Intervistë / Musliu: Osmani, Konjufca dhe Kurti, trinom i rrezikshëm për Kosovën
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti në raport me politikën e brendshme dhe të jashtme.
Ajo ka thënë se kjo qeveri duhet të ndjehet e turpëruar për mënyrën se si është duke qeverisur me Kosovën.
Musliu në këtë intervistë për “Epokën e re”, i ka quajtur të rrezikshëm për Kosovën, treshen kryesore institucionale, presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.
Madje, Musliu ka thënë se Osmani dhe Konjufca janë vetëm pjesë dekorative e marrëzisë së kryeministrit Albin Kurti, të cilin e ka quajtur diktator të vogël.
“Një trinom i rrezikshëm për rrugën e Kosovës drejt përparimit dhe inkuadrimit edhe pse Osmani dhe Konjufca po dëshmojnë se janë vetëm pjesë dekorative të marrëzisë së Albin Kurtit. Që të tre këta, por edhe i gjithë kabineti qeveritar janë vënë në dispozicion të Albin Kurtit për të shkatërruar çdo gjë të arritur deri më tani në mënyrë që të këtë mundësi më të mëdha për të ndërtuar një strukturë të nënshtruar që do ta kontrollonte më lehtë. Thjeshtë kemi të bëjmë me një qeveri të udhëhequr nga një diktator i vogël”, ka thënë deputetja Musliu.
Krahas kësaj, Musliu e ka akuzuar qeverinë edhe për qasjen në raport me liderët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, ndaj të cilëve ka filluar procesi gjyqësor në Hagë.
“Qasja ndaj eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe ndaj procesit të Hagës në përgjithësi është turpi më i madh i tyre. Kjo qeveri nuk ka treguar as respektin minimal njerëzor e mos të flasim për obligimin e tyre institucional të cilin as që e kanë konsideruar fare. Qeveritarëve tanë nuk ua bënë zemra as që t’i përmendin e lërë më të angazhohen institucionalisht rreth asaj që po ndodhë në këtë gjykatë të ndikuar politikisht”, është shprehur Musliu.
Musliu e cila ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, ka thënë se i gjithë procesi që ka filluar në Hagë është një proces i montuar politikisht nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj në Kosovë.
“E them me bindje të plotë është se drejtësia gjithmonë do të triumfojë, edhe atëherë kur qëndron mbi sakrifica të mëdha, edhe atëherë kur qëndron mbi sfida të rënda, në fund drejtësia do të dalë në pah dhe ata që kanë kontribuar në ngritjen e kësaj gjykate do të mbesin në anën e errët të historisë sonë më të lavdishme”, ka thënë Musliu.
“Epoka e re”: Znj. Musliu kanë mbetur pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Duke i parë zhvillimet në veri, fillimisht a mund të na jepni një vlerësim të përgjithshëm për situatën e sigurisë në Kosovë, veçmas në katër komunat veriore?
Musliu: E gjithë situata e krijuar në veri të vendit është si rezultat i vendimeve të pamatura të një kryeministri i cili politikën e tij e bazon në polarizim dhe në konfuzion. Gjendja në të cilën Albin Kurti e ka manovruar Kosovën është një disfavor politik dhe përtej kësaj është një fushë e minuar sa i përket sigurisë dhe sovranitetit të vendit tonë. Zgjedhjet që pritet të mbahen po përcjellën me një ndjenjë pasigurie dhe kjo ndjenjë nuk është ndjenjë fantomë, por diçka reale sepse edhe në rast se zgjedhjet mbahen kjo nuk do të thotë se gjendja nuk do të mbetet e tensionuar. Pas shtyrjes disamujore të këtyre zgjedhjeve, pas dështimit të përdorimit të targave RKS, pas bojkotit të institucioneve nga zyrtarët e komunitetit serb, sot pyetja që duhet shtruar është nëse kokëfortësia e Albin Kurtit ishte një veprim prej një burrështetasi të zgjuar dhe të matur.
