryeqytet pas Luftës së Dytë Botërore, i nënshtrohet një intervenimi me fytyrë jugosllave. Pikësëpari, administrata qendrore e Kosovës tërhiqet nga Prizreni, një qytet me rrënjë historike, selia e organizatës politike ushtarake të Lidhjes Shqiptare. Gjeografikisht Prishtina ishte më afër Beogradit. Dhe kështu, kjo qendër e re duke kaluar vit pas viti, nga një kasaba turke po merrte shenjat e ndërtimit, me paramendim, për ta mbjellë frymën serbe dhe jugosllave. Autori me mprehtësi ka treguar përse kryeqyteti i Kosovës nuk ka udhëkryq normal. Pse është ndërtua Trekëndëshi i vëllazërim bashkimit, pse ai është objekt më i lartë se ndërtesa e komunës dhe ajo e Kuvendit.
Po ashtu, autori gjen arsyet përse disa blloqe ndërtesash ngriheshin më të larta se godinat e Universitetit, pse në kampusin e Universitetit u ngrit një kishë ortodokse më e lartë se Biblioteka Kombëtare, pse konviktet e studentëve janë të rrethuara nga rrugë të gjera (për të marshuar më lehtë dhe më shpejt me tanke etj. që të shtypen protestat kryengritëse). Edhe heqjen e gurëve të kalldrëmit dhe zëvendësimin e tyre me asfalt, urbanistët jugosllav e bënë me qëllim, kur gurëzit katrorë u vunë në përdorim nga demonstruesit e 1968-ës. Sistemimi i njerëzve të elitës komuniste shqiptare, serbe dhe malazeze nëpër lagje të caktuara të Prishtinës, nga autori është vërejtur me një hollësi dhe mprehtësi të rrallë.
Simbolet e masës
Në tregimin me emër “Simbolet”, por edhe tjetrin “Vizatimi i shqiponjës”, autori gjen emëruesin e përbashkët të simbolit të masës për shqiptarët. (Këtë fenomen, simbolin e masës tek kombet e Evropës deri në fund e ka studiuar dhe sistemuar nobelisti Elias Canetti në librin “Masa dhe pushteti).
Flamuri kombëtar, Gjergj Kastrioti dhe Emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për autorin Gani Sylaj mbeten simbole që bashkojnë shqiptarët. Për të treguar se sa i rëndësishëm ishte 500 vetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit, autori pos bazës historike në një fusnotë jep një betim mjaft domethënës, atë të profesorit të tij në Shkollën “Normale”, Faruk Veliu i cili në vend të Zotit, nënës a babait, betohet me shprehjen “Pasha Gergjin”(129).
Edhe në tregimet tjera si “Dy Brahimat”, autori pos një kujtese për ditët e fëmijërisë, pos frymëzimet nga rrëfimtari Brahim i Verës, gjithmonë synon dhe gjen porosinë me palcë atdhetare. Sipas tij, fuqi mbi fuqinë e heronjve të eposit të kreshnikëve është organizimi i masës kundër pushtimit shekullor të Kosovës.
Tregimi brenda tregimit për shenjat jugosllave të kryeqytetit për vendin ku pushkatoheshin shqiptarët patriotë, por edhe ata të pafajshëm, vetëm për faktin pse ishin shqiptarë, pra Pushaktimorja, nëse mund të bëhej përkthimi i dhunshëm i fjalës serbe “strelishta”, njohja me ndarjen mbi baza kombëtare të korzos së Prishtinës, frika për të udhëtuar me të rënë të territ nëpër vendbanime ku kishte serbë (Biçikleta) rreziku i udhëtimit nëpër vendet publike në Maqedoni (Mysafir rasti në Haraçinë), si dhe disa mini tregime tjera, bëjnë që libri “Shenja e Përkatësisë” të funksionojë si një intermeco midis librit “iLegal viteve shtatëdhjetë” dhe atij vijues autobiografik “Burg pas burgu”.
Lausanne, 20 janar 2020
I.S