Interpoli
Shkruan: Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë
Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran, i njohur ndërkombëtarisht prej 119 vendeve të botës.
Kam për ta përsëritur këtë shumë herë në shkrimet e mia. Nuk do të ndalem së përsërituri sepse është një ndjenjë krenarie dhe është e veçantë.
Më 17.02.2008 ka filluar çdo gjë…-Kemi shpallur pavarësinë e Kosovës, e kështu do të jetë për sa të ekzistoj jeta në tokë.
Ne gjithsesi prej shpalljes së pavarësisë, mundohemi duke lobuar që të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, sepse aty edhe e kemi vendin, jemi shtet i pavarur dhe Sovran.
Interpoli bënë pjesë në këto organizata, ku ne si shtet synojmë të anëtarësohemi, kjo është esenciale e jetike sepse rëndësia e anëtarësimit është e veçantë. Nuk mjafton të jemi vetëm aktiv në lobim sepse duhet të jemi shumë proaktiv.
PSE?!
E mbani në mend shumë mirë tentim poshtërimet që na janë bërë si shtet, me arrestimet e liderëve dhe shtetasve tanë anembanë Evropës dhe botës me fletarrestim të pa baza dhe puro politike?!
Serbia na e bëri këtë tentim poshtërimi dhe dështoi si gjithmonë në fakte dhe në vepër.
Nuk patën sukses, sepse Interpoli nuk i përfilli më kërkesat e Serbisë, dhe në çdo gjykim të liderëve dhe shtetasve tanë duke kërkuar ekstradimin e tyre në Serbi, akuzat hidheshin poshtë si absolutisht të pa baza.
Pra, qëllimi i tyre ka qenë vetëm poshtërimi, dhe kjo nuk do elaborim më shumë…
Në rastin tonë pra me Kosovën, është esenciale dhe imediate, që ne të pranohemi ne Interpol si anëtare i plotë dhe e barabartë dhe po e përsëris si anëtare e plotë dhe e barabartë, me të drejta të barabarta.
Ne kemi një zyrë për bashkëpunim me Interpolin në kuadër të Policisë së Kosovës, për shkëmbim informatash etj. Por, kjo nuk mjafton. -Ju lutem, më lejoni të përsërisë vetëm edhe njëherë: Zyra për bashkëpunim, nuk mjafton!
Me anëtarësimin e plotë në Interpol, shumë vuajtje tona marrin fund.-Shumë kriminel të luftës që na kanë vrarë dhe masakruar, duke mos zgjedhur as moshë as gjini, do të mbylleshin aty ku janë, dhe do te silleshin në rrethin e tyre vicioz , pa marr parasysh se kush janë ata dhe çfarë poste gëzojnë. Për ne si shtet ka rëndësi që ata janë kriminel dhe fletë arrestet me fakte të pa tjetërsueshme i kishim shpërndarë ne si shtet anekënd Globit.
E drejta do te vuhej në vendin e vet dhe kriminelët do të shkonin aty ku e meritojnë, burgun dhe vetëm burgun.
“Kriminelët do të përgjigjeshin para drejtësisë, herët a vonë. Ne po presim qe t’ju arrestojmë e është fakt që edhe durimit tonë po i vie keq për durimin që po e bëjmë.
Por, mos të harrojmë se durimi ka shpërblimin e vet, dhe shpërblimi do te jetë kur ata të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar për veprat e tyre të shëmtuara.”
Është e dyta herë që ne dështojmë në anëtarësim për shkaqe të ndryshme puro politike, por nuk ka dhe nuk duhet të ketë dorëzim. Duhet të jetë e kundërta dhe nuk mjafton të jemi vetëm aktiv në këtë aspekt, sepse proaktiviteti është ajo që na nevojitet.
Serbia lobon shumë dhe investon edhe me shumë që ne si shtet, mos të anëtarësohemi. Jam i bindur se e pret humbja dhe arrestimet. -Andaj ne duhet të jemi proaktiv në anëtarësim dhe assesi JO vetëm aktiv, thjesht nuk mjafton pikë.
Çka është Interpoli
Organet e policisë në bashkëpunimin më intensivë ndërkombëtare në kuadër të evitimit dhe luftimit të kriminalitetit, e realizojnë përmes Interpolit (Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminalistike).
Që nga themelimi i saj e deri më sot kjo organizatë ndërkombëtare vazhdimisht zhvillohet jo vetëm në aspektin e vëllimit të punëve, metodave dhe mjeteve, por edhe për nga numri i shteteve, policitë e të cilave janë bërë anëtarë të saj.
Fillimi i bashkëpunimit të organizimit të disa policive në planin ndërkombëtar, daton që nga viti 1914, kur është mbajtur Kongresi Ndërkombëtarë i Policisë Gjyqësore në Monako.
Në atë kongres është shqyrtuar mundësia e formimit të kartotekës policore ndërkombëtare dhe janë harmonizuar disa rregulla të procedurave të ekstradimit. Kongresi i Dytë Ndërkombëtar, është mbajtur në Vjenë, më 1923.
Asociacioni policor ka marrë emrin e Komisionit Ndërkombëtar të policisë kriminalistike me seli në Vjenë.
Organizata më 1955, i kishte 50 shtete anëtare, më 1967, 100 të tillë, më 1990 kishte 154 anëtarë, më 1992 ishin 169 anëtarë, kurse më 1993 I kishte 176 vende anëtare. -Interpoli deri në vitin 2004 ka mbledhur 182 vende anëtare.