A është e pranueshme për ne dhe për të ardhmen e këtij vendi një sjellje e cila ka çuar në situatën në një tensionim kaq të madh. Shpresoj që zgjedhjet të shkojnë mirë, të pranohen si legjitime dhe që veriu i vendit të mos rrëshqas në drejtim të një konflikti të ngrirë apo edhe më keq.
“Epoka e re”: Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti këto ditë ka bërë dy vjet prej që është në pushtet. Cili është vlerësimi i juaj për punën e kësaj qeverie?
Musliu: Çfarë vlerësimi mund të kem? Nuk e vlerësoj fare. Përgjatë dy viteve të fundit në kemi parë një shfaqje të dobët teatrale të një trupë të paaftë. Asnjë premtim, qoftë edhe atë më të voglin, nuk e kanë realizuar përkundrazi çdo segment i shtetit ka pësuar dëme të mëdha sepse qeverisja e tyre është fokusuar në ngarkim-shkarkime dhe në një trysni të paparë mbi administratën publike. Shumë pozita kyçe kanë mbetur bosh, në shumë pozita të tjera kyçe janë vendosur persona jo adekuat, sektori privat është sulmuar rëndë, korrupsioni dhe familjarizmi kanë shënuar rritje, zhvillim ekonomik nuk kemi, reforma nuk kemi, por kemi rritje çmimesh dhe ulje pagash. Kemi ikje masovike të popullit sepse qeverinë që ata zgjodhën, pikën kryesore të programit e kishte shpresën e jo mirëqenien e tyre. Përveç dështimeve faktike, ne kemi një qeveri shumë të papërgjegjshme dhe arrogante e cila edhe në dy vitet e ardhshme nuk premton ndonjë përmirësim minimal. Pra, i vetmi premtim që kjo qeveri ka realizuar është ai për ndryshim, por ndryshimi erdhi për keq dhe shpresoj që qytetarët e këtij vendi e kanë kuptuar se shteti nuk bëhet me “hajt ta provojmë”. Me “ne ishte një herë” dhe me “ne ua rikthejmë shpresat” fillojnë dhe mbarojnë përrallat por kurrë nuk ndërtohet një shtet stabil dhe i konsoliduar. Albin Kurti erdhi në pushtet si demagog dhe i tillë do të largohet, vetëm se tani me barrën e dështimit mbi supe.
“Epoka e re”: A ka ndonjë fushë ku mund të krenohet qeveria Kurti, brenda ose jashtë?
Musliu: Jo! Për fatin tonë të keq, nuk ka asnjë fushë ku kjo qeveri mund të krenohet. Përkundrazi, duhet të turpëroheshin sa i përket politikës së brendshme dhe asaj të jashtme.
“Epoka e re”: Në këtë kontekst çfarë vlerësimi keni për drejtuesit kryesorë të shtetit: Vjosa Osmanin, Glauk Konjufcën dhe Albin Kurtin?
Musliu: Një trinom i rrezikshëm për rrugën e Kosovës drejt përparimit dhe inkuadrimit edhe pse Osmani dhe Konjufca po dëshmojnë se janë vetëm pjesë dekorative të marrëzisë së Albin Kurtit. Që të tre këta, por edhe i gjithë kabineti qeveritar janë vënë në dispozicion të Albin Kurtit për të shkatërruar çdo gjë të arritur deri më tani në mënyrë që të këtë mundësi më të mëdha për të ndërtuar një strukturë të nënshtruar që do ta kontrollonte më lehtë. Thjeshtë kemi të bëjmë me një qeveri të udhëhequr nga një diktator i vogël.
“Epoka e re”: Znj. Musliu, personalisht keni qenë kritike për punën e qeverisë por si e vlerësoni rolin e opozitës në këto dy vjet?
