Intervistë / Kosova është shndërruar më shumë në një shtet social sesa në një shtet zhvillimor
Njohësi i çështjeve ekonomike, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka thënë se viti 2023 ishte një vit me përplot sfida.
Ai ka theksuar se ekonomia gjatë këtij viti ka mbetur nën hijen e dialogut Kosovë – Serbi.
Gërxhaliu ka thënë se viti 2023 do të mbahet mend për masat që BE-ja ia vendosi Kosovës, të cilat e kanë dëmtuar Kosovën në aspekt ekonomik dhe politik.
Sipas tij, Kosova tashmë është shndërruar më shumë në një shtet social sesa në një shtet zhvillimor. Ai ka thënë se është shqetësuese se nuk kemi investime dhe investitorë të huaj.
“Epoka e re”: Gërxhaliu si e karakterizoni vitin 2023 sa i përket zhvillimit ekonomik?
Gërxhaliu: Viti 2023 ka qenë vit me përplot sfida. Agjenda politike ka dominuar në Kosovë. Hapësirë më të madhe mediale dhe orientuese ka pasur dialogu Kosovë – Serbi. Në këtë drejtim ekonomia ka mbetur nën hijen e kësaj dominance politike. Do të isha personi më i lumtur t’i numëroja sot efektet pozitive apo trendet pozitive ekonomike në Kosovë. Kemi pasur një vit të inflacionit, ngritje të çmimeve, ngrirje të pagave qoftë në sektorin publik apo atë privat, rënie të eksporteve dhe të importeve. Këto besoj janë karakteristikat që e karakterizojnë këtë vit, dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që mungesa e stabilitetit politik e ka dëmtuar Kosovën përballë investitorëve dhe investimeve të huaja, është një argument shtesë. Si rezyme shqetësuese është fakti se viti 2023 do të mbahet mend për masat që BE-ja ia vendosi Kosovës, do të thotë masa të cilat e kanë dëmtuar Kosovën në aspekt ekonomik dhe politik, mbi të gjitha emocional. Masa të tilla në të kaluarën ka pasur vetëm Serbia në vitet e errëta ’90. Sot kanë Rusia, Bjellorusia dhe Irani, prandaj besoj se për qytetarët e Kosovës është një njollë e cila ka dëmtuar imazhin e Kosovës.
Dhe ajo çfarë vërtet është shqetësuese është fakti se Kosova po zbrazet çdo ditë e më tepër dhe që nga 1 janari besoj se do të ketë një fluks më të madh të ikjes nga Kosova por, përveç brengës së ikjes së qytetarëve, është brenga e ikjes së kapitalit të bizneseve të Kosovës. Ishte një vit me mungesë të dialogut publiko-privat, një distancë e komunikimit mes pozitës dhe opozitës, mangësi e komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal dhe në veçanti moskoordinim i aktiviteteve sa i përket politikës sociale. Prandaj, besoj se është një vit që duhet të harrohet, një vit nga i cili duhet të mësohet më shumë dhe mësimi kryesor është që nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa stabilitet politik. E besoj se dialogu nuk ka alternativë.
“Epoka e re”: Ju gjatë vitit që lamë pas keni qenë mjaft kritik ndaj pushtetit dhe opozitës. Si e keni parë përballjen mes këtyre dy palëve në aspektin ekonomik?
Gërxhaliu: Gjatë vitit që lamë pas vërtet e kemi pasur një opozitë e cila ka qenë shumë më tepër e gatshme për t’iu gëzuar dështimeve të pozitës sesa të jetë kritike dhe aktive në korrigjimin e kësaj qeverie. Është e vërtetë se me një opozitë sterile të tillë do t’i mundësohet pozitës apo qeverisë aktuale të udhëhequr nga Vetëvendosje një fitore në cilado zgjedhje që do të mbahen në të ardhmen, prandaj në këtë drejtim besoj duhet të kuptohet e vërteta që Kosova është e të gjithëve dhe roli i opozitës është jo vetëm të jetë vëzhguese, por të jetë një zë kritik në emër të qytetarëve dhe të votuesve. Në fund të fundit, nuk duhet t’i gëzohemi dështimit të Kosovës, por sukseseve të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim kemi më shumë arsye për brengosje se krenari, sepse kemi dështim në aspektin politik, kemi dështim në aspektin diplomatik, kemi trende negative ekonomike dhe sociale. Besoj se të gjitha këtyre fenomeneve iu gëzohet opozita, gjë e cila e dëshmon një papjekuri që nuk korrespondon me partitë shtetformuese çfarë janë LDK-ja dhe PDK-ja. Nuk është zgjidhje e të gjitha problemeve vetëm dërgesa e disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, por vërtet debat konstruktiv nuk kemi pasur dhe, si duket, dy partitë më të mëdha shumë më tepër janë marrë me aktivitete për ta gjetur rrugën e humbur drejt ardhmërisë sesa për të qenë një opozitë konstruktive, opozitë e cila me angazhim do të kontribuojë në zhvillim ekonomik të Kosovës, stabilitet politik, diplomaci aktive. Në fund të fundit, Kosova është e të gjithëve dhe jo vetëm e pozitës aktuale.
