Intervistë me Pleurat Sejdiun / Kuvendi i degraduar dhe keqqeverisja më shtynë të rikthehem në politikë

10 janar 2025 | 15:59

Pas një pauze të gjatë në jetën politike, doktor Pleurat Sejdiu ka vendosur që të garojë për deputet në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt.  Ai është pjesë e listës së PDK-së me numrin 53.

Pleurat Sejdiu është njëri nga themeluesit e PDK-së, si dhe pos punës në profesionin e tij si mjek kirug – ortoped brenda dhe jashtë vendit, ka mbartur shumë funksione të rëndësishme në skenën publike si përfaqësues diplomatik i UÇK-së, zëvendësministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, bashkëdrejtues i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në kohën e UNMIK-ut, sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ka bartur pozita të tjera në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe institucioneve tjera. Ndërkaq aktualisht është kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Sejdiu ka treguar arsyen se çfarë e shtyri t’i rikthehet politikës dhe kandidimit për deputet.

Ai gjithashtu tregon se çfarë i ka munguar legjislaturës aktuale të Kuvendit që po përfundon mandatin. “Këtij vendi i duhet zëri i arsyes, angazhimi i guximshëm, kompetenca dhe vendosmëria që do të bënin ndryshimet e nevojshme”, ka thënë Sejdiu.

Në këtë intervistë, Pleurat Sejdiu, ka folur edhe për PDK-në dhe Gjykatën Speciale, gjithashtu edhe për fitoren që ky subjekt politik do ta ngadhënjej më 9 shkurt.

“Epoka e re”: Z. Sejdiu ka mëse 20 vite që kur jeni larguar nga marrja aktive me politikë, sa ishte i rëndë rikthimi në politikë aktive dhe çka ju shtyri në këtë vendim?
Pleurat Sejdiu: E di se rikthimi im në politikë për shumë kë ka qenë befasi! Ishte vendim jo i lehtë, por situata e përgjithshme në Kosovë, parlamenti politikisht dhe moralisht i degraduar, mbajta e çlirimtarëve në Hagë, përdhosja sistematike e vlerave dhe trashëgimisë së UÇK-së, janë ndër arsyet politike që me kanë shtyrë në këtë vendim! Në kohën kur Kosova, po keqqeveriset, si rrjedhojë jeta e qytetarëve po vështirësohet e sidomos e të rinjve, kohë kur çlirimtarët po atakohen, vlerat më sublime po përdhosen, ndërsa e ardhmja europerëndimor po rrezikohet. Çdo shqiptar i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm nuk mund të qëndroj indiferent. Ky vendim i imi ka hasur në përkrahje të PDK-së, gjë që më ka nderuar pamasë. Konsideroj që të gjithë ata që kanë hise në lirinë e këtij vendi, duhet të ndihen përgjegjës që akoma Kosova s’po arrin të konsolidohet si shtet. Të keqes duhet t’i dilet përpara në çdo kohë dhe me të njëjtin guxim e përgjegjësi.

No description available.

“Epoka e re”: Ju njiheni se jeni ndër njohësit më të mirë të problemeve në shëndetësi, gjendja aktuale a ka ndikuar në marrjen e këtij vendimi?
Pleurat Sejdiu: Sigurisht se po, por edhe zëri i mekur apo inegzistent i profesionistit shëndetësor në Kuvendin e Kosovës, stigmatizimi i profesionistit shëndetësor në veçanti nga ana e politikës qeveritare për katër vitet e fundit, por jo vetëm, ishte arsyeja e tjetër për rikthimin tim në politikë. Besoj se është e papranueshme, me një përjashtim, nuk kemi dëgjuar zërin e deputetëve nga profesionet mjekësore të ngrit zërin në Kuvendin e Kosovës për problemet e vet profesionistëve, votueseve të tyre të para katër viteve. Mendoj se e gjitha kjo ndodh, për arsye të mungesës së kuadrit dhe kompetencës qeverisëse, ku, institucionet janë shndërruar në çerdhe nepotizmi, militantësh dhe të paditurish.

“Epoka e re”: Ju mendoni se kjo gjendje mundet të ndryshohet me këto zgjedhje?
Pleurat Sejdiu: Në këtë situatë, gati të pashpresë, për ta përballur të keqen me të vërtetën dhe daljen nga dëshpërimi, duke rivendosur shpresën e perspektivës, sidomos në fushën e shëndetësisë dhe arsimit por jo vetëm, si pika më të ndjeshme të shoqërisë, ku brengat nuk dëgjohen mjaftueshëm, as meritueshëm në institucionet përgjegjëse e veçanërisht në tempullin ligjvënës, i cili për fat të keq është shndërruar vetëm në makineri votimi, shpeshherë antikushtetuese dhe të mbulimit të kundërligjshmërisë. Unë besoj më shumë se kurrë, këtij vendi i duhet zëri i arsyes, angazhimi i guximshëm, kompetenca dhe vendosmëria që do të bënin ndryshimet e nevojshme.

No description available.

“Epoka e re”: Si e gjetët PDK-në pas aq vitesh, pra sa ka ndryshuar!
Pleurat Sejdiu: Po shikoni, PDK-ja ka pësuar goditje të rëndë nga Gjykata Speciale, e cila ka goditur mu në themelet tona. Pa marrë parasysh këtyre goditjeve, forca dhe shpirti luftarak i PDK-së mbijeton. Parimisht, si në çdo organizim serioz, ripërtritjet organizative janë proces i nevojshëm, gjeneratat ndryshohen natyrshëm dhe po ashtu ndërlidhja e gjeneratave duhet të ruhet si transferi dhe ruajtja e memories dhe frymës që e kanë brumos kuadrot e UÇK-së dhe ilegales të viteve ’80-a dhe ’90-a. Mendoj se PDK-ja ka kuadro të reja që do të sigurojnë gjenin themeltar të PDK-së.

“Epoka e re”: Qëndrimi juaj për Gjykatën Speciale?
Pleurat Sejdiu: Gabim dhe mashtrim!

“Epoka e re”: Besoni në fitore më 9 shkurt?
Pleurat Sejdiu: Ata që i qasen betejave në kohë të vështira edhe besojnë në fitore! Prandaj jemi të sigurt se dielli do të lind prapë.

(Intervistoi: Faton Dërmaku / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin…