Qeveria, fajtore për dështimin e marrëveshjes për librat
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka fajësuar Ministrinë e Arsimit për dështimin e marrëveshjes për sigurimin e librave nxënësit.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Jasharaj e ka quajtur ide të gabuar që prindërit të rimbursohen për blerjen e librave të nxënëseve.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se nxënësit do të mbesin në mëshirën e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke thënë se familje të shumta janë në gjendje të rëndë ekonomike.
Sipas Jasharajt, jo vetëm nxënësit por edhe mësimdhënësit do të hasin në vështirësi në fillim të vitit shkollor për shkak të mungesës së librave.
Jasharaj ka akuzuar Nagavcin edhe për mungesë të bashkëpunimit me SBAShK-un, duke thënë se ajo është duke vazhduar të mbajë inat që nga greva e kaluar e mësimdhënësve
“Epoka e re”: Z. Jasharaj si i keni parë dështimin e Ministrisë së Arsimit që të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për tekstet shkollore?
Jasharaj: Ministrja Nagavci në takimin me mediet para një jave kishte deklaruar se Ministria e Arsimit do të sigurojë tekste falas për nxënësit e klasave 1-5 , ndërsa për nxënësit e klasave 6-9 shkollat duhet të gjenden me testet shkollore të vjetra, pra që janë përdorur në vitin e kaluar shkollor. SBAShK-u ka kundërshtuar këtë deklarim të ministres lidhur me tekstet shkollore të vitit të kaluar sepse ato janë të përdoruara nga nxënësit dhe janë dukeshim të dëmtuara, kurse fletoret e punës janë të plotësuara nga nxënës të vitit të kaluar. Mirëpo, në konferencën e djeshme për medie Nagavci doli me një lajm edhe më të keq duke kritikuar shtëpitë botuese për çmimet e larta të teksteve shkollore e duke dhënë idenë shumë të gabuar që prindërit të blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre në librari e pastaj ministria pas aplikimit që prindërit bëjnë në e-Kosova do t’ua rimbursojë ato para. Kjo nuk është në rregull, sepse një numër i madh i familjeve jetojnë në gjendje të vështirë ekonomike dhe nuk kanë para për të blerë tekste shkollore.
“Epoka e re”: Pse mendoni se ka dështuar kjo marrëveshje?
Jasharaj: Ka kohë që ministrja Nagavci i ikë takimeve me përfaqësuesit e SBAShK-ut, por sa kam parë, ajo takimeve dhe konsultimeve po u ikë edhe me të tjerët dhe po sjell vendime të njëanshme e të paanalizuara mirë. Nuk di pse ka dështuar marrëveshja me botuesit sepse nuk kemi pasur asnjë takim me ministren Nagavci dhe nuk kemi pasur mundësi të bashkëbisedojmë për as edhe një çështje që lidhet me sistemin arsimor në Kosovë. Ministrja Nagavci duhet ta thotë të vërtetën lidhur me këtë dhe nëse do që t’i fajësojë shtëpitë botuese që gjoja paskan ngritur shumë çmimet e teksteve shkollore, atëherë të botojë kërkesat e tyre për këto ngritje çmimesh. Tek e fundit edhe ngase ka ndodhur kjo, prapë ministrja e ka përgjegjësinë dhe ministrja bashkë me qeverinë është dashur të gjej mjete shtesë e të paguhen tekstet shkollore në mënyrë që ato të shpërndaheshin me kohë. Tani kemi një fillim të vitit të ri shkollor, fatmirësisht pa greva, por me mungesë të teksteve shkollore, që janë, fatkeqësisht, mjeti i vetëm i punës në procesin mësimor bashkë me shkumësat e shpuza. Nëse qeveria Kurti nuk ka buxhet për mjete bashkëkohore mësimore, atëherë bile për tekste të reja shkollore për nxënësit që nga klasa e parë e deri për ata në klasën e nëntë është dashur të ketë.
“Epoka e re”: Pas dështimit të kësaj marrëveshje, ministria Nagavci ka bërë me dije se janë duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore të kalojë në llogaritë e prindërve. A shihni seriozitet në këtë çështje duke pasur parasysh se mësimi pritet të fillojë më 1 shtator?
