Intervistë me autoren Shukrije Rama / Dhimbjet nuk maten me vlerë monetare
Libri “Mos paç fatin tim” nuk është libër i rëndomtë. Për më tepër është një dhimbje. Dhe… është e papërballueshme t’i vësh dhimbjes çmim. Kam respektuar integritetin emocional dhe isha e bindur se përvoja e tyre nuk mund të matet me vlera monetare. Prandaj libri dhurohet – thotë Shukrije Rama, autorja e librit “Mos paç fatin tim”, i cili muaj më parë doli nga shtypi.
“Epoka e re”: “Mos paç fatin tim”… Pse ky titull?
Sh. Rama: “Mos paç fatin tim” është një titull mjaft intrigues. Sapo libri doli nga shtypi, menjëherë filloi të shkaktojë kureshtje tek lexuesit. Supozonin se është libër autobiografik. Por, në fakt libri përmban rrëfime të njëmendta të grave të cilat kanë përjetuar dhimbje. Ideja për ta titulluar kështu librin lindi shumë spontanisht, në bisedë me një personazh të këtij libri. Duke shpalosur pikëllimin dhe përjetimet për humbjen e bashkëshortit dhe të djalit në luftë, për të njëjtën ditë, pra dy lajme të hidhura brenda një dite, ajo për një çast ndaloi, ofshau thellë dhe tha: asnjë femër në botë mos pastë fatin tim. Ky pikëllim, kjo humbje, kjo dhimbje sikur mu ngulit në mendje dhe assesi ta largoja nga mendja. Dikur thashë: ky qenka titulli i këtij libri. Prandaj, mund të them se titulli “Mos paç fatin tim”, nuk është vetëm një titull. Për më tepër është një dhimbje, një emocion, dhe një ndjenje e pamundësisë për ta ndryshuar fatin.
“Epoka e re”: Çfarë përmban libri në të vërtetë?
Sh. Rama: Ky libër përmban rrëfime të njëmendta në të cilat shpalosen përvoja jetësore të grave, të atyre që mbijetuan masakrën, të atyre që humbën më të dashurit në luftë. Pastaj shpaloset fati i gruas që jeton në gjakmarrje, e gruas që u martua në moshën 13 vjeçe, e gruas që përjetoi shumë herë burgun në kazamatet serbe. Në libër shpalosen edhe përvoja të tjera të grave, të keqtrajtuara emocionalisht, të kritikuara vazhdimisht, të quajtura me emra poshtërues, të injoruara, mirëpo edhe të braktisura. Por, jo vetëm kaq. Në libër shpaloset edhe përvoja e gruas që luftoi, që u inkuadrua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E asaj që u inkuadrua në Policinë e Kosovës, por edhe e gruas e cila filloi të botojë me pseudonim “Burri” kur zëri i femrës nuk dëgjohej.
“Epoka e re”: Ndonëse ky është libri i pestë me radhë, çfarë e dallon këtë libër nga librat tjerë që keni botuar?
Sh. Rama: Pavarësisht përvojës sime 25 vjeçare në të shkruar dhe katër librave të botuar deri më tash, ky libër, i pesti me radhë, ishte ndryshe. Rrëfimet e këtij libri veçohen nga çdo gjë që kam shkruar më parë. Përgatitja e këtij libri ishte një sfidë në vete. Rrëfimet brenda këtij libri më ngjallën emocione që nuk i kam përjetuar kurrë më parë. Pesha e këtyre rrëfimeve ndikoi thellë në mua dhe shpesh e gjeja veten duke u përballur me intensitetin e dhimbjeve.
“Epoka e re”: Me çfarë sfidash u përballët gjatë shkrimit të librit dhe si i tejkaluat ato?
Sh. Rama: Ndërsa lexoni faqet e këtij libri, veçanërisht në njërin nga rrëfimet, mund të hasni në tri gabime drejtshkrimore. Nuk është një dëshmi e mungesës së aftësive, por përkundrazi dëshmi e ngarkesës emocionale që mbante ky libër. Studimet themelore dhe ato të magjistraturës i kam përfunduar në Fakultetin e Filologjisë, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, dhe deri më tash kam lekturuar qindra libra universitarë, punime shkencore, monografi, por sa herë i kthehesha atij rrëfimi, ligështohesha sa që kishte momente kur mbyllja me forcë lap-topin dhe i thoja vetes – Mjaft më për sot!. Disa herë e mendova ta dërgoj librin në lekturim, por nëse do ta lekturoja, do të evitoheshin këto gabime dhe bashkë me gabimet do të evitoheshin edhe kujtimet që rikthejnë emocionin e ligësisë së përjetuar gjatë shkrimit të librit.
“Epoka e re”: E kuptuam se nga erdhi ideja për titullin e librit, po për vetë librin nga doli ideja?
Sh. Rama: Ideja për të shkruar këtë libër lindi nga besimi i thellë se përjetimet e patreguara të grave shqiptare, me përpjekjet dhe forcën e tyre të jashtëzakonshme duhet të dokumentohen. Këto gra meritojnë të dëgjohen dhe përvojat e tyre meritojnë të shërbejnë si dëshmi për sakrificat e tyre jetësore. Çdo rrëfim për to ishte si një monument i ngulitur thellë në shpirt, para të cilit nderonin humbjet, dhimbjet dhe sakrificat e tyre. Prandaj nëse ky libër nuk do të titullohej “Mos paç fatin tim”, sigurisht do të titullohej “Monumenti i Dhimbjes”.
“Epoka e re”: Ku qëndron thelbi i këtij libri?
Sh. Rama: Thelbi i këtij libri qëndron në ndriçimin e rolit të gruas shqiptare –rol ky që shpesh anashkalohet ose heshtet. Pavarësisht mungesës së respektit dhe vlerësimit të duhur, gratë i durojnë sfidat familjare, marrin pjesë në luftëra, rritin fëmijë dhe përpiqen të zbusin varfërinë brenda familjeve të tyre. Rrëfimet janë një realitet që nuk duhet t’i harrojmë. Edhe pse sot, gratë mbajnë poste si mjeke, arkitekte, inxhiniere, mësuese, shkencëtare, megjithatë, ato vazhdojnë të përballen me çështje që variojnë nga fyerja, nënçmimi, dhuna, madje edhe tek vrasja.
“Epoka e re”: Po mesazhi i librit?
Sh. Rama: Ky libër fton lexuesin për një reflektim të thellë mbi rolin dhe trajtimin e grave në shoqërinë tonë. Libri shpalos një thirrje të qartë: gratë nuk duhet të shihen si shërbëtore, objekte të pavlerë, ose robëri të pashmangshme të caktuara nga normat patriarkale. Emërtimet e tilla janë të frikshme dhe nuk duhet të jenë pjesë e realitetit tonë. Gruaja meriton respekt, vlerësim dhe dinjitet, dhe është koha që shoqëria dhe familjet tona t’i japin atyre këtë vlerësim. Vetëm duke i dhënë grave mundësinë për të shkëlqyer dhe për të kontribuar në mënyra të shumta, ne mund të ndërtojmë një shoqëri më të barabartë dhe më të drejtë për të gjithë.