“Epoka e re”: Qeveria gjatë 2023-s ka ndërmarrë disa vendime që janë mirëpritur nga qytetarët si thirrja publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa dhe disa skema sociale?
Gërxhaliu: Nëse bëhet një analizë më e thellë e vitit 2023 definitivisht është një vit ku ka dominuar aspekti social. Është e vërtetë që në një shtet ku kemi një orientim të tillë, politika sociale të jetë dominuese. Kemi një minimizim të vlerës së sektorit privat, kemi mungesë vizioni për një qëndrueshmëri ekonomike dhe një garanci drejt ardhmërisë. Për këtë arsye e pranuam apo jo të vërtetën, Kosova është shndërruar më tepër në një shtet social sesa në një shtet zhvillimor. Nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me thirrje publike për subvencionim të pajisjeve efiçente apo për disa skema sociale, por në përgjithësi orientimet buxhetore për vitin 2024 janë të drejtuara në këtë drejtim. Kjo është një qasje e cila nuk garanton stabilitet ekonomik dhe në qoftë se një shtet nuk ka stabilitet ekonomik dhe një vizion për stabilitet ekonomik, është topike të arrihen stabiliteti social, politik dhe të përshpejtohen proceset integruese e të jemi të përshpejtuar në përmirësimin e imazhit të Kosovës. Një politikë e tillë është më tepër ad-hoc sesa zhvillimore. Lind gjithmonë pyetja çka kur të shpenzohen këto ndihma të ofruara dhe a mund të mbijetojë shteti vetëm me skema sociale? Duhet vërtet të jemi të orientuar drejt një ekonomie me të zhvilluar. Pra, një ekonomi ku partneriteti me sektorin privat duhet të jetë shumë më aktiv dhe konstruktiv. Paramendoni të gjitha këto mjete të ishin orientuar në projekte të ndryshme në mbështetje të sektorit privat me siguri se do të kishim një stabilitet social shumë më të madh. Do të kishim punësim, eksporte, përmirësim të imazhit dhe jo ikje nga Kosova, por qëndrim të të rinjve në Kosovë. Prandaj, tentativa për barazi në varfëri besoj është qasja më e gabuar që e dëmton Kosovën sot, por që do ta ketë efektin negativ edhe në të ardhmen. Prioritet i prioriteteve gjithmonë duhet të jetë dhe është koha kur duhet të kuptohet rëndësia e zhvillimit ekonomik, një zhvillim ekonomik i ndërtuar në partneritet të mirëfilltë dhe jo me arrogancë të pushtetit përballë sektorit privat.
“Epoka e re”: Ku mendoni se ka pasur ngecje dhe zhvillim?
Gërxhaliu: Një ndër ngecjet më të mëdha janë masat e Bashkimit Evropian të cilat e kanë dëmtuar Kosovën në pole të ndryshme dhe besoj se vetë fakti që sot nuk kemi investitorë dhe investime të huaja është brenga më e madhe. Kjo e dëshmon Kosovën si një vend i pasigurt, e shndërron Kosovën në një vrimë të Ballkanit Perëndimor, sepse në qoftë se analizohen vendet e rajonit, qoftë Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja apo Serbia, ka investime të shumta, ndërkaq në Kosovë të vetmet investime janë ato që vijnë nga diaspora, duke blerë patundshmëri shumë më tepër. Në këtë drejtim, falë një mungese të një koordinimi të mirëfilltë të aktiviteteve, jemi këtu ku jemi. Krahas këtyre problemeve të krijuara kemi një dështim në aspektin e diplomacisë ekonomike dhe për këtë besoj se duhet të bëhet shumë më tepër.
“Epoka e re”: Edhe këtë vit nuk ka pasur interesim të investitorëve të huaj në vendin tonë. Pse?
Gërxhaliu: Viti 2023 do të jetë një ndër vitet më karakteristike sa iu përket investimeve dhe investitorëve të huaj, për faktin se është shqetësuese se nuk kemi investime dhe investitorë të huaj, por është një brengë tjetër që nga Kosova është duke u derdhur kapitali i sektorit privat, sepse vërtet këtu mungon një vizion i mirëfilltë për zhvillim ekonomik, mungon një përkrahje e mirëfilltë, mbi të gjitha frikësohem që biznesi dhe sektori privat shikohen shumë më tepër për t’u penalizuar dhe gjykuar sesa për t’u ndihmuar. Një qasje e tillë dhe një promovim i tillë i një politike joproduktive dhe jo pro ekonomisë e dëmton Kosovën në fusha të ndryshme. Në anën tjetër ju e dini që kemi një kundërshtare çfarë është Serbia, e cila e ka një diplomaci të zhvilluar dhe çdo qasje apo momentum të Kosovës në aspektin negativ e zmadhon dhe e ekzagjeron, e promovon kudo aty ku ka mundësi dhe vërtet investitorët po largohen apo në një lloj forme po e pasojnë Kosovën. Vetë fakti që po flasim për investime të huaja dhe kemi shumë pak investime direkte në prodhim, në teknologji, në edukim nga diaspora e dëshmon më së miri brishtësinë e cila e ka kapluar Kosovën sa i përket stabilitetit politik. Pa stabilitet politik është utopike të mendohet ardhja e investitorëve të huaj dhe kur dihet fare mirë që kemi dhe barriera sa i përket tregtisë mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo kemi barriera të shumta me vendet e tjera të rajonit. Kosova vërtet po e humb atraktivitetin të jetë një destinacion i dëshiruar për investitorë dhe investime të huaja.
