Intervistë/ Gjendja politike është më e dëmtuar se ajo e sigurisë
Ish-kryeinspektori i AKI-së dhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka vlerësuar se gjendja politike në vend është më e dëmtuar se ajo e sigurisë.
Ramadani në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se sot shohim bllokadë në diplomaci, ngecje në ekonomi, korrupsion dhe krim.
Sa i përket situatës në veri, Ramadani ka vlerësuar se veprimet atje kanë qenë të nevojshme, por sipas tij çmimi duket të jetë i lartë. Ramadani ka theksuar se rrahagjoksja e pushtetit para popullit të Kosovës nuk është në përputhje me situatën në veri.
Në këtë kontekst, Ramadani, ka theksuar se veriu është shpjeguar nga pushteti si emocion, duke mos arritur të ndërtojë argumentim diplomatik racional.
Ai ka thënë se sulmi në Banjskë nuk është trajtuar profesionalisht as nga Kosova dhe as nga faktori ndërkombëtar
“Epoka e re”: Z. Ramadani çfarë vlerësimi keni për gjendjen politike dhe të sigurisë në Kosovës, veçmas në veri?
Ramadani: Besoj se gjendja politike është më e dëmtuar sesa ajo e sigurisë. Pra, jemi vënë në një rreth sjelljeje që ka zbehur dukshëm optimizmin e qytetarëve të Kosovës, kryesisht për shkak të dështimeve në realizimin e pritjeve që kanë pasur qytetarët për këtë periudhë.
Sot shohim bllokadë në diplomaci, ngecje në ekonomi, korrupsionin e krimin në vazhdimësi. Kjo besoj se është fjali që mund ta përshkruaj gjendjen politike të brendshme dhe të jashtme të Kosovës, e cila domosdoshmërisht ndërlidhet pastaj me situatën e sigurisë.
Është e qartë se në aspektin e sigurisë, Kosova po ballafaqohet në vazhdimësi me luftën hibride që Serbia dhe mentori i saj, Rusia, kanë bërë dhe po bëjnë kundër Kosovës. Kjo, mbi të gjitha, synon që të mbajë Kosovën nën tension të vazhdueshëm, të pamundësojë konsolidimin e integrimit të shoqërisë kosovare në tërësi në modelin e shtetit të Kosovës, të thellojë përçarjen midis shqiptarëve shumicë dhe serbëve pakicë në Kosovë, të mbajë temën e konfliktit dhe konflikteve në vazhdimësi në top-temën publike, të koncentrojë përpjekjet e institucioneve të Kosovës vetëm në një fushë (pra atë të sigurisë), sikurse edhe frikësojë çfarëdo iniciative të investimeve të huaja direkte në Kosovë. Në përgjithësi, kjo Luftë Hibride, në të cilën shpesh po biem edhe ne si shoqëri, e ka për qëllim vendosjen e Kosovës në një situatë pezull, në të cilën zhvillim ekonomik nuk ka, prosperitet për qëndrueshmëri qytetarët nuk shohin, si dhe perceptimi global për Kosovën mbetet tek “Kosova është zonë krize!”.
Në anën tjetër, prezenca e shtuar e NATO-s në Kosovë e qartëson pastër se një konflikt klasik konvencional i Serbisë kundër Kosovës nuk mund të ndodh. Në rrethana të këtilla, Ushtria serbe vetëm ëndërron pushtimin e Kosovës.
“Epoka e re”: Si i keni parë veprimet e qeverisë Kurti për vendosjen e rendit në veri të vendit?
Ramadani: Integrimi i veriut nuk u përmbyll ende. Prezenca më e madhe dhe më e dukshme e institucioneve të zbatimit të ligjit në atë pjesë të Kosovës edhe ka qenë e domosdoshme, edhe duhet të shihet si instrument për qëllimin e integrimit. Pra, situata e këtillë e tashme në veri nuk është dhe nuk duhet të jetë qëllimi final, por duhet t’i shërbejë qëllimit final të Kosovës për të integruar popullatën lokale të atjeshme në sistemin politik-institucional e shoqëror të Kosovës.
Veprimet e deritashme, në përgjithësi, kanë qenë të nevojshme në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve paraprake që Kosova ka arritur në Bruksel me Serbinë, në kuadër të dialogut. E vërteta është që për këto veprime çmimi tash për tash duket të jetë i lartë. E mbi të gjitha për shkak se integrimi i veriut në shoqërinë kosovare nuk është përmbyllur.
