Intervistë me Bashkim Ramosaj: Rrjetin e ujësjellësit të Deçanit nuk do ta menaxhojë “Hidrodrini”
Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosveprim të duhur në raport me situatën e helmimeve në këtë komunë.
Ai ka thënë se veprimi i qeverisë ka qenë shumë i vonuar.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Ramosaj ka deklaruar se pas mbështetjes nga qeveria, menaxhimi i situatës ka qenë më i lehtë.
“Veprimi i qeverisë ka qenë tepër i vonuar sepse, siç dihet, rastet e para të helmimit kanë ndodhur ditën e shtunë. Pra, për katër ditë si komunë jemi përballur krejtësisht të vetëm me menaxhimin e situatës, ndërsa reagimi i qeverisë ka ndodhur ditën e martë. Fillimisht mbështetja e saj ka qenë deklarative, më pas edhe me veprime konkrete. Natyrisht se mbështetja na ka lehtësuar menaxhimin e situatës”, ka thënë Ramosaj.
Ai ka mirëpritur rezultatin e analizave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) të cilat tregojnë se në mostrat e ujit të marra në Deçan më 12 korrik janë identifikuar disa baktere të cilat mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.
Ramosaj ka thënë se si kryetar i komunës ka qenë këmbëngulës që të ketë një përgjigje shkencore për situatën. “Kjo përgjigje tani është marrë. E kemi parë si shqetësim kur ditën e hënë analizat kimike të ujit kanë dalë në rregull, pastaj ditën e martë analiza tjetër ka treguar që në aspektin biologjik uji është i përdorshëm. Por, kur u bënë analizat më të thella, doli se nuk është krejt në rregull. IKShPK-ja ka dhënë edhe rekomandime se si duhet të veprohet”, është shprehur ai, duke treguar për hapat që do t’i ndërmarrë ndaj kompanisë “Hidriodrini”.
“Kompania Rajonale ‘Hidrodrini’ nuk do ta ketë Deçanin më nën menaxhim. Do të jetë një kompani komunale, e cila do të ketë adresim dhe do të ketë në dispozicion edhe taksat e qytetarëve të Deçanit”, ka deklaruar Ramosaj.
“Epoka e re”: Z. Ramosaj, si ka qenë të enjten gjendja me helmime në komunën e Deçanit?
Ramosaj: Në raport me ditën e mërkurë, të enjten situata është dukshëm më e mirë.
“Epoka e re”: Sa qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në 24 orët e fundit?
Ramosaj: Gjatë kësaj periudhe kohore kanë kërkuar ndihmë mjekësore 284 persona. Këtu bëjnë pjesë edhe recidivistët, pra njerëzit që kanë kërkuar më shumë se një herë ndihmën e mjekut.
“Epoka e re”: Deri më tani sa është numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore?
Ramosaj: 1 392 njerëz kanë kërkuar ndihmë dhe kanë marrë tretman mjekësor. Pra, i kanë marrë ilaçet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan. Prej këtyre personave ka dikush që ka marrë shërbimin e dytë, shërbimin e tretë, sepse ashtu parashohin parametrat mjekësore që helmimi të trajtohet derisa të kalojë tërësisht.
“Epoka e re”: Si është gjendja e të helmuarve? Është përkeqësuar gjendja e ndonjërit?
Ramosaj: Gjendja e gjithë të helmuarve është stabile. Nuk kemi ndonjë përkeqësim të gjendjes së tyre.
“Epoka e re”: Është raportuar se disa qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore edhe në spitalin rajonal të Pejës?
Ramosaj: Ka disa qytetarë që kanë shkuar në spital dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në shtëpi. Nuk është hospitalizuar asnjë prej tyre.
“Epoka e re”: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) bëri me dije se nga mostrat e ujit, të marra në Deçan më 12 korrik, janë identifikuar disa baktere të cilat mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm. Cili është komenti juaj për këto rezultate?
Ramosaj: Ne si komunë dhe si Shtab Emergjent kemi qenë këmbëngulës për të marrë një përgjigje nga institucionet që kanë rëndësi shkencore dhe që kanë përgjegjësi në këtë shtet. Kjo përgjigje tani është marrë. E kemi parë si shqetësim kur ditën e hënë analizat kimike të ujit kanë dalë në rregull, pastaj ditën e martë analiza tjetër ka treguar që në aspektin biologjik uji është i përdorshëm. Por, kur u bënë analizat më të thella, doli se nuk është krejt në rregull. IKShPK-ja ka dhënë edhe rekomandime se si duhet të veprohet.
“Epoka e re”: Tash e tutje si do të veproni si komunë?
Ramosaj: Kompania Rajonale “Hidrodrini” nuk do ta ketë Deçanin nën menaxhim. Do të jetë një kompani komunale e cila do të ketë adresim dhe do të ketë në dispozicion edhe taksat e qytetarëve të Deçanit. Kjo kompani do të jetë me standarde më të larta që i plotëson kriteret për t’iu gjendur afër qytetarëve të Deçanit si në cilësi të ujit dhe në aspektin e furnizimit me ujë 24 orë, shtatë ditë në javë.
“Epoka e re”: Në dy ditët e fundit kemi parë një reagim të qeverisë ndaj situatës në komunën tuaj. Cili është vlerësimi juaj për reagimin e qeverisë?
Ramosaj: Veprimi i qeverisë ka qenë tepër i vonuar sepse, siç dihet, rastet e para të helmimit kanë ndodhur ditën e shtunë. Pra, për katër ditë ne si komunë jemi përballur krejtësisht të vetëm me menaxhimin e situatës, ndërsa reagimi i qeverisë ka ndodhur ditën e martë. Fillimisht mbështetja e tyre ka qenë deklarative, më pas edhe me veprime konkrete. Natyrisht se mbështetja e tyre na ka lehtësuar menaxhimin e situatës.
“Epoka e re”: Disa media kishin ngritur dyshimet për përfshije në këtë situatë të dy serbëve, duke pretenduar se ata kanë mundur të hedhin diçka në puset e hapura. Cili është komenti juaj ndaj këtyre pretendimeve?
Ramosaj: Ajo nuk lidhet me këtë rast. Ajo është një farsë që kanë ngritur dy-tre qytetarë. Besoj se ata e kanë pasur qëllimin e mirë, sepse kanë dashur t’i informojnë institucionet, mirëpo ne jemi në dijeni të kësaj pamje prej 25 qershorit. Kështu që rasti i atyre dy serbëve nuk ndërlidhet me situatën aktuale.
(Muhamet Koci)