Intervista e Fidel Castros më 1961, në prag të kërcënimit bërthamor
Nga: Myles Burke / BBC
Më 26 qershor 1961, në një fermë jashtë Havanës, Robin Day i programit Panorama të BBC-së u ul pranë 34-vjeçarit Fidel Castro, për të folur rreth ndryshimeve që kishin ndodhur në ishull, qëkur ai kishte udhëhequr revolucionin për të përmbysur diktatorin e Kubës, Fulgencio Batista.
Castro ishte intervistues i këndshëm, në disa raste bishtnues, i etshëm për t’i lënë përshtypje gazetarit të BBC-së se si politika e Reformës Agrare – të cilën ai e kishte nënshkruar pak më shumë se dy vjet më parë – po përmirësonte jetën e kubanëve, dhe gjithashtu për të folur për dëshirën e tij për marrëdhënie paqësore me ShBA-në.
Pak gjëra në intervistën në dukje të veçantë, tregonin se sa e vështirë dhe e rrezikshme po bëhej situata midis Kubës dhe ShBA-së.
Day ishte njëri nga një numër i gazetarëve të ftuar, ndërsa udhëheqësi revolucionar ishte në disponim pozitiv teksa ata bënin turne nëpër fshatrat e Kubës.
“Është orator i lindur me rrjedhë të pafund të fjalëve”, raportoi Day duke rrëfyer se Castro i kishte lënë mjaft përshtypje teksa grupit i fliste për vizionin e tij për vendin.
“Nuk duhet të konsiderohet si i krisur apo palaço. I la përshtypje edhe gazetarit të New York Times-it, si njeri mendjemprehtë, erudit dhe i zoti. Është magjepsës, kudo që shkon”, tha Day.
Castro donte t’ua tregonte atyre mbështetjen në mesin e popullit kuban, ndaj më parë i kishte çuar në një fermë të re shtetërore ku punëtorët e plantacioneve ishin grumbulluar për të biseduar me të dhe ai i kishte inkurajuar gazetarët që t’i pyesnin ata.
Për udhëheqësin kuban, qëllimi kryesor i revolucionit ishte fuqizimi i të varfërve të ishullit dhe përmirësimi i kushteve të tyre të jetesës. Kjo ambicie ishte mishëruar në Aktin e Reformës Agrare të cilin Castro e nënshkroi në ligj në maj të vitit 1959, duke përmbysur modelet shekullore të shfrytëzimit në Kubë.
Para revolucionit, zona të mëdha të tokave kubane gjendeshin në duart e disa familjeve të pasura dhe kompanive të huaja shumëkombëshe, si Coca-Cola dhe United Fruit.
Shumica e fshatarëve kubanë punonin si punëtorë për ta, shpeshherë në kushte shtypëse, ose luftuan për të mbijetuar si fermerë fshatarë në parcela të pakta toke, të rrezikuar nga dëbimet e paligjshme.
Kjo pabarazi e ashpër kishte rrënjosur varfërinë në ishull dhe kishte siguruar terren pjellor për rrënjët e idealeve prapa revolucionit të Castros. Ligji i Reformës Agrare ndaloi gjithë pronësinë e huaj të tokës dhe u konfiskuan pronat me mbi 1000 hektarë.
Këto toka ishin rishpërndarë, disa u kthyen në komuna shtetërore, të tjerat iu dhanë rreth 200 mijë fshatarëve që morën tapitë e tokave. Castro me sa duket e kishte zemëruar edhe nënën e vet duke konfiskuar disa nga pasuritë e familjes në Finka Las Manakas.
Castro donte t’i tregonte ekipit të gazetarëve se ai ligj, i cili sot mbetet baza e modelit bujqësor të Kubës, po ndryshonte për të mirë jetën e kubanëve të zakonshëm.
“Keni udhëtuar nëpër Kubë, çfarë keni parë gjatë udhëtimit [tuaj]? Të gjithë punojnë, të gjithë janë të lumtur. A i keni parë vështirësitë ekonomike?” – i tha ai Dayt.
Por, përtej miqësisë sipërfaqësore në turne, situata nuk mund të ishte më e tensionuar.
Ligji e kishte vënë qeverinë e Castros në mosmarrëveshje me Uashingtonin dhe udhëtimi ishte organizuar si pjesë e ofensivës për të lënë përshtypje, në përpjekjen për të ndryshuar situatën e përkeqësuar midis dy kombeve.
Ngritja e papritur e Castros në pushtet kishte shkaktuar probleme të thella ndërkombëtare për ishullin e vogël të Karaibeve. Qeveria amerikane, në veçanti, ishte fuqimisht kundër eksperimentit socialist të Kubës. Diktatura ushtarake e Batistas, ndonëse ishte e korruptuar, shtypëse dhe thellësisht jopopullore për kubanët, kishte qenë ashiqare pro-ShBA-së dhe regjimi shihej si aleat i bizneseve amerikane që zotëronin pjesën më të madhe të industrisë së vendit.