Në këtë kontekst, është fakt se janë tri palë që ndikojnë në situatën e përgjithshme në veri. Së pari, Qeveria e Kosovës, e cila domosdoshmërisht ka për qëllim sundimin e ligjit. Së dyti, partnerët ndërkombëtar, të cilët kanë mandat për të mirëmbajtur dhe mbrojtur sigurinë. Dhe, së treti, Qeveria e Serbisë e cila gjatë krejt këtyre dekadave ka abuzuar me ndjenjat e serbëve lokal në veri të Kosovës, duke penguar çfarëdolloj procesi për integrim të mirëfilltë të tyre në sistemin kosovar.
Prandaj, argumentimi i qartë dhe profesional i kësaj situate do të mund të merrte mbështetjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë për veprimet e Qeverisë së Kosovës dhe kështu secili veprim do të paraqiste sukses në vete. Por, fatkeqësisht, ne nuk kemi parë përkushtim e profesionalitet të Qeverisë sonë për të ndërtuar argumentimin diplomatik. Prandaj, edhe çmimi është shumë më i lartë.
Eksponentët e pushtetit në vazhdimësi janë duke u krenuar për gjendjen në veri, ndërsa faktori ndërkombëtar ka kritikuar veprimet e qeverisë. A besoni se me këtë qasje dhe pa mbështetje sidomos të aleatëve mund të vijë në shprehje integrimi i plotë i veriut në jetën politike dhe institucionale?
Siguria kombëtare, ku përfshihet edhe integrimi i tërë shoqërisë së shtetit në sistemin tonë, nuk është dhe nuk është dashur asnjëherë të trajtohet për nga aspekti emocional. Ky besoj që ka qenë gabimi fillestar i kësaj strukture pushteti. Pra, veriun e kanë shpjeguar si emocion, por nuk kanë arritur të ndërtojnë argumentim diplomatik racional.
Rrahagjoksja para popullit të Kosovës nuk është në përputhje me situatën në veri. As me raportin tonë Kushtetues me faktorin ndërkombëtar në Kosovë. Saherë që eksponentë të pushtetit kanë kthyer temën e veriut në çështje elektorale e populiste, NATO ka treguar fuqinë e vet brenda Kosovës. Mesazhet e tilla duhet të trajtohen dhe lexohen pa emocion. Sepse, gabimi më i madh në siguri kombëtare është sjellja emocionale.
Ja një shembull ilustrues të nevojës së leximit të mesazheve: kur më 26 korrik 2024 është organizuar Gara e Kërcimit në Liqenin e Ujmanit, në të njëjtën kohë atë ditë KFOR-i ka publikuar një video të patrullimit të përbashkët të KFOR-it me Ushtrinë e Serbisë.
Këto janë momente kur emocionet mund të jenë në projekte kulturore a sportive, por siguria kombëtare kërkon planifikim afat-gjatë dhe profesional.
“Epoka e re”: A ka arritur ta shfrytëzojë qeveria aq sa duhet sulmin terrorist në Basnjskë?
Ramadani: Sulmi paramilitar terrorist në Banjskë ka nxitur reagimin e shpejtë të NATO-s, duke rritur për rreth 1000 trupa më shumë në Kosovë. Në të njëjtën kohë, ka dëshmuar një mangësi të dukshme profesionale diplomatike të Kosovës.
Unë nuk arrij të kuptojë pse (as pas sulmit në Banjskë), institucionet e Kosovës nuk kanë shumëfishuar prezencën diplomatike dhe profesionale në Bruksel dhe në kryeqendrat e shteteve anëtare të NATO-s!? Apo, si nuk kanë ndërtuar një platformë të qartë nacionale, profesionalisht të argumentuar, për të filluar aktivitetin intensiv informues nëpër botë!?
Mendoj që sulmi paramilitar terrorist i Serbisë në Banjskë nuk është trajtuar profesionalisht as nga Kosova, as nga faktori ndërkombëtar. Kosova është dashur të ketë rol aktiv në këtë. Më duket se ka pasur një ndjenjë të vetë-mjaftueshmërisë së njerëzve që janë aktualisht në institucione dhe kështu nuk kanë pasur projekt për të ndërtuar ekipe të gjera nacionale. Kjo edhe i ka zvogëluar mundësitë që Kosova ta dëshmojë rastin e vet.
“Epoka e re”: Vazhdimisht keni qenë kritik sa i përket trajtimit të sferës së sigurisë nga ana e institucioneve të vendit. Pse?
