Kosova ka nevojë për garanci sigurie
Burim Ramadani, analist i sigurisë, ka thënë se ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në veri kanë hapur një faqe të re të kërcënimeve të sigurisë, në mënyrë krejtësisht të ngjashme me ato që janë parë në vitet 2014-2015 në lindje të Ukrainës, përkatësisht në rajonin e Donetskut.
Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Ramadani ka thënë se atë që rusët e kishin bërë në Donetsk, Serbia tentoi ta shtrijë praktikisht edhe në veri të Kosovës.
Ai ka theksuar se ende rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë janë serioze.
“Planet për të ndarë territorin e Kosovës janë serioze. Operacionet për të organizuar njëlloj kryengritje janë serioze”, ka thënë Ramadani, duke shtuar se Serbia me sulmin e 24 shtatorit ka hapur një fazë të re të tentimit për destabilizim të Ballkanit.
Ai ka theksuar se institucionet e sigurisë duhet të vazhdojnë punën e tyre në nivel të lartë të vigjilencës, duke pasur parasysh se operacioni i Serbisë nuk besoj të ketë përfunduar.
Mal QORRAJ
“Epoka e re”: Z. Ramadani si e shihni situatën në veri pas sulmit terrorist të 24 shtatorit?
Ramadani: Situata e sigurisë në veri të Kosovës është në fazë kritike, e përcjellur me kërcënime të vazhdueshme dhe sfida praktike të sigurisë.
Ramadani: Ngjarjet e 24 shtatorit 2023 kanë hapur një faqe të re të kërcënimeve të sigurisë, në mënyrë krejtësisht të ngjashme me ato që janë parë në vitet 2014-2015 në lindje të Ukrainës, përkatësisht në rajonin e Donetskut. Është e njëjta shkollë e kërcënimeve. Doktrina dhe metodologjia ruse u praktikua në veri të Kosovës. Atë që rusët e kishin bërë në Donetsk, Serbia tentoi ta shtrijë praktikisht edhe në veri të Kosovës. Fatmirësisht operacioni i Serbisë doli të mos ketë sukses, kryesisht për shkak të reagimit të shpejt dhe profesional të Policisë së Kosovës, porse ky duket që është një plan më i gjerë dhe më i gjatë, prandaj operacione të tilla apo të ngjashme mund të përsëriten sërish dhe sërish.
“Epoka e re”: A ka ende rreziqe për sigurinë?
Ramadani: Rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë janë serioze. Planet për të ndarë territorin e Kosovës janë serioze. Operacionet për të organizuar njëlloj kryengritje janë serioze. Prandaj,e dhe reagimet, planifikimet dhe koordinimet vendore e ndërkombëtare duhet të jenë serioze në vazhdimësi. Nuk mund të përjashtohen assesi opsionet që prapa këtij operacioni të grupit paramiltar të Serbisë qëndrojnë mësuesit rus të Qendrën Ruso-Serbe të Spiunazhit në Nish të Serbisë. Sepse, praktika ruse në lindjen e Ukrainës është tentuar të demonstrohet në veri të Kosovës. Metodologjia e njëjtë, qëllimi i njëjtë, opeacioni i njëjtë. Fatmirësisht, rezultati i ndryshëm.
“Epoka e re”: Ju keni reaguar në rrjetet sociale dhe nëdisa intervista në televizione, duke thënë se Serbia përmes këtij Grupi Paramilitar ka kërcënuar direkt edhe trupat ushtarake të NATO-s.
Ramadani: Absolutisht, trupat ndërkombëtare janë rrezikuar direkt, jo vetëm Kosova. Normalisht se operacioni i ushtrisë dhe agjencive të sigurisë së Serbisë kanë qenë të orientuara për të kapur një terren territorial brenda Kosovës, porse rrezikimi i trupave ndërkombëtare, trupave të NATO-s, ka qenë i paprecedentë. Çka u thonë shtetet e NATO-s popujve të vet: Pse dhe kush ia rrezikoi jetën ushtarëve të tyre?
“Epoka e re”: A është dashur që KFOR-i të reagojë atë ditë kur dihet se kemi pasur shkëmbim zjarresh mes Policisë së Kosovës dhe këtij grupi kriminal, sepse është rrezikuar edhe jeta e banorëve në këtë pjesë?
Ramadani: KFOR-i, sikurse edhe institucionet vendore, do të duhej të analizojnë me secilin detaj çka u mungoi ato ditë që nuk detektuan hyrjen e këtyre paramilitarëve, pajisjeve të tyre të shumta ushtarake, veturave dhe blindave? Pse pikërisht në ato ditë, Ushtria e Serbisë po bënte stërvitje ushtarake afër Kosovës dhe një kolonë me automjete, pajisje dhe grup paramilitar hyri në Kosovë si në terren të vet? Çfarë lëshimesh profesionale dhe teknike kanë ndodhur që të mos detektohet një grup i tillë paramiltar, me pajisje dhe automjete? Përfshirja në operacion të datës 24 shtator 2023 edhe e KFOR-it ka qenë në bazë solide, porse jo në trupa të ndërhyrjes. Sepse, komunikimi, koordinimi dhe shkëmbimi i informacionit duket që ka qenë i saktë dhe i shpejtë në ditën kritike. Sidoqoftë, Policia e Kosovës ka pasur kapacitetet e mjaftueshme për të intervenuar, ashtu sikurse ka intervenuar.
“Epoka e re”: Serbia me ketë sulm terrorist a mendoni se ka provuar një skenar të ri në veri, që situata të merr kahje tjetër?
Ramadani: Serbia ka hapur një fazë të re të tentimit për destabilizim të Ballkanit. Po e bën në mënyrë krejtësisht të çmendur, sepse po dëshiron të tëntojë të luftojë me të njëjtin armik ndaj të cilit e ka humbur luftën në vitin 1999. Pra, të luftojë edhe kundër Kosovës edhe kundër NATO-s në të njëjtën kohë. Fatkeqësisht, NATO po e mban Serbinë edhe më tutje në Partneritet për Paqe. Paramendojeni! Serbia në Kosovë rrezikon pikërisht ushtarët e NATO-s, ndërsa në rajone tjera bashkë me NATO-n ofron paqe. Kjo është më shumë se hipokrizi.
Prandaj, unë besoj plotësisht se NATO do ta përzë Serbinë nga Partneriteti Për Paqe. Serbia ka dëshmuar që nuk është partner serioz dhe kredibil për operacione të përbashkëta me NATO-n në paqe. Ajo është kundërshtare e NATO-s, sepse të tillë e ka padronin, përkatësisht Putinin.
Kështu, Serbia edhe njëherë i ka shërbyer qëllimit nacional të Rusisë. Ka tentuar të nis një konflikt të hapur në Ballkan, kësaj radhe edhe kundër NATO-s. Qëllimi është i identifikueshëm, sepse Rusisë i duhet dëshpërimisht të hapen konflikte në zona tjera të botës, ku NATO dhe SHBA është e interesuar të ketë paqe dhe stabilitet.
“Epoka e re”: Po reagimi i institucioneve tona, qeverisë atyre të sigurisë – Policisë së Kosovës paskëtij sulmi çfarë duhet të jetë?
Ramadani: Institucionet e sigurisë duhet të vazhdojnë punën e tyre në nivel të lartë të ë vigjilencës, duke pasur parasysh se operacioni i Serbisë nuk besoj të ketë përfunduar. Koordinimi midis institucioneve të sigurisë është i domosdoshëm dhe duhet vazhdimisht të jetë i plotë. Jam i sigurt që sektori i sigurisë në Kosovë është profesional, i ndërtuar dhe kompletuar në nivel të lartë të standardeve demokratike dhe si i tillë komunikon në nivele të zhvilluara profesionale. Kosova ka sektor të sigurisë profesional, por qeverisje të dobët politike e diplomaci të përgjumur. Shumë prej zhvillimeve të sigurisë ose janë pasojë e mosrezultateve politike ose pikënisje për ofensiva politike. Kështu, Kosova duhet të jetë në ofensive politike e diplomatike. Kosova duhet të jetë në tavolinat profesionale (jo vetëm politike) të secilit shtet anëtar të NATO-s dhe BE-së. Fitoret më të mëdha arrihen në adresën e duhur. Strategjia e Kosovës nuk duhet të jenë taktikat operacionale, por taktikat operacionale duhet të shërbejnë një strategji nacionale. Sepse, taktikat shpeshherë janë reaguese, ndërsa Kosova ka nevojë të jetë në prirje të proceseve.
“Epoka e re”: Si e keni parë reagimin ndërkombëtar për këtë ngjarje, sepse ka pasur opinione se drejtuesit e dialogut nga BE-ja, Borell e Lajcak kanë reaguar ftohët. Nuk kemi pasur një reagim dënues të fuqishëm ndaj Serbisë. Pra në përgjithësi cila do të duhej të ishte gjuha me të cilën ndërkombëtarët duhet ta cilësojnëkëtë sulm terrorist të 24 shtatorit?
Ramadani: Besoj që fokusi i Kosovës duhet të jetë NATO. Edhe për faktin që shumica e shteteve të BE-së janë anëtare të NATO-s, edhe për faktin që NATO udhëheq trupat ushtarake në Kosovë, edhe për faktin që NATO e ka për mision ruajtjen e Kosovës nga invazioni serb. Kur situata në terren merr dimension serioz të sigurisë, NATO është ajo që duhet të prijë në vendosmërinë e saj. Kështu, nuk është e habitshme përse përfaqësuesit diplomatik të BE-së nuk kanë kapacitetin institucional të veprimit, përpos atë deklarativ për aspekte të sigurisë.
Porse, unë besoj që Kosova duhet të jetë e mirë-organizuar, me të gjithë institucionet dhe njerëzit në Kosovë që të promovojë qëllimin nacional të Kosovës për anëtarësim të privilegjuar në NATO.
Pra, Kosova duhet të jenë anëtare e NATO në proces të privilegjuar. Të ndërtuar enkas për Kosovën, të disenjuar në kuptimin procedural vetëm për Kosovën.
Por, për të shërbyer në këtë qëllim, pothuajse gjithçka në Kosovë duhet të funksionalizohet më mirë dhe më ndryshe. Për shembull, pse Kosova pas 24 shtatorit 2023 nuk i ka nisur të paktën 10 diplomatë që të punojnë në Bruksel, të komunikojmë me NATO-n, me shtetet anëtare të NATO-s? Kush e ndalon Kosovën që të shumëfishojë dilpomatët apo të krijojë ekipe profesionale për të promovuar rastin e Kosovës në Bruksel apo në shtetet anëtare të NATO-s?
“Epoka e re”: Sa është i vështirë tashme të rikthehen në tavolinën e bisedimeve Kosova e Serbia. A rrezik që tashme dialogu të ngecë?
Ramadani: Në bindjen time, Kosova ka nevojë për garanca sigurie. Garancat në këtë kuptim nuk janë aspekte deklarative, por konkrete dhe praktike. Një hapje e shtegut për Kosovën në NATO do të ndihmonte edhe sigurinë e stabilitetin rajonal, por në një aspekt do të ndihmonte edhe proceset politike, sikurse është edhe dialogu Kosovë-Serbi. Kosova ka obligime brenda vetes dhe me partnerët ndërkombëtar. Tek e fundit, dialogu mund dhe duhet të shihet si bashkëveprim mes Kosovës dhe NATO-s. Pra, është koha për aranzhmane të reja mes NATO-s dhe Kosovës, të cilat do të mundësonin që proceset politike të zhvillohen në dimensione politike dhe jo të sigurisë.