Intervistë / Jasharët e kanë bërë atë që s’e ka bërë askush gjer më sot! (15)

18 dhjetor 2023 | 11:44

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (15)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së pesëmbëdhjetë, ka folur për sulmin e forcave të armatosura serbe në Drenicë dhe Epopenë e UÇK-së.

Ai ka folur edhe për sensibilizimin e opinionit publik ndërkombëtar për domosdoshmërinë e mbështetjes së luftës çlirimtare të Kosovës.

“Krimet monstruoze që kryen forcat serbe në Likoshan, Qirez dhe Prekaz, ku u vranë mbi 80 shqiptarë, zunë vend në mediet më prestigjioze botërore”, ka treguar Bardhyl Mahmuti, i cili në vazhdim të kësaj interviste ka folur edhe për deklaratën e Grupit të Kontaktit për Kosovën.

“Epoka e re”: Përderisa kryesia qendrore e LPK-së nuk e përmendi sulmin e forcave të armatosura serbe në Drenicë dhe Epopenë e UÇK-së, na intereson të dimë si vepruan strukturat e tjera të organizatës suaj?
Bardhyl Mahmuti: Më 28 shkurt dhe 1 mars të vitit 1998 forcat e armatosura të Serbisë vranë 24 civilë në fshatrat Likoshan dhe Qirez të komunës së Skenderajt, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua shtatzënë, Rukie Nebihu (27 vjeçe). Pa pritur vendimin e Kryesisë së Degës së LPK-së, kryesitë e nëndegëve të saj organizuan dhjetëra tubime dhe proteste në Gjermani, në Zvicër, në Francë, në Britani të Madhe dhe në disa shtete të tjera Evropës perëndimore. Në numrin e 5 marsit 1998 dhe të 12 marsit 1998 e përjavshmja “Zëri i Kosovës”, që ishte organ i LPK-së dhe e vetmja gazetë në gjuhën shqipe që përkrahte tërësisht luftën çlirimtare, i dha një hapësirë të konsiderueshme fillimit të zbatimit të gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe mobilizimit të parë të shqiptarëve.

No description available.

No description available.

Krimi në fshatrat Likoshan dhe Qirez kishte karakteristika të një akti gjenocidal, ndërkaq përmasat e mobilizimit të forcave serbe në Drenicë ishin paralajmërime të qarta të fillimit të zbatimit të projektit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më 2 mars 1998 Nëndega e LPK-së për Zvicër organizoi një protestë përpara selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë për ta shprehur revoltën tonë dhe, njëherësh, t’i alarmonim institucionet ndërkombëtare për rreziqet që i kanoseshin shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Në konsultim me Jashar Salihun, Ramadan Avdiun, Bilall Sherifin dhe Agush Bujën vendosëm që, në të njëjtën kohë që përpara selisë së OKB-së protestonin mbi 10 mijë shqiptarë, të organizonim një konferencë me gazetarët e akredituar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Në marrëveshje me veprimtarët e lartpërmendur, vendosëm që në këtë konferencë të shkonim vetëm unë dhe Jashar Salihu, hero i kombit, i cili në atë kohë ishte anëtar i Sektorit të Veçantë dhe përgjegjës i fondit “Vendlindja thërret”.

“Epoka e re”: Vrasja e civilëve shqiptarë në fshatrat Likoshan dhe Qirez ishte krimi më i rëndë që Serbia kishte kryer që nga koha e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Më vonë u pa qartë se këto vrasje shënuan aktin e parë gjenocidal të luftës së fundit në Kosovë. A përdorët termin gjenocid në këtë konferencë, apo nga perspektiva e tanishme ju e cilësoni si të tillë?
Bardhyl Mahmuti: Për ne ishte e qartë se kishim të bënim me një akt gjenocidal, ndërkaq përmasat e mobilizimit të forcave të armatosura serbe linin të nënkuptohej se projekti i Serbisë ishte shkatërrimi i tërësishëm ose i pjesshëm i shqiptarëve në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye gjatë konferencës kërkuam nga gazetarët e pranishëm ta sensibilizonin opinionin publik të shteteve të tyre për domosdoshmërinë e mbështetjes së luftës çlirimtare të Kosovës, sepse indiferenca ndaj Serbisë trimëronte vazhdimin e politikës së gjenocidit ndaj shqiptarëve. Po ju bashkëngjis për lexuesin njoftimin që kishte përgatitur Zikpress dhe që është botuar në “Zëri i Kosovës” më 5 mars 1998.

No description available.

Siç mund të shihet edhe në këtë njoftim, konkluzionet tona për politikën e gjenocidit kanë qenë të sakta por. fatkeqësisht, aktorët me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk kanë qenë efikas në parandalimin e krimit të gjenocidit në Kosovë.

“Epoka e re”: Revolta e përgjithshme e shqiptarëve që u manifestua në protesta të shumta që u organizuan në katër anët e globit nuk e ndali dhunën serbe. Serbia vazhdoi projektin e gjenocidit kundër shqiptarëve! Është e pakuptueshme heshtja e Kryesisë së LPK-së dhe atyre që kishin shkruar komunikatat e lartpërmendura në emër të Shtabit Qendror të UÇK-së!
Bardhyl Mahmuti: Katër ditë pas krimit të gjenocidit në fshatrat Likoshan dhe Qirez, projekti serb për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës vazhdoi në Prekaz të komunës së Skenderajt. Gjatë qëndresës heroike të familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars u vranë 59 shqiptarë të dy gjinive dhe të moshave të ndryshme (më i riu ishte Blerim Jashari, 5 vjeç, ndërsa më e moshuara, Hamide Jashari, 85 vjeçe).
Redaksia e atëhershme e gazetës “Zëri i Kosovë” (Bislim Elshani, Lulëzim Etemaj, Adnan Asllani etj.) doli me një shkrim redaksional në të cilin rezistenca e armatosur në Prekaz u cilësua “Epope e lavdishme e Jasharjave”, ndërsa duke e krahasuar me epopetë e njohura kombëtare, ata erdhën te konkluzioni: Jasharajt e kanë bërë atë që s’e ka bërë askush gjer më sot!

