Intervista e Thaçit – përjetim apo presion? (1)

01 shtator 2023 | 16:18

Shkruan: Agron Hoti

Njoftimi i paracaditshëm i drejtuesit të mediumit online “Nacionale”, Berat Buzhala, për një intervistë me ish-kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilën ai e pati cilësuar si “eksplozive dhe ekskluzive”, do të përbëjë padyshim njërin ndër lajmet kryesore në Kosovë dhe jo vetëm.

Nëse intervista lejohet të publikohet, ajo do të jetë personale ose politike. Nëse është vetëm përjetim personal, do të jetë vetëm “ekskluzive”, ngase është e para që pas shkuarjes së Thaçit në Hagë, ndërsa nëse është politike, atëherë do të jetë dhe “eksplozive”, sepse deri më tani askush nga të akuzuarit e Kosovës nga Specialja apo Tribunali i Hagës s’është lejuar të japë deklarata politike e aq më pak gjatë procesit të gjykimit.

Nëse intervista do të jetë “eksplozive”, atëherë i ajo përgjigjet drejtpërdrejtë ngutisë amerikane për ta rritur presionin ndaj Qeverisë së Kosovës për ta nxjerrë Kosovën nga kurtha ku vendi tanimë edhe zyrtarisht është futur nën masa ndëshkimore perëndimore. Intervista, pra, vjen në një kohë kur SHBA është duke këmbëngulur në zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit mes Kosovës dhe Serbisë, për ta larguar kështu sa më shpejtë Rusinë nga Ballkani Perëndimor dhe për ta kthyer këtë të fundit përfundimisht dhe tërësisht kah Perëndimi. Jo-rastësisht SHBA ka ri-dinamizuar së fundmi dhe aleancat në Evropë duke u përqendruar kryesisht te Britania e Madhe, Gjermania e ri-armatosur dhe Evropa Lindore me Poloninë në epiqendër të interesave amerikane, duke e përfshirë në këtë mes dhe Evropën Juglindore, Turqinë dhe Kaukazin Jugor për ta rrethuar kështu Pellgun e Detit të Zi në disfavor të Rusisë.

Se çfarë mesazhesh do të mund të përçonte një intervistë politike e Thaçit në rrafshin ndërkombëtar dhe kombëtar do të mundohem ta shtjelloj si më poshtë:

Zhvillimet ndërkombëtare mes SHBA-së, Evropës e Azisë

Zhvillimet politike ndërkombëtare rrallë ndodhin të shkëputura nga njëra tjetra. Një krizë, avari e madhe (p.sh. ngujimi i paracavitshëm i anijes transportuese në Kanalin e Suezit), ose një tension, luftë, projeksion apo garë zhvillimore mes dy apo më shumë shteteve të fuqishme nuk lë pa prekur pothuajse tërë globin. Dhe këtë garë të pandalshme ndërkombëtare superfuqitë dhe shtetet e fuqishme, edhe kur janë në raporte rivaliteti mes tyre, e që në fakt gjithmonë janë, më parë preferojnë shmangien sesa përballjen e drejtpërdrejtë mes tyre dhe këtë e bëjnë pikërisht pse i dinë shumë mirë pasojat e përballjes.

Më lehtë është për Iranin ta pengojë së brendshmi konsolidimin e demokracisë në Irak, Siri, Jemen, Liban, sepse vetëm kështu Irani sfidon Perëndimin, më konkretisht SHBA-në dhe kundërbalancon Arabinë Saudite, Egjiptin, Turqinë, Izraelin e SHBA-në, etj, sesa të përballet drejtpërdrejtë ushtarakisht me këto shtete, ose shumë më lehtë është për SHBA ta mbështesë rezistencën e Ukrainës kundër Rusisë sesa të futet drejtpërdrejtë në luftë kundër Rusisë, ose më lehtë është për SHBA ta bëjë tërë Evropën për vete për ta sfiduar Rusinë ose ta bëjë për vete Azinë Lindore e Juglindore për ta sfiduar Kinën sesa të përballet drejtpërdrejtë me Kinën; edhe për Rusinë është shumë më lehtë të përballet ushtarakisht me Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, ta nxisë Serbinë në Veri të Kosovës e Bosnje e Hercegovinë, ta korruptojë e përçajë BE-në sesa t’i hapë front drejtpërdrejtë SHBA-së.