“Epoka e re”: Liberalizimi i vizave sa do të ndikojë në ekonomi?
Gërxhaliu: Sa i përket liberalizimit të vizave besoj se është një ëndërr të cilën qytetarët e kanë pritur. Është një vendim i vonuar, por besoj i argumentuar. Në aspektin ekonomik besoj se do të ketë ndikim te sektori privat në Kosovë. Duhet të pranohet e vërteta që Kosova nuk u zbraz vetëm nga ky vit, por ka filluar me vite të tëra. Të fundit që po braktisen nga Kosova nuk po ikin vetëm të papunët dhe skamnorët, por po largohen edhe familje me një stabilitet ekonomik dhe social, sepse e kanë brengën e edukimit, të shëndetësisë, e kanë brengën e sigurisë së perspektivës dhe shumë mënyrave të tjera të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për këtë arsye mendoj se në një aspekt kohor afatshkurtër do të kemi një tentativë për t’u larguar nga Kosova. E tëra kjo do ta ketë koston e vet ekonomike jo vetëm që do të ketë nevojë sektori privat, por këta që mendojnë për t’u larguar do të krijojnë edhe humbje të shumta ekonomike dhe ky do të jetë një dëm. Mirëpo duhet të kuptohet e vërteta që kanë munguar kampanja vetëdijësuese që t’i ndalin të rinjtë këtu. Në rend të parë duhet të kuptohet që Evropa nuk është ajo që ka qenë më parë dhe sot disa shtete evropiane janë në një recension ekonomik dhe kjo e dëmton pozitën e tyre. Në anën tjetër, besoj se duhet të kontrollohet komunikimi i pushtetarëve të Kosovës të cilët Kosovën e paraqesin si një shtet të përkohshëm. Çdo ditë kemi paralajmërime për luftë dhe për konflikt dhe jo për avancim të dialogut dhe stabilitet politik, dhe kur këto fjalë dominojnë atëherë vetvetiu krijohet një panik apo një ankth i cili i bën t’i mendojnë qytetarët të largohen nga Kosova. Duhet shumë punë për të bërë për të qëndruar në Kosovë. Krejt kësaj kur i shtohet një fakt tjetër që ne kemi zyrtarë shumë të lartë qeveritarë të cilët e argumentojnë migrimin e kosovarëve si kinse edhe evropianët migrojnë. Besoj është një prononcim shumë i rrezikshëm. Ky gabim është i rrezikshëm nga fakti se vendet evropiane nuk e kanë armik Serbinë siç e ka Kosova dhe nuk e kanë një akademi të shkencave serbe siç e ka Serbia e cila harton drafte dhe strategji për ta zbrazur Kosovën, sepse për armiqtë vetëm Kosova e zbrazët është Kosovë e mirë dhe e dëshiruar. Për këtë arsye duhet të kemi kujdes me deklaratat dhe të punohet më tepër që të kthehet besimi i humbur nga qytetarët e Kosovës për të jetuar në Kosovë.
“Epoka e re”: Çfarë prisni në vitin 2024 për ekonominë?
Gërxhaliu: Besoj se viti 2024 do të jetë një vit i bartjes së sfidave ekonomike të vitit 2023. Shumë probleme po lëngohen dhe nuk zgjidhen. Sot në Kosovë kërkohet shumë më tepër arsyetim për dështime sesa për të gjetur rrugë për të dalë nga dështimi. Viti 2024 do të jetë vit i agjendës politike nëse analizohen projeksionet e buxhetit për vitin 2024 dhe një vit i orientimit social. Buxheti është i orientuar më shumë në zgjedhje sesa në zhvillim ekonomik. Prandaj do të ketë sfida të shumta, megjithatë ky është realiteti me të cilin duhet të ballafaqohemi. Mendoj se është momenti kur institucionet duhet të reflektojnë, në rend të parë me një politikë pro sektorëve privatë, në rend të dytë me një politikë pro ekonomisë dhe me një qasje më të mirë diplomatike në mënyrë që të inkurajohen investitorët dhe investimet e huaja, duke përfshirë edhe ato të diasporës. Nuk jetohet vetëm nga konsumi. Mendoj se nëse çdo indikator ekonomik në Kosovë do të vazhdojë të ndërtojë mbi konsumin, atëherë do të jetë një vit i dështuar ekonomik, si ky që po lëmë pas.
(Mal Qorraj)