Musliu: Vitin e parë të qeverisjes së Albin Kurtit, e gjithë opozita ka qenë konstruktive dhe e gatshme për ta ndihmuar. Meqenëse jo vetëm vendi ynë por i gjithë globi po kalonte një periudhë të vështirë, kjo qasje e opozitës ishte qasja e duhur sepse përtej të gjithave kishim të bëjmë edhe me një kabinet qeveritar krejtësisht të papërgatitur. Konstruktiviteti i opozitës, nuk u respektua aspak sepse të paditurit nuk dinë të respektojnë, sepse të paditurit kanë frikë edhe nga hijet e veta. Pastaj viti i dytë, mendoj se opozita do duhej të ishte shumë më aktive dhe më e ashpër. Për fat të keq Kosova sot ka një qeveri të dëmshme përballë një opozite të plogësht. Por kjo nuk do të thotë që të vazhdohet kështu. Përballë një qeverie e cila nuk rezymon rreth gabimeve të veta duhet të vihemi të gjithë, ne si opozitë parlamentare, mediat, shoqëria civile dhe i gjithë populli. Kështu ndikojmë që kjo qeveri dhe çdo qeveri tjetër që vjen pas saj ta kuptojë se qeverisje do të thotë ti shërbesh të mirës së përgjithshme e jo të bësh të fortin dhe të paprekshmin.
“Epoka e re”: Mendoni se PDK-ja ka qenë në nivel të detyrës gjatë kësaj periudhe kohore?
Musliu: Për mendimin tim askush nuk ka qenë në nivel të detyrës dhe duke qenë kështu me duhet të them se për këto dy vjet e më shumë është sulmuar PDK-ja se sa vet qeveria e Albin Kurtit. PDK-ja ka kaluar disa sfida shumë të rënda dhe ka arritur të kalojë me shumë sukses zgjedhjet lokale. Kjo lë të kuptohet se PDK-ja është partia më e konsoliduar në vend dhe se ka potencial për ta bërë jo vetëm opozitën por edhe për tu rikthyer fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Jam e bindur se PDK-ja do ta intensifikojë opozitarizmin dhe do ta vërtetoj se është partia e vetme që këtij vendi i garanton stabilitet dhe mirëqenien për qytetarët. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se PDK-ja nuk është parti që krekoset vetëm me arritjet që ka sjellë, por është një parti që punon pa ndalur për të përmirësuar cilësinë e saj qeverisëse.
“Epoka e re”: Znj. Musliu, tashmë në Hagë ka filluar procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Si jeni duke e parë krejt këtë proces dhe cilat janë pritjet tuaja?
Musliu: I gjithë procesi që ka filluar në Hagë është një proces i montuar politikisht nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj në Kosovë. Se si do të ecën, unë nuk mund ta them por ajo që e them me bindje të plotë është se drejtësia gjithmonë do të triumfojë, edhe atëherë kur qëndron mbi sakrifica të mëdha, edhe atëherë kur qëndron mbi sfida të rënda, në fund drejtësia do të dalë në pah dhe ata që kanë kontribuar në ngritjen e kësaj gjykate do të mbesin në anën e errët të historisë sonë më të lavdishme.
“Epoka e re”: Kur jemi të procesi gjyqësor në Hagë, sa ka qenë dhe sa është Qeveria e Kosovës në nivelin e detyrës për t’i mbështetur drejtuesit e UÇK-së?
Musliu: E thashë edhe më lart që kjo qeveri nuk është se mund të krenohet me ndonjë veprim, por qasja ndaj eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe ndaj procesit të Hagës në përgjithësi është turpi më i madh i tyre. Kjo qeveri nuk ka treguar as respektin minimal njerëzor e mos të flasim për obligimin e tyre institucional të cilin as që e kanë konsideruar fare. Qeveritarëve tanë nuk ua bënë zemra as që t’i përmendin e lërë më të angazhohen institucionalisht rreth asaj që po ndodhë në këtë gjykatë të ndikuar politikisht. Po e përsërisë edhe një herë, kemi të bëjmë me një qeveri që ka dështuar në çdo segment. Për të mirën e të gjithëve, uroj që të reflektojnë dhe të ndërrojnë qasjen e tyre sepse nuk jam e sigurt nëse ky popull do të vegjetoj edhe dy vitet e ardhshme.
(Lirim Geci / Epoka e re)