Shumë më lehtë për Francën është ta mbështesë Greqinë ndaj Turqisë në Mesdhe dhe pse jo së fundmi edhe ndaj Shqipërisë së faktorizuar nga SHBA, pastaj ta mbështesë Serbinë për të mos e zgjidhur problemin me Kosovë së paku jo siç po kërkon SHBA, sepse vetëm një Ballkan i trazuar si thikë mes BE-së dhe Turqisë pengon çfarëdo aleance të mëtejme ekonomike mes Gjermanisë dhe Turqisë, pastaj rritja e bashkëpunimin ekonomik mes Francës me Arabi Saudite, Liban e Izrael bëhet për ta kundërbalancuar Turqinë dhe SHBA-në, pastaj rritja e bashkëpunimit të Francës me Rusi në Arktik e aq më tepër rikthimi i Francës kah Mesdheu tregon për rirreshtimet më të fundit të shtetit francez përballë rirreshtimeve të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Edhe një hapësirë shqiptare e fuqishme me Tiranën tanimë në epiqendër të shqiptarëve bashkë me Italinë pengojnë çfarëdo depërtimi rus në Adriatik si interes jetik i SHBA-së dhe tërë Perëndimit; një Turqi e fortë në Mesdhe e pengon çfarëdo dalje ruse në ujëra të Mesdheut që është interes jetik i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe para se gjithash. Një ndalje e refugjatëve nga Turqia që do të synonin Evropën, parandalon rritjen e ekstremit të djathtë në Gjermani. Ose më lehtë për Turqinë për ta sfiduar Perëndimin është xhamijëzimi i përditshmërisë në Bosnje, Shqipëri, Maqedoni të Veriut e Kosovë, sesa të përballet drejtpërdrejtë me Perëndimin.

Superfuqitë dhe shtetet e fuqishme përdorin të gjithë mekanizmat politikë, ekonomikë, fetarë dhe pse jo edhe ushtarakë për aq sa e mundshme për të zgjeruar aleancat e tyre, sepse një përkrahës më shumë, në praktikë do të thotë një ushtar më shumë në ditë të liga. Kjo mënyrë aleancizimi nuk ka ndryshuar që prej se ekziston njerëzimi dhe nuk do të ndryshojë as në të ardhmen. Rritja e kontrollit të Turqisë nëpër xhamia të Ballkanit Perëndimor, automatikisht do të thotë më shumë mbështetës apo më konkretisht ushtarë për kauzën turke në ditë të liga. Festimet në Kosovë për fitoren elektorale të Erdoganit në  zgjedhjet e fundit presidenciale në Turqi e konfirmojnë më së miri investimin turk në Kosovë. Dhe pak a shumë kështu vazhdon aleancizimi në glob.

Kështu Kina në pamundësi që të përballet sot me flotën detare amerikane në Detin e Kinës Jugore ka zgjedhur të investojë edhe më tej në flotën e saj me shpresën e një përballjeje të mëvonshme me SHBA, ose p.sh. derisa SHBA ishte e nxënë me luftën e saj ndaj terrorizmit 2001-2021 në Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore, Kina po mundohej ta rriste prezencën e saj ushtarake në Indo-pacifik dhe të depërtonte sa më thellë ekonomikisht në Evropë, Afrikë dhe Amerikë Jugore. Të njëjtën gjë po bënte Rusia, duke e futur Evropën gjithnjë e më shumë nën varësinë energjetike të saj si dhe duke iu bashkuar Kinës në BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë Jugore), a tëra kjo për t’i konkurruar Perëndimit, e para se gjithash SHBA-së.

