Intervista që përgënjeshtroi Fadil Gecin: UÇK-ja njeh për ideologji vetëm shqiptarizmin

23 tetor 2024 | 15:57

Gjatë tërë kohës së dëshmisë në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, Fadil Geci i cilësonte si “LPK”-istë “marksistë-leninistë” Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin. Për të demantuar fjalët e Fadil Gecit, avokati i Jakup Krasniqit që i kualifikoi si propagandë politike, solli pjesë nga intervista ekskluzive e Bardhyl Mahmutit dhënë për “Epokën e re”, të titulluar “Takimi i parë i UÇK-së me diplomatët amerikanë”, të publikuar më 6 dhjetor 2023.

Për lexuesit po sjellim pjesën ku u mbështet mbrojtja e Krasniqit, ku hidhet poshtë pretendimi i Fadil Gecit.

“Epoka e re”: Për cilat tema u diskutua dhe për çfarë ishin më tepër të interesuar të dinin?
Bardhyl Mahmuti: Hipotezat e përfaqësuesit të shtetit shqiptar, që ishte në takimin kur u njoftova për misionin që na ishte ngarkuar mua dhe Ramadan Avdiut, dolën të sakta. Pyetjet për pikëpamjet ideologjike dhe religjioze të UÇK-së si dhe për raporti ndërmjet LPK-së dhe UÇK-së ishin temat e para që u shtruan për sqarim. Fatmirësisht një ditë më parë, më 15 qershor 1998, Radio Televizioni i Prishtinës, që transmetohej nga Tirana, emetoi deklaratën e parë të z. Jakup Krasniqi, në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së.
Në këtë deklaratë, ai sqaroi se LPK-ja ishte forca politike që kishte merita të pakontestueshme në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe megjithatë nuk ka kundërshtuar që UÇK-ja të mbetej jashtë çdo ombrelle partiake.
Për opinionin publik shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni Jakup Krasniqi ishte një atdhetar i shquar që kishte kaluar mbi 10 vjet në burgjet serbe; profesor që gëzonte famën e një pedagogu shembullor dhe intelektual që kishte mbështetje të pakontestueshme gjithandej Kosovës. Në përpjekjet për të organizuar një jetë politike dhe institucionale paralele me pushtetin e okupatorëve serbë, në zgjedhjet e organizuara në vitin 1992 dhe në vitin 1998 ishte zgjedhur deputet i LDK-së për Kuvendin e Kosovës. Emërtimi i një kuadri të LDK-së për zëdhënës të UÇK-së demantonte të gjitha zërat e orkestruar nga Beogradi që përpiqeshin ta prezantonin LPK-në si “e majtë ekstreme e tipit stalinist të Enver Hoxhës, që synon të vijë në pushtet nëpërmjet luftës së armatosur”.
Jaku Krasniqi nuk kishte qenë asnjëherë anëtarë i LPK-së dhe deklarata e tij se UÇK-ja njeh për ideologji vetëm shqiptarizmin, ishte një argument shumë i fuqishëm në duart tona në këtë takim të rëndësishëm.

“Epoka e re”: A ishte rastësi që një ditë para takimit u bë publike se zëdhënësi i UÇK-së ishte Jakup Krasniqi, apo një gjë e tillë është bërë në funksion të përforcimit të imazhit se lufta çlirimtare ishte jashtë ombrellave partiake dhe ideologjike?
Bardhyl Mahmuti: Duke pasur parasysh vështirësitë e komunikimit në atë kohë dhe kërkesën amerikanë që takimi të mbetej konfidencial, mendoj se ka qenë rastësi, sepse ndodh shpesh që rastësia i rregullon gjërat edhe më mirë se projektet e paramenduara në detaje. Sidoqoftë për këtë çështje Xhavit Haliti mund ta dijë më mirë nëse dikush në Kosovë ka qenë në dijeni të një takimi të tillë.

“Epoka e re”: Në çfarë kuptimi emërimi i Jakup Krasniqit për zëdhënës të UÇK-së ishte argument i fuqishëm në duart e juaja?
Bardhyl Mahmuti: Për arsye se ishte një dëshmi që nuk mund të kontestohej se vullneti i LPK-së ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve për çlirimin e vendit, pa marrë parasysh dallimet klasore, ideologjike, partiake, religjioze ose krahinore. Pikërisht për shkak të forcës së këtij argumenti, çështja e cilësimit të LPK-së si “organizatë ekstremiste” u mbyll shumë shpejtë si temë diskutimi. Mirëpo gjatë zhveshjes së paradoksit që karakterizonte propagandën serbe që synonte të krijonte opinion në vendet demokratike perëndimore se gjoja UÇK-ja ishte organizatë “marksiste-leniniste-staliniste-enveriste” dhe “fondamentaliste
islamike”, delegacioni amerikan kërkoi sqarime të hollësishme lidhur me disa shtylla të kësaj propagande. Një vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të religjionit në radhët e UÇK-së.

(Libri me intervistën e plotë, të plotësuar dhe të redaktuar, do të dalë nga shtypi javën e ardhshme).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prani të ambasadorëve dhe konsujve të shumë shteteve anëtare…