Interpoli gëzon statusin e organizatës ndërkombëtare. Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminalistike është e rregulluar në mënyrë funksionale pa formalizëm të madh, gjë që edhe është kusht për bashkëpunimin e suksesshëm policor.
Organet udhëheqëse dhe ato të punës së Organizatës së Interpolit janë: Asambleja e Përgjithshme, Komiteti Ekzekutiv, Sekretari i Përgjithshëm dhe Sekretariati i Përgjithshëm, si organe profesionale dhe administrative teknike të cilat mundësojnë funksionimin permanent të organizatës, të byrove nacionale qendrore. Këshilltarët, si kolegj i përbërë nga bashkëpunëtorët profesionalë dhe punëtorët shkencorë të cilët i propozon.
Sekretariati i Përgjithshëm dhe Asambleja e Përgjithshme i miraton me mandate prej 3 vjetësh.
Sekretariati përgjithshëm është koordinator global i bashkëpunimit kriminalistik në kundërvënien ndaj kriminalitetit, me çka mundësohet shkëmbimi i të dhënave policore, gjegjësisht përpunimi i tyre, analiza dhe ruajtja.
Synimi i bashkëpunimit është luftimi i organizatave kriminale dhe i keqpërdorimit të narkotikëve, i kriminalitetit financiar dhe HIGHTECH, terrorizimit, tregtisë me qenie njerëzore si dhe gjurmimi apo kërkimi i personave ndaj të cilëve është lëshuar fletarresti ndërkombëtar.
Interpoli si qendër koordinuese për luftën kundër kriminalitetit ndërkombëtarë intervenon sipas kërkesës së shërbimeve policore dhe të organeve gjyqësore të shteteve anëtare, në evitimin dhe represionin e vrasjeve, kidnapimeve, në rastet e pengjeve, kundër tregtisë me njerëz, kundër akteve kriminale të kryera kundër sigurisë në fluturimet ajrore, kundër terrorizmit, etj.
Pastaj kundër veprave penale të kryera kundër pasurisë siç janë vjedhjet, tregtia ilegale e sendeve me vlerë artistike, tregtisë ilegale me llojet e shtazëve të cilat janë të rralla, shpërlaja e parave etj.
Flet-arrestet e kuqe
Këtë flet-arrest e lëshon Sekretariati i Përgjithshëm në bazë të urdhëresës së organeve kombëtare për privim nga liria të personave të caktuar, e që në esencë është kërkesë e shtetit tjetër për ekstradim të personit të arrestuar.
Kërkesa për flet-arrest të kuq, të cilin e dërgon shteti anëtar, për t’u konsideruar i ligjshëm në pikëpamje juridike, duhet ta ketë përshkrimin e përmbajtjes së bashku me kërkesën për privim nga liria.
Fletë arrestet e tilla përbëhen nga fleta kryesore dhe tri pjesë të tjera siç janë: të dhënat identifikuese për personin, të dhënat ligjore dhe aksionet që duhet ndërmarrë për zbulimin e personit, etj.
Pastaj në kërkesë shënohet emri i shtetit dhe BQN-ja e cila inicion lëshimin e flet arrestit, data dhe numri i dosjes, si dhe informata për atë se a kërkohet personi për qëllime të zhvillimit të procedurës penale, apo për vuajtjen e dënimit të shqiptuar nga ana e organeve gjyqësore.
Flet-arrestet e kaltra
Lëshohen me qëllim të mbledhjes së informatave për identitetin e ndonjë personi, të informatave gjyqësore, të informatave për aktivitetet kriminale të personit të caktuar, dhe apo për vendndodhjen e personit të tillë, gjegjësisht për vendbanimin e tij.
Këto fletarrestime shfrytëzohen në rastet e kriminelëve të paidentifikuar ose të identitetit të pasigurt të personave të caktuar, për gjetjen e dëshmitarëve të veprave penale dhe për marrjen e tyre në pyetje nga ana e policisë.
Fletarestet e kaltra shpesh iu paraprijnë të kuqeve, dhe nëse jepet urdhëresa për arrestim të personit të caktuar, atëherë ajo zëvendësohet me fletarrest të kuq.
Flet-arresti i gjelbër
Këto përmbajnë informata për aktivitetet kriminale të disa personave.
Për këtë lloj fletarresti, është e nevojshme informata për aktivitetet e tilla, së paku nga tri shtete të ndryshme, me përjashtim të tregtisë së organizuar ilegale të “Engjëjve të ferrit” dhe pedofilisë sepse këto i lëshon Sekretariati i Përgjithshëm me vetiniciativë.
Flet-arrestet e verdha
Këto kanë të bëjnë me personat e zhdukur, si dhe me personat të cilët nuk janë në gjendje të vet-identifikohen apo me fëmijë viktima të kidnapimit nga prindërit.
Flet-arrestet e zeza
Kanë të bëjnë me kufomat e paidentifikuara.
Flet-arrestet e portokallta
Këto tregojnë për kërcënime të mundshme, gjegjësisht për rrezikun nga armët e fshehura dhe nga mjetet e ndryshme, të cilat mund t’i lëndojnë njerëzit , siç janë psh: lapsat pishtole, arma e fshehur e kalibrit 8mm, letra bombë, çantat eksploduese, pjesët e bombave dhe projektimeve, etj.
Dhe për fund: Ky shtet e meriton që të anëtarësohet në Interpol dhe në s organizatat tjera ndërkombëtare. -Ne jemi serioz dhe sillemi si shtet serioz, kemi kapacitete të plota operacionale teknike dhe humane.
Prandaj është koha që edhe ne ta bëjmë vendin tonë në Interpoll.
Mitrovicë 26.11.2021