Ramadani: Kam qenë edhe mbështetës për institucionet e Kosovës në angazhimet për t’u përballur me propagandën serbe e ruse kundër Kosovës. Përmes aktiviteteve krejtësisht vullnetare, pas asnjë lloj mbështetje, kam pasur një cikël të video-materialeve pikërisht në përballje të propagandës armiqësore.
Kjo edhe ka qenë vullnetare dhe dashamirëse në rolin e qytetarit të lirë, edhe ka arritur efekte në përgjithësi në opinion jo vetëm brenda Kosovës.
Unë kam qenë dhe mbetem kritik për mungesën e një qasje gjithpërfshirëse, profesionale e të strukturuar të institucioneve të Kosovës në fushën e sigurisë kombëtare. Aq më shumë, kam qenë dhe mbetem kritik për një dëshirë të flaktë të eksponentëve të ndryshëm të pushtetit që çështjet e sigurisë kombëtare t’i trajtojnë dhe abuzojnë për synime elektorale dhe linçuese. Sepse, ky është gabim i padilemë.
“Epoka e re”: Sipas jush në çfarë forme është duke u trajtuar policia dhe ushtria nga ana e qeverisë Kurti?
Ramadani: Besoj se Policia dhe Ushtria në Kosovë – këto institucione me profesionalitet të lartë e të lakmueshëm nga shtetet në rajon – po trajtohen pa dinjitet. Në kohën kur ngecja ekonomike ka marrë përmasa shqetësuese, inflacioni ka reduktuar dukshëm fuqinë blerëse të qytetarëve dhe familjeve, policia dhe ushtria janë të parat që duhet të kenë përmirësim të kushteve, rritje të pagave, sigurimin shëndetësor dhe pakon sociale. Fakti që numri i pjesëtarëve të FSK-së që lëshojnë ushtrinë është enorm tregon për një situatë për të cilin duhet të shqetësohen udhëheqësit e institucioneve. Buxhet ka, pra para ka, por nuk ka vendosmëri për kushte më të mira të ushtarëve dhe policëve. Sa shpenzojnë para për të mbjell pisha në Kazerma, që pas pak ditësh janë tharë, më mirë ato mjete të ndaheshin për ushtarët!
Qeveria e ardhshme është më e shëndetshme nëse është qeveri koalicioni i partive aktualisht opozitare
“Epoka e re”: Z. Ramadani si e keni parë rolin e opozitës sa i përket kritikave dhe ofrimit të alternativave në raport me zhvillimet e përgjithshme në Kosovë?Ramadani: Jemi dëshmitar që opozita ka dëshmuar një gjë: nuk ka qenë faktor destabiliteti gjatë këtyre katër vjetësh. Pra, Qeveria në Kosovë, si asnjëherë më parë, ka pasur qetësinë dhe hapësirën e plotë për të vepruar, për të zbatuar politikat, për të përmbushur premtimet që u ka dhënë qytetarëve.
Unë besoj se ky është një tregues i mirë për opozitën. Por, mbetet vetëm tregues.
Në bindjen time, qeveria e ardhshme do të jetë qeveri koalicioni. Duke qenë kështu, atëherë besoj se qeveria e ardhshme është më e shëndetshme nëse është qeveri koalicioni i partive aktualisht opozitare. Nëse kjo arrihet, besoj se mund të hyjmë në një cikël të zhvillimit normal demokratik, ku pushtetet ndërrohen pa zhurma, protesta e situata ku policët lëndohen. Në këtë kuptim, shpresoj se përvoja dhe vendosmëria do të kombinohet me qasjen teknokratike për të ndërtuar qeverinë e ardhshme. Nëse ndërrohet pushteti përmes bashkimit të ndonjërës nga partitë opozitare me qeverinë e tashme, mendoj se ndryshimi do të jetë i pjesshëm.
Epoka e re”: A do të ju shohim përsëri në politikë?
Ramadani: Jo, nuk kam planifikim të shpejtë për rikthim në politikë. Nuk jam në garë. Jam jashtë anëtarësisë dhe politikave partiake që prej periudhës kur jam emëruar në detyrën e fundit publike, Inspektor i përgjithshëm i AKI-së në nëntor të vitit 2019, dhe si i tillë do të nderoj detyrën prej të cilës kam dal në dhjetor 2022. Shpresoj se kontributi im i tashëm publik të jetë momentalisht i mjaftueshëm, kryesisht në rekomandime e këshilla edhe publike në fushën e sigurisë kombëtare, si një lloj këshillimi dhe edukimi publik për shoqërinë dhe institucionet kosovare.