No description available.

Në të njëjtën frymë u publikuan shkrime nga Bedri Islami, anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LPK-së për Gjermani dhe publicist i njohur, Mehmet Bislimi, anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LPK-së për Zvicër dhe shkrime të tjera! Cilësimi i qëndresës së Jasharëve si epope mori përmasa të përgjithshme dhe u shndërrua në Epope të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me një fjalë, kryesitë e nëndegëve të LPK-së dhe redaksia e “Zërit të Kosovës” që ishte organ i Lëvizjes Popullore të Kosovës na shpëtuan nga sjellja e turpshme e kryesisë qendrore të LPK-së!

“Epoka e re”: Kur reagoi për herë të parë Kryesia e LPK-së?
Bardhyl Mahmuti: Krimet monstruoze që kryen forcat serbe në Likoshan, Qirez dhe Prekaz, ku u vranë mbi 80 shqiptarë, zunë vend në mediet më prestigjioze botërore. Në këtë kontekst, më 9 mars 1998, në mbledhjen e mbajtur në Londër, Grupi i Kontaktit përpiloi Deklaratën për Kosovën.

No description available.No description available.

Përderisa në pikën 2 të kësaj deklarate Grupi i Kontaktit gjeti hapësirë për ta shprehur brengosjen e thellë për vrasjen e së paku 80 personave dhe dënoi dhunën kundër protestuesve paqësorë që ndodhi gjatë protestës së 2 marsit në Prishtinë, në reagimin e Kryesisë së LPK-së që pretendon se është lëshuar nga Prishtina, më 10 mars 1998, nuk thuhet asnjë fjalë e vetme për krimet e gjenocidit që kishte kryer Serbia në Drenicë.

“Epoka e re”: Me sa shihet, ngjarjet që u zhvilluan në tri fshatrat e Drenicës e aktualizuan çështjen e Kosovës deri në ato përmasa ndërkombëtare sa të kërkohet që kjo çështje të shtrohet për zgjidhje politike.
Bardhyl Mahmuti: Plotësisht dakord me një konstatim të tillë. Pa marrë parasysh se në Deklaratën e Grupit të Kontaktit nuk përkrahej pavarësia e Kosovës, por zgjidhja shihej nëpërmjet realizimit të një autonomie substanciale për Kosovën brenda federatës së Jugosllavisë (pika 9 e deklaratës), kjo qasje shënonte një hap më të avancuar në krahasim me qëndrimet e mëparshme që synonin ruajtjen e status kuos për hir të ruajtjes së paqes!

No description available.

Më 12 mars 1998 Bashkimi Evropian i përvetësoi qëndrimet e Grupit të Kontaktit, ndërkaq më 19 mars dolën me qëndrim të përbashkët për domosdoshmërinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike për çështjen e Kosovës. Në frymë të njëjtë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara solli rezolutën 1160, të datës 31 mars 1998.

No description available.

“Epoka e re”: Në Deklaratën e Grupit të Kontaktit të datës 9 mars, në qëndrimin e përbashkët të BE-së, të datës 19 mars, dhe në Rezolutën 1160 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të datës 31 mars, Ushtria Çlirimtare e Kosovës cilësohet si organizatë terroriste. Si e shpjegoni këtë çështje?
Bardhyl Mahmuti: Legjitimimi i një lufte të armatosur në skenën politike ndërkombëtare nuk është i lehtë. Qëndrimet e lartpërmendura janë dëshmi të vështirësive të mëdha me të cilat jemi ballafaquar. Nuk ka ndonjë peshore objektive që do të na mundësonte të vlerësonim deri në cilën masë kemi përgjegjësi si organizatë për një cilësim të tillë. Por janë fakte se nga momenti kur përfaqësimi politik i UÇK-së është bërë në emër të Drejtorisë Politike gjërat kanë ndryshuar për mirë! Brenda gjashtë muajsh aktivitete të ngjeshura diplomatike, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu hoq cilësimi “organizatë terroriste”. Në vend që të jenë të kënaqur të gjithë veprimtarët e LPK-së për këto rezultate, na i kanë shurdhuar veshët me pyetje: Kush është takuar me amerikanët në emër të UÇK-së? Çfarë është biseduar në ato takime? Kush e ka zgjedhur Drejtorinë Politike? dhe pyetje të tjera të kësaj natyre. Të gjithë ata që këtyre pyetjeve u kanë gjetur shpjegim në interpretimin e proceseve shoqërore nëpërmjet “komplotit”, do të kenë përgjigjen time të plotë në vazhdim të intervistës. Tani për tani po ju them shkurtimisht: jam tepër i lumtur që nuk jam zgjedhur ta përfaqësoj Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga ata që nuk e përmendën Epopenë e Jasharëve dhe heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari!

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interi e mposhti në derbi Lazion (0-2), por trajneri Simone…