Nuk ishte kurrfarë rastësie që politikanë të caktuar evropianë po flirtonin hapur me Kinën, Rusinë, Iranin, Vendet Arabe e Turqinë duke harruar kështu që SHBA vazhdon edhe sot t’i ruajë shpinën Evropës pikërisht nga shtetet e lartpërmendura, me theks të veçantë nga Rusia e Kina. Mos-koordinimi apo thënë më mirë rezistimi i evropianëve ndaj SHBA-së për t’i rritur shpenzimet ushtarake të NATO-s nga secili shtet anëtar përballë një rrezikimi të Perëndimit nga Kina e Rusia me aleatë të tyre, po e trimëronte gjithnjë e më shumë Rusinë dhe Kinën, të cilat po fitonin terren para se gjithash në Evropën e dobët ushtarakisht dhe të përçarë politikisht.

Fatkeqësisht, politikanë të shumtë evropianë kishin rrëshqitur nën korrupsionin e llahtarshëm të nxitur nga Kina e Rusia dhe as që po iu bënte se ç’po paralajmëronte SHBA për rrezikun rus e kinez sidomos që nga koha e Presidentit Obama, Trump që kulmoi me Biden. Ishte për keqardhje kur BE po kritikonte vendet e Ballkanit Perëndimor për korrupsion, gjersa elita e saj politike ishte zhytur deri në fyt në korrupsionin e nxitur gjithandej BE-së dhe institucioneve të saj nga dinozaurët aziatikë.

Por, për fat të mirë dhe për më tepër për fatin e mirë dhe të rrallë të shqiptarëve, pas rënies së Bashkimit Sovjetik si Superfuqi, është vetëm një shtet në glob që ka qasje globale ndaj problemeve globale, e ajo është vetëm SHBA. Ndërkohë ishte pandemia COVID-19 ajo që përshpejtoi rënien e rritjes ekonomike kineze, dridhi ekonominë ruse si dhe tërë atë evropiane dhe ku më pas të gjithëve iu desh t’i ktheheshin vetvetes.

Kina për t’i tejkaluar problemet e brendshme, për t’i neutralizuar kundërshtarët e brendshëm politikë dhe për të parandaluar ndonjë krizë politike të mundshme, po projektonte nacionalizëm përballë Tajvanit dhe mbështeste Korenë Veriore kundër asaj Jugore, ndërkohë që Rusia po projektonte luftë kundër Ukrainës si dhe po e kaotizonte Evropën. Lojë kjo e njohur historikisht kur një shtet për shkak të telasheve të brendshme, fajtorin e projekton nga jashtë. Edhe BE veçse kishte filluar të shpërbëhej me Brexit në maje të gjithë kësaj.

Sigurisht që e tëra kjo po i sillte avantazhe veprimi SHBA-së, ekonomia e së cilës, meqë varej shumë më pak nga eksporti (vetëm 10% të GDP-së) sesa ekonomitë e lartpërmendura (p.sh. BE eksporton mbi 50% të GDP-së), e mori veten më shpejtë se gjithë konkurrentët globalë. Në këtë kuadër SHBA po tërhiqej përfundimisht nga Afganistani ku kishte parandaluar një aleancë të madhe të mundshme mes vendeve islame dhe Rusisë për t’iu kthyer menjëherë Evropës së dobët ushtarakisht dhe të përçarë politikisht, kjo e fundit veçse po rrëshqiste pothuajse tërësisht nën kontrollin e Moskës dhe pse jo të Pekinit. Nuk duhet harruar asnjëherë se një kombinim i trurit, kapitalit dhe teknologjisë evropiane me resurset e pafundme ruse do të mund të ndërtonte Superfuqinë e Euroazisë gjithnjë sipas kushteve ruse dhe kjo do ta sfidonte seriozisht supremacinë e SHBA-së si Superfuqia e vetme në glob. Prandaj, SHBA aktualisht është e përqendruar në Evropë ku edhe po kërkon me nguti mbylljen e problemeve që mund të rezultojnë me luftëra rajonale siç p.sh. është problemi Kosovë-Serbi, për t’iu kthyer më pas Azisë Lindore me Kinën në epiqendër të zhvillimeve atje. (vazhdon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhiro e tretë e kampionatit italian të futbollit, Serie-A do…