Jasharaj: Kjo është ide tepër e gabuar e ministres Nagavci. Ajo është deklaruar para medieve se disa nga tekstet kanë çmime tepër të larta dhe se ajo po angazhohet ta ruajë buxhetin e shtetit, ndërkaq nga ana tjetër u thotë prindërve blini ju fillimisht tekstet e pastaj qeveria do të rimbursojë ato para pas aplikimit në e-Kosova. Nagavci duhet ta di se në Kosovë një pjesë e madhe e familjeve kanë gjendje të vështirë ekonomike dhe prindërit do ta kenë shumë të vështirë t’i blejnë tekstet shkollore për gjithë fëmijët që kanë, dhe të presin pastaj në mëshirën e Nagavcit e Muratit që t’u rimbursohen mjetet që kanë shpenzuar për blerjen e teksteve shkollore. Pse të bëjnë rimbursime e t’i vënë në siklet prindërit kur ato para të rimbursimit t’i përdorin për të blerë MAShTI teskte e për t’i shpërndarë në shkollat e Kosovës?
“Epoka e re”: A ka rrezik të dështojë fillimi i mësimit më 1 shtator duke e njohur gjendjen ekonomike të prindërve pasi ende nuk dihen procedurat se si do të transferohen mjetet për blerjen e librave?
Jasharaj: Viti i ri shkollor do të fillojë dhe në klasë do të kemi nxënësit dhe mësimdhënësit, por do të ketë vështirësi sepse do të duhen ditë e mos të them edhe javë që të gjithë nxënësit të kenë tekste shkollore që duhet t’u blejnë prindërit. Dhe kjo është sfidë sepse mësimdhënësit e kanë vështirë të realizojnë njësi të reja mësimore e të japin detyra të shtëpisë kur nxënësit nuk kanë tekste shkollore.
“Epoka e re”: Z. Jasharaj çfarë bashkëpunimi keni sot me Ministrinë e Arsimit, konkretisht me ministren Nagavci?
Jasharaj: Fatkeqësisht dhe me fajin e ministres Nagavci mungon tani e sa kohë bashkëpunimi mes MAShTI-t dhe SBAShK-ut, bashkëpunim ky që dikur ka qenë në nivel të lartë dhe në shërbim të arsimit në Kosovë. Nga greva e shtatorit e këndej zonja Nagavci vazhdon të mbaj inat dhe nuk i është përgjigjur kërkesave tona për takime, të cilat dikur ia kemi bërë. Kabineti i saj janë arsyetuar se gjoja ministrja ka shumë angazhime brenda dhe jashtë vendit dhe kështu i ka ikur takimeve.
“Epoka e re”: Pra ajo nuk konsultohet me ju për ndonjë çështje që ka të bëjë me arsimin?
Jasharaj: Jo. Nuk është konsultuar sepse edhe nuk ka pasur gatishmëri të takohet me ne tani e sa muaj, duke e prishur kështu traditën e mirë të takimeve, jo vetëm me SBAShK-un, por edhe me të tjerët e për të debatuar sinqerisht për të gjitha çështjet në arsim e për t’u marrë vesh për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit. Pse është kjo situatë, fajtori i vetëm është zonja Nagavci, të cilës, si duket nuk po i ikë dot inati i krijuar që nga greva e vitit të kaluar.
“Epoka e re”: Pas grevës se përgjithshme a keni pasur ndonjë kërkesë për Ministrinë e Arsimit dhe a është marrë parasysh nga kjo ministri?
Jasharaj: Jo, në mungesë të takimeve ne vazhdojmë me angazhimet dhe kërkesat e anëtarësisë do t’i adresojmë përmes shkresave e po ashtu përmes shkresave do ta informojmë për çështjet e ngritura nga anëtarësia jonë. Për të njoftuar opinionin për angazhimet tona në vërejtjet ndaj MAShTI-t dhe ndaj vendimeve të caktuara të njëanshme i kemi bërë publike përmes medieve dhe ne do të vazhdojmë me angazhimet në shërbim të anëtarësisë sonë, të cilën e falënderoj për unitetin dhe për ruajtjen e besimit të ndërsjellë, që kemi krijuar ne stafi udhëheqës me anëtarësinë në rrugëtimin tonë tani e sa vite.